“përgjegjësia fillon nga ëndrra”
me këtë përkufizim të william butler yeats do të doja unë të filloja analizat e mia mbi rolin e artit dhe kulturës në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, rolin e artistëve dhe kulturbërësve si mendimtarë e korektues të shoqërisë, thellimin e dialogut interrajonal si dhe peshën që ata duhet të mbajnë në procesin e integrimit europian të vendit.
shprehja popullore “ëndrra nuk kushton” për mendimin tim mund të ketë pasoja katastrofale për personin vetë e ndoshta, për një popull të tërë, nëse ky person ka një pozicion vendimmarrës. kjo për arsyen e thjeshtë se njeriu i papërgjegjshëm edhe ëndrrat i shikon të papërgjegjshme dhe nëse ky person ka nje pozicion vendimmarrës atëhere zbatimi i këtyre ëndrrave në realitet ka pasoja për të gjithë njerëzimin.

në kohët e sotme kur mjetet e komunikimit e mundësojnë realizimin e tyre dhe në momentet kur vendi është i fokusuar drejt brukselit dhe të ardhmes së tij europiane shikimi i një ëndrre si të ishe saladini a dikush tjetër do të kishte pasoja të tmershme në orientimin strategjik e gjeopolitik të vendit duke e orientuar atë jo më nga vienna, berlini e brukseli por nga damasku e ndoshta akoma më larg...

në këtë rast nuk mund të diskutohet më mbi bindjet por, mbi besimin brënda ndërgjegjes e cila për mendimin tim në të tilla raste është vendimmarrëse.

unë me kënaqësi do të citojë josé manuel barosson i cili në një letër që më dërgoi me rastin e inaugurimit të projektit tim “europa boulverad - 100 hapa drejt europës“ ndër të tjera do të më shkruante se:
“...ky bulevard do shërbejë si simbol i asaj që e ardhmja dhe perspektiva e shqipërisë është në europe dhe në bashkimin europian.
megjithatë, nuk duhet të harrojmë kurrë se ky rajon me thesaret e shumta kulturore si dhe gjurmët e perandorive romake, bizantine e osmane është dëshmi e gjalle e asaj që dikur ka qene në mes të evropës...prandaj është detyra jonë që ketë shumëllojshmëri kulturore që ka europa t’a mbështesim e t’a vëmë në pah, t’a vendosim atë ne axhendat e përditshme, sepse ajo paraqet shigjetën drejtuese e themeltare të integritetit europian, me një ndikim të thelle në identitet tonë europian...”

shqipëria është europiane jo vetëm gjeografisht por edhe shpirtërisht e kulturalisht dhe unë me bindje të plotë gjatë gjithë punës time në dhe për europën kam kujtuar shprehjen e famshme të paul valéry se “absolutisht europiane është gjithshka që vjenë nga tre burimet: jeruzalem, athinë e romë”.

duke qënë se gjeografikisht shqipëria ndodhet në rrjedhjen e këtyre tre burimeve ka bërë që ajo prej këtyre prurjeve të “ngopet shpirtërisht” e si pasojë edhe “fryrjet dhe derdhjet në det” i ka pasur europiane nga të cilat sot kemi pasuri e krijimtari të shumta, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare ashtu sic kanë përfituar edhe shtete të tjera në europë që edhe ato u “ngopën” nga këto tre prurje e që në rrjedhën e viteve krijuan fizionomitë e tyre unikale.

tashmë, kur të gjithë në përpara syve kemi një ëndërr, një ide, e një qëllim, atë, të rifutjes në familjen e përbashkët europiane, është detyrë e të gjithëve të vëmë në lëvizje shpirtin, mendjen, e trupin se si këtë pasuri e trashëgimi të madhe kulturore t´a vëmë në funksion të zhvillimeve të ardhshme të vendit.

nëse unë do të shtroja pyetjen se cili është roli i kultures në procesin e integrimit europian të vendit do t´i përgjigjesha: vendimtar.
e ardhmja jonë europiane nuk mund t´i lihet më rastësisë dhe ëndrrave të papërgjegjshme të të papërgjegjshmëve. detyra jonë imediate është të mendojmë se si nga pasuria jonë kulturore të pasurojmë politikën aktuale, sesi t´a frymëzojmë atë nga identiteti ynë dhe mbi të gjitha sesi të krijojmë politika e strategji kulturore për t´u paraqitur si pjesë e denjë e identitetit të perbashkët, atë pluralist europian.

imre kertezs, fitues i cmimit nobel në letërsi në një shkrim mbi “trashëgiminë mbresëlenëse të europës” që do të më dërgonte me rastin e projektit tim “100 hapa drejt europës” ndër të tjera do të shkruante se: „...një civilizim që vlerat e tij nuk i ka te qarta apo vlerat e tij i le ne balte eshte i destinuar te marre rrokullimen e ti dridhen gjunjte. dhe, nuk do te jete vone kur te vijne të tjerët qe do të shpallin vlera te tjera dhe, në gojën e këtyre të tjerëve ato nuk do të jenë me vlera, por pretekste e fasada për pushtet absolut dhe të shkatërrimit të pakufizuar...”

arti e kultura i jep shqipërisë dhe jo vetëm asaj por të gjitha shteteve identitetin e tyre e që së bashku përbëjnë identitetin e përbashkët europian. unë përfaqësojë bindjen time të thellë atë që, unioni europian përpara se të jetë një union i fuqishëm ekonomik e politik mbi të gjitha është një union vlerash, një union social e kulturor.

jeremy rifkin do t´a përkufizonte këtë union si “ëndrrën e parë transnacionale të kohëve moderne të globalizimit dhe si një institucion me karakter të vecantë pa paraardhës në histori e cila reagon si një shtetë duke mos qënë vetë një shtetë.”

vëmëndja, besimi dhe respekti për njëri tjetrin janë cilesitë e vecanta që demonstron ky union dhe që përbënë bazën e domosdoshme për bashkimin dhe bashkëjetesën harmonike të saj.



politikat kulturore
europa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde

krijimi i politikave kulturore të cilat janë te orientuara drejt të ardhmes së përbashkët europiane janë të një rëndësie të vecantë në këtë kohë të tranzicionit final për të cilën unë ndoshta gabohem kur e cilësojë të tille dmth final, por zemra m´a do që të jetë i tillë.
politikat kulturore duhet të kenë si bërthamë të tyre principiale qëllimin se si ne me bindje të plotë do të krijojmë ingranazhet për transmetimin e ideve në rrugën që tashmë kemi zgjedhur për të vajtur, ne “europë”, duke u bërë kështu promotorë të një rilindjeje të re shpirtërore e cila për mendimin tim fillon që nga librat e shkollave duke vendosur nëpër tekste jo vetëm të kaluarën e lavdishme nacionale e internacionale që shpeshherë ka qënë e dhimbshme dhe e përgjakshme por, në to të pasqyrohet edhe e ardhmja e përbashkët dhe perspektiva europiane që në këtë mënyrë „idea europa“ që për shumë nga ne është aq joshëse të jetë e ankoruar fortë në ndërgjegjen e secilit përpara se ai të behet vendimmarrës. nxënësve të shkollave duhet t’ju bëhet e qartë se nuk je vetëm tiranas, durrësak apo vlonjat por mbi të gjitha je shqiptar i kontinentit europian.

“europa nuk fillon në bruksel apo në strassburg: europa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde” – do të dëgjoja unë të thoshte hans gert pöttering, president i parlamentit europian në një debat mbi identitetin europian.

por që rruga e zgjedhur të ketë vazhdimësi e të ardhme, është e domosdoshme të ketë dhe institucione ashtu si dhe struktura që mendojnë në menyrë europiane dhe për këtë, duhet që edhe punonjësit të jenë të motivuar për iden europa, të kenë një ngazëllim për vlerat e saj e mbi të gjitha të mendojnë si europian se vetëm në këtë mënyrë mund të prishim murret e fundit mental e ndarrës që kemi akoma përpara në rrugën tonë për bruksel.

ish presidenti gjerman, richard von weizsäcker, do te konstatonte me të drejte se: “...nuk është europa brenda kufijve të mureve ajo që mund të pajtohet, por një kontinent i tërë që kufijve ua merr natyrën e tyre ndarëse”.

procesi i integrimit europian në vetvete është një proces integrimi shpirtëror dhe në këtë mënyrë arti e kultura të cilat burimin e kanë te shpirti e te ndjenja mund të luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e imazhit positiv të shqipërisë në arenën ndërkombëtare mbasi ajo krijon momente të “kthimit të kokës dhe vëmëndjes” drejt saj e në këtë mënyrë të shikohet ndryshe, e të merret seriozisht. arritjet e mëdha individuale të artistëve shqiptarë kanë bërë e do të bëjnë që imazhi i vendit të ndryshojë në sensin positiv e të jepen shembuj të një kulture tjetër të dialogut, larg atij dialogu që përdoret me politikanët.

shqipëria mund të japë nëj ndihmesë të madhe në pasurimin e jetës kulturore europiane mbasi fuqia e europës nuk qëndron vetëm te ekonomia por edhe te mundësia qe ajo i jep dialogut të kulturave e hapesirën e nevojshme që ato kërkojnë për tú takuar e t´a shikojnë njëra tjetrën nga i njëjti kënd veshtrimi. në bërthamën e tyre këto kultura vijnë nga e njëjta origjinë gjë, të cilën do t´a konstatonte përpara 400 vjetëve edhe voltaire i cili do të thoshte se: “...4/5 e kulturave të popujve të europës është e njëjta gjë...”

shqipëria paraqitet në arenën ndërkombëtare me dy pamje: atë të arritjeve të sukseshme individuale në fushën e artit e kulturës si dhe atë të papërgjegjshme nëpërmjet partive politike të përfaqësuara nga drejtuesit e tyre. ky antagonizem i thellë është i dëmshëm dhe në këtë mënyre i papranueshëm dhe për përmirësimin e këtij imazhi del një detyrë imediate për korrektimin e saj dhe krijimin e agendave efikase në fushën e politikës së jashtme, atë të integrimit nëpërmjet kulturës.
europa është kulturë dhe si pasojë edhe politikanët e saj vijnë nga hapësira kulturore. duke u nisur nga ky fakt është mëse e nevojshme që politikat kulturore të jenë pjesë përbërëse e politikës së jashtme të vendit në mënyrë që të arrihet një integrim sa më i shpejtë i vendit në strukturat europiane.

për të arritur këtë qëllim duhet:
1- bërjen prezencë të trashëgimisë kulturore në institucionet më të larta të kulturës e politikës europiane si pjesë e identitetit të përbashkët europian. por, kjo nuk do të thotë të tregojmë se ne kemi ngelur vetëm te disa gurë e shtylla në apolloni, dyrrah, amantia apo epoka të tjera të historisë. nëse do i referohesha gustav mahler atëhere do të përdorë shprehjen e tij se “traditë nuk do të thotë mbajtja e shpuzës por cuarja më tutje e flakës”. në këtë kontekst del për detyrë që të transmetojmë në europë jo vetëm epokat e ndricuara të civilizimeve në të cilat vendi ynë ka qënë pritës e që i ka zhvilluar vetë por dhe zhvillimet e tendencat avandgarde e bashkëkohore nga e cila kemi shëmbuj mbresëlënës mbasi vetëm në këtë mënyrë i paraqitemi opinionit internacional si një vend i orientuar nga e ardhmja e si pjese përbërëse e zhvillimeve botërore.
2- kultura luan nje rol të dyfishtë: nga njëra anë ajo jep mundësinë për njohjet reciproke dhe nga ana tjetër ajo jep mundësinë për të qënë solidar me njëri tjetrin duke qënë se vijmë nga e njëjta hapësirë.
kjo do të thotë që ne duhet të nxisim iniciativat kombëtare e rajonale për thellimin e dialogut interkulturor e njohjen e perkatësive vetjake e të përbashkëta duke e kthyer shqipërinë me cilësitë e saj tashmë të njohura dhe të respektuara nga e gjithë bota sic janë ato të tolerances fetare dhe pasurisë së trashëguar në një qëndër të debateve mbi të ardhmen europiane të rajonit. në këtë kontekst un do të sjellë në vëmëndje iniciativën “eu-between me and you-knowledge of each other’s background” e cila ka vërtetuar në praktikë efikasitetin e këtyre ideve për thellimin e ndërgjegjes kollektive europiane.
masat që duhen marrë për realizimin e ktëyre qëllimeve
zbatimi në praktikë i këtyre orientimeve për marrjen e fryteve të dëshiruara e në këtë mënyrë të afrohemi sa më shumë e sa më shpejtë qëllimit të përcaktuar kërkonë marrjen e disa masave të menjëhershme sic janë:
1- instalimi i një seksioni mbi politikat dhe strategjitë kulturore në ministrine e jashtme sic është ne vjenë apo berlin e cila qysh nga krijimi i saj nga willy brandt konsiderohet si shtylla e tretë e politikës së jashtme të shtetit duke e konsideruar kulturën si eksportin nr. 1 të gjermanisë.
2- mbajtja e kontakteve dhe përmiresimi i tyre me të gjitha institucionet artistike, kulturore e politikokulturore nëpër botë. gjetja e partneriteteve të reja dhe bërja e qartë e rëndësisë dhe ndihmesën që ka dhënë dhe jep arti e kultura shqiptare në historinë botërore si dhe opsionet që ajo ofron e krijon per thellimin e dialogut interkulturor si bazë e një bashkejetese paqësore në kohët e sotme.
3- nxitja në vend i aktiviteteve artistike që kanë si bazë nxitjen e dialogut rajonal e interrajonal të vlerave të përbashkëta kulturore si:
festivalet teatrore, muzikore të traditës popullore, ato të muzikës light, ekspozitave në fushat e paraqitjes së trashegimise apo te artit bashkekohor
4- mbështetja e iniciativave dhe projekteve që kanë si bazë strategjike paraqitjen në institucionet më prestigjioze të artit, kulturës e politikës europiane të shqipërisë si një vend i orientuar drejt europës pa lënë asnjëherë pas dorë krijimin e infarstrukturës dhe mbajtjen në stadin më të lartë të institucioneve aktuale të artit e kulturës duke ju krijuar mundësinë artistëve e kulturbërësve të krijojnë vepra të një cilësie të lartë.
dhe këtu unë kam parasysh:
1- mundësimin e hyrjes së internetit gratis në të gjitha atelietë apo studiove të tjera të kulturës
2- marrjen përsipër të disa shpenzimeve për atelietë artistike si dhe printimin e katalogëve për artistet qe arrijnë të paraqiten në institucionet europiane të kulturës. në këtë mënyrë ata do të kenë mundësinë të paraqiten dinjitoz në studiot, galeritë, muzeumet ndërkombëtare e jo të venë me një tufë fotografishë në xhepa.
3- ndërtimi i një platforme interneti, website nën moton: “shqipëria është kulturë” ku në të cilën të prezantohen creme de la creme e arritjeve në fushën e artit e të kulturës.
4- mundësimin dhe mbështetjen e kolonive artistike për ardhjen e artistëve internacional në shqipëri të cilët do të krijojnë vepra arti të frymezuara nga pejsazhi, kultura dhe tradita vendase dhe botimi i katalogëve me veprat e krijuara ne keto koloni të cilat ata do t´i paraqesin nëpër vendet e tyre e më gjerë.
mundësimin e organizimit të:
• ditëve të kulturës shqiptare nëpër shtetet anëtare të bashkimit europian etj aktivitete të rendësisë së vecantë.

këto ishin disa ide të miat mbi atë se si duhet të orientohen politikat kulturore në të ardhmen dhe si ato do të vihen në shfrytëzim të integrimit europian të vendit. sic thashë janë ide mbi të ardhmen dhe nëse unë do t´i kthehesha kujtesës, atë të kohës së realizimit të ciklit tim të pikturave me temë “kujtime nga e ardhmja” patjetër që do të më kujtohen edhe disa ide të mikut tim, kancelarit austriak alfred gusenbauer i cili në këtë kuadër do të më shkruante se “...normalisht është në kundërshtim me rrjedhojën e çdo lloj arësyetimi që të kesh "memories from the future". deri më sot kjo kategori të menduari i përkiste vetëm hollywoodit. por, fakt është se sejcili prej nesh në mënyrë individuale ose kolektive krijon idetë e tij mbi të ardhmen dhe njëkohësisht farkëton plane për të nesërmen ose të pasnesërmen...”-me tutje ai do te vazhdonte se “ tashmë, në shumë nga vendet e europës juglindore ekziston një perspektivë europiane... bashkimi europian duhet që në vitet e ardhëshme të bëhet për të gjithë një realitet dhe po aq normal saç u bë viena shtëpia e fate velaj.
detyra e artit është dhe duhet të jetë që këtë proçes të europianizimit t'a mbajë mbi shpatulla dhe mbi të gjitha t'a shoh atë me sy kritik. arti nuk përben vetëm realitetin, por ai e rikrijon atë...”
realizimi i veprave të artit dhe kultures është nje “work in progress” dhe burimi i tyre janë ndjenjat që burojnë nga shpirti. këtu mua m´e duhet të sjellë në vëmëndje një europian të madh, jacque dellors i cili në parlamenti europian do të lëshonte thirjen “une ame pour l´europe” (t´i japim një shpirt europës).


dhe nëse dellors do të bënte këtë thirrje, unë, me bindje të plotë e zë të lartë do të thoja:
“t´i kthejmë shpirtin shqipërisë”


* Zgjedhja e shkrimit vetëm me gërma të vogla është e artistit Fate Velaj