Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, ka vendosur kundër zhvendosjes së ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 të Iranit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Meksikë, pavarësisht luftës në Lindjen e Mesme. Këtë lajm e bëri me dije presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum.

Irani kërkoi të mos luante tre ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA, pasi SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt në luftime që kanë ndaluar vetëm ditët e fundit në një armëpushim të brishtë, me Uashingtonin që kërcënon të vazhdojë sulmet e tij.

“FIFA vendosi përfundimisht që ndeshjet nuk mund të zhvendosen nga vendet e tyre të programuara më herët”, tha Sheinbaum në një konferencë për shtyp. "Nga perspektiva e FIFA-s, kjo do të kishte përfshirë një përpjekje të madhe logjistike”, tha ajo.

FIFA kishte shprehur më parë rezerva në lidhje me kërkesën e Iranit për të zhvendosur ndeshjet e tyre kundër Belgjikës, Zelandës së Re dhe Egjiptit në Botërorin që do mbahet nga 11 qershori deri më 19 korriku në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, bëri presion që Irani të merrte pjesë, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara midis Teheranit dhe Uashingtonit.

“Ne duam që Irani të luajë dhe Irani do të luajë në Kupën e Botës. Nuk ka plan B, C ose D, ekziston vetëm plani A”, tha Infantino.

Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, kohët e fundit tha se ekipi po bojkoton SHBA-në, por jo Kupën e Botës, pa dhënë detaje të mëtejshme, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Mes armëpushimit, të shpallur të martën, bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit për një zgjidhje të qëndrueshme paqeje do të zhvillohen në kryeqytetin pakistanez, Islamabad.

Irani u hakmor pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën, duke përfshirë shënjestrimin e shteteve të Gjirit dhe duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç detar për naftën dhe tregtinë.