TIRANE -  Firma "GRIN", që përpunon dhe ricikon mbetjet urbane pas së cilës ka dyshime se fshihet kunati i kreut të bashkisë Lulëzim Basha, Erjon Isufi, punon pa leje mjedisore, nuk ka leje ndërtimi për objektin e ndërtuar në Vaqarr, ndërkohë që nuk i paguan asnje taksë komunës së Vaqarrit.

Një investigim i TV A1 Report nxjerr në pah dhe thellon një prej skandaleve më të mëdha për Tiranën e cila e ka zanafillën në kohën kur bashkia e Tiranës nisi aksionin "famëkeq" kundër romëve 3 muaj më parë duke bllokuar kanacet që ata u shisnin firmave me qëllim riciklimi.

Gazetari i A1 Report zbulon se firma "GRIN" është regjistruar pranë QKR-së më 9 Shkurt të këtij viti, 4 muaj para se Bashkia e Tiranës të niste aksionin kundër romëve.

A1 REPORT FILMON AMBJENTET JASHTË FIRMËS "GRIN"
A1 Report mundi të sigurojë pamje nga ambjentet jashtë firmës "GRIN" ku duken qartë dengje të mëdha me plastikë, letër dhe alumin që bëhen gati për riciklim. Siç duket edhe nga pamjet dengjet e mëdha me plastikë dhe letër dhe alumin që bëhen gati për riciklim, kanë mbushur tërë sipërfaqen ku shtrihet aktiviteti i shoqërisë “GRIN”. Burime nga Komuna Vaqarr bëjnë të ditur se firma e shtrin aktivitetin e saj në një sipërfaqe prej 6000 metër2 tokë arë pronë e "GRIN shpk" e vërtetuar edhe me certifikatën e pronësisë dorëzuar pranë komunës në zyrën e tatim-taksave së bashku me niptin tatimor.

"GRIN" PA LEJE MJEDISORE
Firma " GRIN" nuk është e pajisur me leje mjedisore, një kusht bazë ky dhe kryesor për të kryer aktivitet në fushën e përpunimit dhe riciklimi të mbetjeve. Nëse bën një vëzhgim të thjeshtë në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit firma "GRIN" dhe leja përkatësja mjedisore nuk janë fare prezent. Për firmat e tjera simotra leja e mjedisit është publikuar, kurse për "GRIN" jo. E qëllimshme ose jo, mungesa e kësaj leje është një shkelje e rëndë para së cilës autoritetet nuk duhet të heshtnin.

OBJEKTI PA LEJE I FIRMËS "GRIN" NË VAQARR

Objekti ku firma "GRIN" kryen aktivitetin e saj është ndërtuar pa leje.
A1 Report u interesua pranë autoriteteve të komunës ku këta te fundit refuzuan të tregojnë lejen zyrtare të objektit i cili është ndërtuar në sipërfaqen prej 6000 metër katror ku kjo firmë ushtron aktivitetin e saj.

FIRMA"GRIN" NUK PAGUAN TAKSAT
Stafi i A1 Report nuk mori përgjigje nga autoritetet e komunës nëse firma në fjalë i paguan ose jo taksat lokale. refuzimi i përgjigjes më së shumti nënkupton atë që firma nuk derdh detyrimet në komunë, si taksën e gjelbërimit, pronësisë apo taksa të tjera.
A1 Report shfaqi gjithashtu një dialog të filmuar me kamer të fshehtë mes gazetarit te A1 Report  që përpiqej të merrte informacion te autoritetet e komunës lidhur me taksat që "GRIN" paguan në Vaqarr si dhe pjesëtarë të stafit të komunës që me cdo rast mundohej të fshihte të dhënat për firmën.
Zyra e tatim taksave të komunës Vaqarr nuk dispononte asnjë mandat arkëtimi nga taksat lokale që duhet të derdheshin nga firma ricikluese.

PRONARI I "GRIN" MENAXHER TE MEGATEK
Zbulohet gjithashtu se përfaqësuesi ligjor i firmës GRIN, njëkohësisht dhe pronar i aksioneve të kësaj kompanie është, z. Oliver Shtylla, 35 vjecari nga Gramshi, i cili ne profilin e vet linked profesional shkruan se është i punësuar si menaxher produkti në Qendren e Biznesit 'Megatek'. Shtylla njihet si partner në cdo biznes të kunatit të Lulëzim Bashës, Erjon Isufi.

(n.s/shqiptarja.com)