/ATSH-MIA/ - Lëvizjet e zakonshme të një dite normale janë vërejtur sot paradite në Kumanovë dhe në Lagjen e Trimave.
Në mëngjes është hapur edhe një pjesë e tregut në Lagjen e Trimave, në ndërkohë që tregtarët thonë se edhe krahas asaj që ndodhi në Kumanovë jeta dhe puna duhet të vazhdojnë të zhvillohen normalisht.
Janë hapur edhe marketet si dhe të gjitha barnatoret në lagjen me mbi 10 000 banorë që ishte në qendër të vëmendjes së medias lokale dhe të huaja.
Në rrugën kryesore "Tode Mendol" asgjë nuk tregon se në ditët e fundit u zhvillua një luftë e vërtetë mes forcave të sigurisë së Maqedonisë dhe një grupi të armatosur.
Gjurmët nga përleshjet janë të dukshme në rrugët "Pero Ilievski" dhe "Rushit Shaqiri" ku vërehen plumba, një makinë e djegur, një shtëpi e shkatërruar tërësisht, disa shtëpi të cilat pjesërisht apo tërësisht janë shkatërruar dhe dritare të thyera. Në këtë zonë nuk ka ende energji elektrike.
Ekipet e gazetarëve dhe qytetarëve vëzhgojnë pasojat nga lufta 28-orëshe e forcave të sigurisë së Maqedonisë me grupin e armatosur.
Në qytet ka ende prani të policisë, por jo në atë masë sa përgjatë dy ditëve të kaluara