Ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare Antonino Zichichi, fizikanti i specializuar në fushën e fizikës së grimcave. Ai kishte lindur në Trapani në vitin 1929 dhe ishte ideatori i Laboratorëve Kombëtarë të Gran Sasso-s, një nga qendrat më të rëndësishme kërkimore në botë, të ndërtuar duke filluar nga viti 1982, shkruan La Repubblica.

Kundër evolucionit dhe ngrohjes globale

Flokët e tij të bardhë e bënin figurën e tij perfekte për rolin klasik të shkencëtarit, ashtu si edhe të folurit e tij i rrjedhshëm (ishte në gjendje të mbante konferenca që zgjatnin me orë të tëra). Kompetenca e tij shkencore nuk vihej në dyshim, por qëndrimet e tij skeptike ndaj ndryshimit klimatik dhe teorisë së evolucionit të Darvinit e kishin vënë shpesh në kundërshtim me shumë kolegë.

Zichichi besonte se evolucioni nga njëra anë dhe përgjegjësia njerëzore për ngrohjen e planetit nga ana tjetër nuk ishin të provuara as nga matematika dhe as nga eksperimentet. Për këtë arsye ai mbante një qëndrim skeptik dhe mohonte se kriza klimatike shkaktohej vetëm nga ndotja jonë.

Ai ishte shumë besimtar dhe mik i Papa Gjon Palit II. Shpesh tregonte se kishte kontribuar, me shpjegimet e tij, në shtyrjen e Papës drejt rehabilitimit të Galileo Galileit. Madje i kishte propozuar edhe shenjtërimin e tij, por pa sukses. Prej shumë vitesh kishte ndërmarrë një betejë kundër astrologjisë dhe supersticioneve, të cilat shkencëtari i përkufizonte si një “Hiroshimë kulturore”.

Përvoja e pafat politike

Fama e tij si shkencëtar e çoi edhe në politikë. Mes nëntorit 2012 dhe marsit 2013 ai u emërua këshilltar për trashëgiminë kulturore nga presidenti i Rajonit të Siçilisë, Rosario Crocetta (në qeverinë rajonale ishte edhe Franco Battiato).

Tonet e ndarjes, pas vetëm katër muajsh detyrë, ishin të ashpra. Në një nga deklaratat e tij më të famshme ai kishte thënë: “Ëndërroj një Siçili plot me centrale bërthamore”. Crocetta, kundër centraleve, e kishte akuzuar gjithashtu për mungesë angazhimi për shkak të punës së tij në CERN në Gjenevë.

“Duhej të punohej dhe ndërkohë ai fliste vetëm për rrezet kozmike, ndoshta do të ishte më mirë ta përdornim si ekspert”, kishte deklaruar Crocetta. “E falënderoj sinqerisht Crocetta-n për revokimin e detyrës”, ishte përgjigjur Zichichi pas shkarkimit. “Në tre muaj pune kam realizuar dymbëdhjetë projekte, por dolën në pah mospërputhje të thella kulturore. Për këto mospërputhje kulturore mund të them se jam krenar.”

Karriera shkencore

Gjatë karrierës së tij ka punuar në Fermilab të Çikagos, laborator amerikan i fizikës që mban emrin e Enrico Fermit, dhe në CERN në Gjenevë. Ai ka drejtuar gjithashtu grupin e Universitetit të Bolonjës, ku ishte profesor Emeritus, gjatë eksperimenteve të para mbi përplasjet mes materies dhe antimateries në laboratorët kombëtarë të Fraskatit. Nga viti 1977 deri në 1982 ka qenë president i Institutit Kombëtar të Fizikës Bërthamore dhe në vitin 1978 u zgjodh edhe president i Shoqatës Europiane të Fizikës.

Në vitin 1963 ai themeloi Qendrën e Kulturës Shkencore “Ettore Majorana” në Erice, Siçili, ku zhvilloheshin konferenca dhe seminare të ndjekura edhe nga fitues të Çmimeve Nobel dhe ku Zichichi mbante fjalime mbi tema shkencore që zgjatnin pjesën më të madhe të ditës.

Ngushëllime kryesisht nga e djathta

Të parët që reaguan për vdekjen e fizikanit ishin politikanët e djathtë. Qëndrimi i tij pro energjisë bërthamore, skepticizmi klimatik dhe besimi i krishterë përbëjnë pika lidhëse me shumicën aktuale, edhe pse Zichichi ishte larguar nga angazhimi politik që në vitin 2013. Në një intervistë për RNext në vitin 2015 ai kishte shprehur admirimin për Berlusconin, “sepse na shpëtoi nga komunizmi”.