PRISHTINË - Pasi mposhtën 3-4 Sllovakinë katër ditë më parë, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës do luajë nesër në orën 20:45 në 'Fadil Vokrri' të Prishtinës kundër Turqisë. Sfida vlen për finalen play-off të Kupës së Botës dhe në rast se Kosova fiton ndeshjen teke, atëherë 'Dardanët' do shkonin për herë të parë në histori në finalet e një Kupe Bote që këtë vit do të zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në konferencën për mediet, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi tha se ka besim se ekipi i tij do ia dalë të gëzojë shqiptarët, duke thënë se kjo do ishte arritja më e madhe pas Pavarësisë.
“Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses.
Turqia? Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më mirë se Turqia.
Goli? Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi duke folur për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola.
Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj te fitorja e pastaj të festojmë në shesh", tha sulmuesi i Mallorcas për mediet.
Lajmi kryesor:
Kosova në prag të historisë, trajneri Franco Foda 'me këmbë në tokë': Turqia ka një ekip shumë të mirë, shanset janë të barabarta për Kupën e Botës









