Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe ministri i Bujqësisë Andis Salla ishin të pranishëm në ceremoninë e diplomimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku 881 studentë të programit Bachelor dhe 651 të programeve Master, përmbyllën ciklin e tyre të studimeve pranë këtij universiteti.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Arsimit iu drejtua studentëve duke thënë se duhet të jenë krenarë që po diplomohen në universitetin më të vjetër shqiptar, reformimi i të cilit sipas saj, garanton diploma që në vitin 2030 do të jenë një pasaportë për tregun europian të punës. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të sektorëve ku ata po diplomohen në rritjen e ekonomisë dhe punësimit në vend.

“Ekonomia në fund të vitit 2025 ka shënuar rritjen e saj më të lartë historike në Shqipëri. Bashkë me sektorin publik dhe privat kemi pagën më të lartë historike. Në sektorin publik, në fund të vitit 2025, rroga mesatare ishte 1026 euro në muaj, ndërsa në sektorin privat 785 euro në muaj. Bujqësia, agronomia, veterinaria janë sektorë strategjikë edhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto në ekonomi që për vitin 2025 ishte 27 miliardë euro, krahasuar me 10 miliardë euro që ishte në vitin 2013. Këto shifra i thashë për t’ju treguar që jeni në sektorin e duhur. Reformat të dashur kolegë nuk janë për pedagogët, janë për studentët që diplomat tuaja sot e në 2030 të jenë një pasaportë edhe një kartë shumë e mirë për tregun e punës që do përballemi me një treg që sështë më ai i sotmi.

Prandaj kini kurajo të çani, ta ruani, ta mbroni por dhe ta promovoni fort profesionin tuaj. Promovoni fort modelet e suksesit në profesionin tuaj, behuni influenser të bujqësië, veterinarisë, agronomisë sepse kjo është ajo që mund të jepni sot e kontribuoni nesër”, u shpreh ministrja.

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, u shpreh se kjo ceremoni vijon traditën e universitetit dhe projekton vizionin e tij për të qenë një referencë në arsimin e lartë:

“Ne në universitetin bujqësor të Tiranës japim një diplomë plus që është ADN-ja e këtij institucioni një traditë që nuk e trashëgojmë, por e ripërtërijmë çdo vit me standarde të reja. Është historia që e kemi ndërtuar me vizion, punë dhe këmbëngulje për të qenë gjithmonë referencë në arsimin e lartë.”

Ministri i Bujëqisisë Andis Salla, vlerësoi rolin e Universiteti Bujqësor në shumë fusha të zhvillimit të vendit dhe u bëri thirrje të diplomuarve të jenë pjesë e bashkëpunimit për ta çuar bujqësinë dhe zhvillimin rural përpara: “Me dijen tuaj do të bëjmë një ndryshim rrënjësor në zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe së bashku do ta çojmë përpara atë”.

Reforma që po zbatohet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në partneritet me Universitetin Boku të Vjenës, ndërton një model të ri zhvillimi për universitetin, duke u mbështetur në avantazhet e tij konkurruese dhe duke rikonceptuar mënyrën se si organizohet, funksionon dhe ndërvepron me shoqërinë dhe ekonominë.