FIER - Banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë protestuar duke bllokuar rrugën nacionale Roskovec-Fier. Shkak për këtë protestë është bërë një shpërthim i fuqishëm i kryer nga kompania “Bankers Petroleum” që ka në pronësi zonën naftëmbajtëse të Marinzës.

Shpërthimi ka qenë shumë i fortë, ai është dëgjuar deri në qytetin e Fierit, ndërsa sipas dëshmitarëve janë dëmtuar edhe disa banesa.

Pas bllokimit të rrugës kanë mbërritur efektivë të policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për të mbikëqyrur ecurinë e protestës, por nuk është shënuar asnjë incident.

Policia ka negociuar duke bindur banorët që pas rreth një ore proteste të lirojnë rrugën. Protesta shkaktoi rëndim të trafikut në këtë aks rrugor.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e Kryeministrit, pasi edhe pse kanë zhvilluar disa protesta nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për të ndërprerë këto shpërthime nëntokësore me qëllim për të nxjerrë naftën sa më shpejt dhe jo sipas kushteve të përcaktuara për këtë proces.

(Gre.M/jd/Shqiptarja.com)