Kundër kujt po luftojmë?

Kundër kujt po luftojmë?
Kur dikush vret trurin natë ditë se si të të imponohet me çdo mënyrë,  përdor dhe tritolin sapo kupton se ka ezauruar rrugët e tjera. Dhe nuk është fort i rrallë tritoli sot, me gjithë atë sasi që u vodh nga ushtria pak kohë më parë. Shpërthime, sulme, provokime me çanta bosh në mes të rrugës, alarm në shkollë, shto dhe ankthin e një shoqërie që kërkon të dijë se kush janë “ata” që japin mesazhe të tipit “mund të arrijmë ku të duam ne” ?

Pa minimizuar rrezikun e gjithë kësaj historie, do t’a përjashtoja tezën e përfshirjes së ekstremistëve fetarë, për vetë formën e mesazheve që kanë patur këto veprime, por gjithsesi do t’i rikthehem kësaj pak më vonë. Ne nuk e dimë sa është gati Shqipëria t’a përballojë një tezë të tillë të mundshme çfarë do të fillonte një faqe të re në luftën me krimin dhe ekuilibri fetar në këtë vend do të merrte fund. Vendi nuk është më asnjëanëse as në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe kur bëhet fjalë për këtë, shumëkush kërkon të dijë sa dimë të mbrohemi ne që mbrojmë të tjerët ?

Nuk është e lehtë të mbash një aleat si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Gjithsesi rreziku i grupeve kriminale ka prekur qytetarët dhe këtë herë opozita ka preferuar të mos flasë shumë. E kur nuk flet opozita, ajo nuk ka informacion të mjaftueshëm, çfarë do të thotë se mund të jenë në të njëjtën anije me mazhorancën. Ose jo.

Nëse dikush po e kërcënon vërtet këtë vend, për herë të parë me terrorizëm, kjo bëhet për shkak të një beteje që shteti ende nuk e ka përfunduar krejtësisht. Por më shumë se vetë incidenti në vetvete, me shqetëson përhapja dhe influenca që mund të ketë tek qytete të tjera. Nuk e di a ishte e qartë por kur u kërcënua një ministër qeverie, çfarë duhet të bëjë një biznesmen apo drejtor ndërmarrjeje, për shkak të detyrës ? Një drejtor që realisht nuk e ka atë mbrurojë që i jep ligji është tejet i zbuluar ndaj hakmarrjes, në një qytet që nuk është as Tirana.

Po kandidatët për kryetar bashkie, elektorati psh, sa siguri ka nëse dikush do të hakmerret për shkak të detyrës kur ata të mblidhen nëpër mitingje në prag të zgjedhjeve lokale ? Realisht ka pikëpyetje në këtë vend që lidhen me sigurinë publike, për shkak të detyrës së dikujt.

Sa është gati shteti t’i rezistojë hakmarrjes së Lazaratit, laboratorëve të drogës, aksioneve të policisë ? Unë jam e sigurt se politikanët janë maestro të tregohen me shumë mistreca se të mençur në të tilla raste. Prandaj jemi tejet të papërgatitur. Qytetet janë të zbuluara sepse nuk bashkëpunojnë krahët politikë.

Shqiptarët kanë një problem të fortë që nuk e minimizon sot as qeveria me, ‘’ne po vazhdojmë me reformat’’, gjithsesi, por sinjale të kuqe duken përballë një opinioni që pyet, “po unë ç’lidhje kam me gjithë këtë” ? Dhe, siç dihet, në të tilla raste përgjigja nuk vjen asnjëherë shpejt kur shkruhet në histori.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleancës

Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleancës