Kunati i ministres Bregu, Gjeçaj
e Shehu ndihmuan Prudentinot

TIRANE - Ervis Gjeçaj, bashkëshorti i motrës së ministres së Integrimit Majlinda Bregu, nuk ka përmendur asnjëherë se kishte kryer disa udhëtime me të birin e bosit të Sacra Corona Unita-s Albino Prudentino, Anxhelon. Sipas një vendimi të Gjykatës së Leçes të 28 dhjetorit 2012, ka prova të qarta se ata të dy kanë udhëtuar bashkë për në Majemi (SHBA) dhe Milano.

Kunati i Majlinda Bregut Ervis Gjeçaj ka qenë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sëbashku me Anxhelo Prudentinon, në të njejtin avion, duke u nisur nga Fiumiçino e Romës dhe në të njejtën datë: 11 dhjetor 2010.

Kjo zbulohet nga vendimi i Gjykatës së Hetimeve Paraprake – e ngjashme me Policinë tonë Gjyqësore – i datës 28 dhjetor 2012, lidhur me arrestimin e një numri personash dhe sekuestron e pasurive të ndryshme, që kanë lidhje me bosin e mafies puljeze.

Anxhelo Prudentino është arrestuar pak ditë më parë në Brindizi, duke ardhur nga Shqipëria, pas vendimit për t’u vetëdorëzuar tek organet italiane, sipas burimeve policore.

Udhëtimi
Konkretisht, në dokumentin, që Shqiptarja.com ka mundur të sigurojë, thuhet se “në datën 11 dhjetor 2010, Anxhelo Prudentino dhe VISI, i identifikuar nën emrin e Ervis Gjeçajt, kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (shih transkriptimin e bisedave 38-41-392-368-371-382 të datës 11.12.10 dhe SMS numër 387 deri në 392). Më saktësisht, këta persona kanë shkuar në Majemi duke u nisur nga Roma (aeroporti Fiumiçino) me fluturimin nr. AZ 630 (shih njoftimin e Policisë Kufitare të zonës së Fiumiçinos të datës 9.5.12)”.

Ky detaj nuk është përmenduar asnjëherë nga vetë Gjeçaj, i cili u tregua shumë aktiv menjëherë pas arrestimit në Vlorë të babait të Anxhelos, Albino Prudentino – anëtar i një rrjeti të fuqishëm të krimit të organizuar në jug të Italisë – për të dhënë shumë hollësi lidhur me të vërtetën, sipas tij, të ortakërisë së tij me Prudentinot në biznesin e lojrave të fatit. Dhe, aq më pak, nuk ka treguar kurrë arsyen e kësaj lëvizjeje.

Shpjegimi

Në një bashkëbisedim me gazetarin Alfred Peza, kunati i ministres deklaroi, pas përmendjes së emrit të tij në media si bashkëpunëtor i mundshëm i Prudentinove: “Dje më erdhi vajza nga shkolla dhe më pyeti: Babi, ti punon me mafiozë? E kam në klasë të pestë. Dikush i thotë këto akuza, dikush që nuk e di se çfarë është familja dhe nuk e di se çfarë mund të bëjë njeriu për familjen e vet. Nuk i mendojnë fare gjërat. Unë kam dy fëmijë dhe këto akuza i kishin dëgjuar në shkollë”.

“Unë jam munduar të bëj biznes, nuk kam dashur as të bëj biznes me mafian dhe as të pastroj lekët e mafias”, shtoi në këtë intervistë Gjeçaj, duke shtuar se lajmin e arrestimit të Albinos e kishte marrë vesh nga media, “por ishte edhe Anxhelo qe më tha se kështu i ka ndodhur babait tim, por që nuk e dinte se përse e kishin marrë”.

Pra, as Anxhelo dhe as VISI “nuk kanë ditur” se pse e kishin arrestuar Albino Prudentinon, sipas këtij varjanti publik të Gjeçajt. Sipas kunatit të ministres Bregu, ai e kishte takuar Albinon në Vlorë dhe në Tiranë. “Vinte në Tiranë dhe takonte të birin”. “Dukej një njeri normal, për mua. Për aktivitetin e tij nuk e kam pyetur ndonjëherë, kemi bërë biseda normale. Por nuk ma do mendja se do të ishte hapur me mua, edhe po ta pyesja, nuk ma do mendja se do të hapej me çdo njeri që do të takonte në Shqipëri”.

Akuza
Organet italiane të hetimit kanë zbuluar prova e fakte, që tregojnë se e vërteta e ngjarjeve nuk duhet të ketë qenë kështu. Këto fakte bazohen në interceptime telefonike, regjistrime të bisedave të bëra në mjediset e burgut nga Albino Prudentino me familjarët e tij, gruan e të bijtë, si dhe nga fatura, çeqe, kambiale, por ndër këto prova përfshihen edhe pohimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë italiane.

Për vijimin normal të procesit hetimor, Prokuroria italiane ka hetuar shqiptarët: BISHAJ Leonard, lindur në Vlorë më 24.03.1969 dhe banues në lagjen "Pavarësia", rruga S.Zotaj, kompleksi Riviera 1; GJECAJ Ervis ose "Visi", lindur në Tiranë më 22.12.1975 dhe banues po aty Njësia Bashkiake nr.5; BAKU Gani, ortak në "BETTING SYSTEM ALBANIA (BSA) SH.A."; SHEHU Artur, lindur në Vlorë më 29.07.1966 dhe banues në Florida (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) dhe VENTIGJAR Kaçi lindur në Vlorë më 03.07.1960.

Aktiviteti i tyre në kohë tregon për lidhje të fuqishme biznesi me bosin e Sacra Corona Unitas, në Shqipëri dhe jo vetëm aty.

Faktet

Në dokument VISI përshkruhet si ”Ervis Gjeçaj, që ka përdorur edhe emrin Endri Tole, i cili është dëbuar më parë nga Italia, bashkëshort i Ornela Bregut, ortake e kompanisë Betting System, është pikë referimi në Shqipëri për Albino Prudentinon dhe person, të cilit i është kërkuar të menaxhojë bizneset e tij”.
Një tjetër biletë udhëtimi, nr. 11363/2010, e lëshuar më 21 qershor 2010, tregon se Gjeçaj dhe Prudentino kanë udhëtuar së bashku për në Rinas nga aeroporti i Milanos-Malpensa më 23 qershor të atij viti.

Sipas Gjykatës së Leçes, të nesërmen e arrestimit të Albino Prudentinos, djali i tij Anxhelo, që zotëronte 80 për qind të aksioneve të shoqërisë së basteve, u shiti këto aksione Ervis Gjeçajt, që zotëronte deri atëhere 20 për qind të tyre, si dhe Giuseppe Palma-s dhe Gani Bakut, baxhanakut të Gjeçajt, me synimin e dukshëm ”për të shmangur sekuestrime të mundshme”. Kjo dëshmon për raporte të ngushta midis Prudentinove dhe ”Visit”.

  Shkrimin u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com (print) 13.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë