PRISHTINË - Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme shpërblimin prej 500 mijë eurosh për përfaqësuesen dardane të futbollit pas fitores 3-4 kundër Sllovakisë në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026.
Nesër në orën 20:45 në Prishtinë, ekipi i drejtuar nga Franco Foda luan finalen play-off kundër Turqisë dhe në rast se fiton do merrte pjesë për herë të parë në finalet e një Kupe Bote, diçka historike për 'Dardanët'.
Në rast se Kosova fiton kundër Turqisë, kryeministri Albin Kurti ka premtuar edhe 1 milion euro shpërblim për ekipin. Në total, shpërblimet e dhëna deri tani kapin shifrën e 750 mijë eurove. Për pjesëmarrjen në play-off futbollistëve dhe stafit iu akordua 250 mijë euro, ndërsa fitorja kundër Sllovakisë i shpërbleu edhe me 500 mijë euro të tjera.
Tanimë misioni historik për Kupën e Botës është në lojë dhe Kurti i ka motivuar të tijtë me një shpërblim rekord prej 1 milion eurosh për 'kokën' e Turqisë. Vetë kryeministri ka takuar dje ekipin në grumbullim, me klimën që ishte shumë pozitive.
“Kualifikimi në Kupën e Botës do ta bënte gjithë kuptim shënimin e 10-vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Një fitore nesër po ashtu do të përbënte një arsye për t’u mbledhur sërish ne këtu. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës do të ndajmë edhe një milion euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll. Në rast kualifikimi, po zotohemi sot se ne rast se shkojmë tutje dhe kualifikohemi, do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja për sukseset që do të pasojnë në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Kurti.
Komente










