'Kuotat në 3 shoqëri, 16 pasuri të paluajtshme e 6 llogari bankare' ja pasuritë që iu sekuestruan Jamarbër Malltezit

 

GJKKO ka vendosur sekuestro preventive të pasurive të paluajtshme të llogarive bankare dhe aksioneve të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës, që po hetohet për akuzat “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Vendimi u mor dje nga GJKKO mësohet nga njoftimi i SPAK. 

Pronat e përfshira në këtë urdhër janë 16 pasur të paluajtshme, 6 llogari bankare, dhe kuotat e kapitaleve në shoqëritë “Homeplan” sh.p.k., “Magnet IMO” sh.p.k. dhe “Magnet Gym&Fit”. Në veçanti, shoqëria “Homeplan” sh.p.k. sipas SPAK, është përdorur nga Malltezi për të përfituar para në formë dividenti në periudhë kohore që ai nuk ka qenë ortak. Shoqëria në fjalë u themelua në datën 19 maj 2008 me ortak të vetëm Fatmir Bektashin.

Pesë muaj më vonë, kjo shoqëri bashkë me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begejën, lidhin një marrëveshje për financimin e kompleksit “Begeja 6000”, që do të ndërtohej në truallin e familjes Begeja me kapital total të parashikuar në vlerën 9.15 milionë euro. Investitorët bien dakord që për realizimin e vlerës totale të kontribuojnë Jamarbër Malltezi me 35% të vlerës, Xhimi Begeja me 25% dhe "Homeplan" sh.p.k. me 40 % të vlerës totale. Marrëveshja pezullohet përkohësisht më 19 nëntor 2008, pasi projekti ishte ende në fazë fillestare dhe leja nuk ishte marrë akoma, e riaktivizuar më 17 janar 2012, pa ndryshuar asnjë kusht të marrëveshjes fillestare.

Nga hetimi i SPAK, nuk rezulton që Jamarbër Malltezi, të ketë kryer ligjërisht investim në shoqëri, çka mund ti jepte të drejtën për të marrë fitim. Megjithatë, nga hetimi ka rezultuar se, nga viti 2010, e në vazhdim Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, kanë përfituar nga Fatmir Bektashi, duke u përdorur shoqëria “Homeplan” sh.p.k. si një shoqëri që është krijuar dhe ka ekzistuar vetëm për qarkullimin e parave që në vijim u janë shpërndarë të treve. Fatmir Bektashi ishte ortak në shoqërinë “Kontakt” sh.p.k. dhe në rast se edhe Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja dëshironin të ishin pjesë e investimit, mund të kishin investuar në këtë shoqëri, por kjo do të zbulonte rolin që kishte pasur Jamarbër Malltezi dhe bashkëpunimin e tij me ish-Kryeministrin e kohës Sali Berisha, përgjatë gjithë ecurisë, në përfundimin me sukses të kthimit të pronave dhe shtënies në dorë të dy klubeve sportive.

Me qëllim për të rregulluar situatën në një moment të caktuar, Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja paraqiten sikur në vitin 2014 blejnë aksione të shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. në vlerë respektive 35.000 dhe 25.000 lekë, ndërkohë që deri në fund të vitit 2013, shoqëria “Homeplan” sh.p.k. ka pasur fitime të pashpërndara, të kaluara në rezerva. Por sipas SPAK,  paligjshmëria dhe fshehja e marrëdhënieve me këtë shoqëri, vijon të ngelet e tillë për Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begejën deri në fund të vitit 2018, kur vendosin të depozitojnë kontratë në QKB dhe të shfaqen si bashkëortakë në shoqëri. Nga hetimet ka rezultuar se janë të parregullta të gjitha përfitimet monetare që ka marrë Malltezi nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k. para se të deklarohej si bashkëortakë këtë shoqëri dhe fitimet e akumuluara ndër vite të saj në vlerë 5.4 milionë euro. Paratë janë marrë para vitit 2018 kur ai u bë aksioner në shoqëri, një pjesë e të cilave në formën e dividentit apo fitimit.

  Në sekuestro preventive

16 pasuri të paluajtshme
6 llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek)
45% e kuotave te kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk
100 % e kuotave të 'Magnet IMO” shpk
60% e kuotave Magnet Gym&Fit

"Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave)", thuhet në njoftimin e sotëm në SPAK. 


Lajmi kryesor:

Arrestimi i Jamarbër Malltezit, SPAK: Përfitoi 5.4 mln euro nga privatizimi i ish-kompleksit Partizani! Berisha miratoi ligje sipas nevojave të dhëndrit


S.G/E.H/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet parlamentare 2025, vota nga jashtë në fokus të takimit të OSBE me Grupin Ndërkombëtar të Punës

Zgjedhjet parlamentare 2025, vota nga jashtë në fokus të takimit të OSBE me Grupin Ndërkombëtar të Punës