Një nga të vrarët në përleshjet e Kumanovës është varrosur sot me një ceremoni të veçantë. Bëhet fjalë për Beg Rizajn i cili u varros sot në Gllogjan të Deçanit në prani të mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova. Në ceremoni morën pjesë deputetët të të gjitha partive të Republikës së Kosovës.

Begu dhe tetë kosovarë tjerë janë vrarë në Kumanovë gjatë një beteje me policinë dhe ushtrinë maqedonase. Ende nuk është sqaruar se pse ndodhi kjo betejë dhe kush qëndron prapa tyre.

Pavarësisht shiut dhe motit të keq, deputetë e qytetarë të Republikë së Kosovës kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Beg Rizajt, i vrarë në Kumanovë të Maqedonisë.

Ai është varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Deçanit.

Nga politikanët vetëm Kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj ka folur për Begun, duke e konsideruar hero e ka thënë se edhe me këtë rast po dëshmohet se çështja shqiptare ende nuk ka përfunduar.

Ushtari i “Shqiponjave të Zeza” të UÇK’së, Beg Rizaj bashkë me tetë shokët e tij nga Kosova u vra më 9 maj derisa ishte duke luftuar në lagjen e Trimave në Kumanovë.

Pjesë e ceremonisë së varrimit të Rizajt kanë qenë deputetët të Republikës së Kosovës nga të gjitha partitë politike.

Më së shumti ka pasur zyrtarë të Partisë së Ramush Haradinajt, duke përfshirë shumicën e deputetëve të kësaj force politike. Aty ishin Donika Kadaj, Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj, Bali Muharremaj, Blerim Kuçi, Pal Lekaj, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu, Rrustem Berisha, Anton Quni, Hajdar Beqa e Safete Hadergjonaj. E krejt në fund, pasi ka përfunduar ceremonia e varrimit ka mbërrit edhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.

Tetë të vrarët tjerë në Kumanovë pritet të varrosen të martën në Prishtinë ndersa familja e Beg Rizajt ka vendosur që djali i tyre të varroset në kompleksin që ndodhet afër shtëpisë së Familjes Haradinaj.

Aktualisht, në Maqedoni janë të arrestuar edhe 21 kosovarë të Grupit të Kumanovës. Në përleshjen që ndodhi më 9 e 10 maj mbetën të vrarë edhe 6 policë maqedonas.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)