Kundërzbulimi amerikan: Rusia, Kina, Irani po përpiqen të influencojnë zgjedhjet

Kundërzbulimi amerikan: Rusia, Kina, Irani po përpiqen të influencojnë zgjedhjet

Drejtori i Kundërzulimit, Bill Evanina

Drejtori amerikan i kundërzbulimit ka shprehur shqetësim për ndërhyrje nga Kina, Rusia dhe Irani në zgjedhjet e 2020.

Zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Kina shpreson që Presidenti Donald Trump do të humbasë zgjedhjet, Rusia po përpiqet të dëmtojë imazhin e demokratit Joe Biden, ndërsa Irani po përpiqet të minojë institucionet demokratike, tha përmes një deklarate Bill Evanina, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit.

Në deklratë zoti Evanina ofron analizën më të fundit të shërbimeve të zbulimit për kërcënimet ndaj zgjedhjeve të nëntorit.

“Shumë aktorë të huaj preferojnë njërin ose tjetrin kandidat dhe këtë e kanë shprehur në komunikime të fshehta, ose të hapura si dhe në akte influencuese,” tha zoti Evanina. “Ne jemi kryesisht të shqetësuar me aktivitetet e mundshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit”.

Kina e konsideron Presidentin Trump “të paparashikueshëm” dhe nuk do rizgjedhjen e tij, tha zoti Evanina Kina ka zgjeruar përpjekjet e influencës para zgjedhjeve, duke u munduar të ndikojë tek politikat amerikane dhe t’u bëjë presion figurave që i konsideron si kundërshtare të Pekinit, tha zyrtari amerikan.

“Megjithëse Kina do të vazhdojë të peshojë përfitimet dhe rreziqet e veprimeve agresive, publikisht retorika e saj është bërë më kritike ndaj administratës aktuale në lidhje me reagimin ndaj COVID-19, mbylljen e konsullatës kineze në Hjuston si dhe akte të tjera,” shkruan në deklaratë zoti Evanina.

Për sa i përket Rusisë, zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Moska po përpiqet të “denigrojë” zotin Biden dhe përkrahësit e tij që i shikon si anti-rusë. Zoti Evanina tha se kritikat ndaj zotit Biden duket se burojnë që nga koha kur ai ishte nënpresident, lidhur me politikat e tij ndaj Ukrainës dhe kundërshtimin e tij ndaj politikave të brendshme të Presidentit Putin.

Zoti Evanina veçoi ligjvënësin ukrainas pro-rus Andriy Derkach, duke e akuzuar se po përhap "pretendime për korrupsion" dhe po publikon tekste të telefonatave të përgjuara në përpjekje për të minuar zotin Biden dhe demokratët.

Po ashtu, ai paralajmëroi se ashtu si në fushatën e 2016, kur shërbimet e zbulimit arritën në përfundimin se Rusia u përpoq të ndihmonte fushatën e zotit Trump përballë rivales Hillary Clinton, ka prova se agjentët rusë po mbështesin Presidentin Trump.

"Disa aktorë që kanë lidhje me Kremlinin po përpiqen të ndihmojnë kandidaturën e zotit Trump përmes medias sociale dhe televizionit rus," tha zoti Evanina.

Sipas analizës së zotit Evanina, Irani përpiqet të minojë institucionet demokratike amerikane si dhe të përçajë Amerikën para zgjedhjeve.

“Përpjekjet e Iranit në këtë drejtim përqëndrohen në aktivitet online, si përhapja e dizinformimit përmes internetit, në median sociale dhe përhapja e materialeve nga palë të tjera anti-amerikane,” shkruan zoti Evanina.

“Teherani nxitet pjesërisht nga bindja se nëse rizgjidhet Presidenti Trump do të vazhdojë presioni amerikan ndaj Iranit në përpjekje për të nxitur ndryshim regjimi në këtë vend,” shkruan drejtori i kundërzbulimit amerikan, Bill Evanina.

Shtëpia e Bardhë reagoi të premten duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë ndërhyrje në procesin zgjedhor amerikan. Përmes një deklarate, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Ullyot, tha se qeveria amerikane është gati për t’iu përgjigjur kërcënimeve duke përdorur të gjithë instrumentet e fuqisë kombëtare.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë gurëthemeli i demokracisë amerikane. Presidenti Trump dhe administrata e tij vazhdojnë të demonstrojnë një angazhim të vazhdueshëm për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve,” shkruan zoti Ullyot, pas deklaratës së shefit të kundërzbulimit amerikan, Bill Evanina./VOA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë