BORIZANË- Dhjetëra banorë të fshatit Borizanë janë ngritur këtë të mërkurë në protestë dhe kanë bllokuar rrugën e disa guroreve që ushtrojnë aktivitetin në këtë fshat. Prej vitesh, banorët pretendojnë se ky aktivitet u ka shkaktuar dëme në banesat e tyre. Ata janë ankuar nëpër institucione por askush nuk u ka dhënë zgjidhje.

Report Tv mëson se një ndër lagjet më problematike është “Micjane” e cila ndodhet rreth 100 metra larg guroreve, shpërthimet e të cilave përfundojnë në oborrin e shtëpive të këtyre banorëve.

Ata u ngritën sot në protestë fill pasi dje ndodhi një shpërthim tepër i fuqishëm.

"Jemi viktima. Na bien në shtëpi. Unë jam pjesëtar i kësaj lagjeje këtu. Është hera e dytë që denoncoj në shtet dhe nuk merret asnjë masë."- tha një banor

Ata thanë se do të përshkallëzojnë protestën, nëse institucionet nuk  marrin masa ndaj 6 kompanive që shfrytëzojnë guroren.