ARE, Suedi - Lara Colturi e ka përfunduar në vendin e shtatë garën e Slalomit Gjigant të zhvilluar këtë të shtunë në Are të Suedisë, në ndalesën e parafundit të Kupës së Botës për Skitë Alpine. Me kohën totale 2 minuta 24 sekonda e 91 të qindtat pas dy lëshimeve, Lara Colturi mbeti 2 sekonda e 50 të qindtat pas fitueses së garës, austriakes Julia Scheib.

Skiatorja italo-shqiptare e mbylli lëshimin e parë me kohën 1 minutë 13 sekonda e 60 të qindtat, e cila e pozicionoi në vendin e dhjetë, para kampiones absolute të skive, Mikaela Shiffrin. Duke parë që emra si Sara Hector apo edhe Valerie Grenier nuk mundën ta mbyllnin garën duke dalë nga pista dhe duke u skualifikuar, Lara Colturi u tregua e kujdesshme por mbeti pas në kohë.

Në lëshimin e dytë, Lara Colturi shënoi kohën 1 minutë 11 sekonda e 31 të qindtat, ndërsa zuri vendin e 15-të.

Në totalin e të dyja lëshimeve Lara Colturi u rendit në vendin e shtatë, larg podiumit të pestë për këtë sezon. Më herët gjatë këtij sezoni Lara ka siguruar katër podiume, dy vende të dyta (Levi dhe Gurgl) dhe dy vende të treta (SHBA dhe Semmering).

Në garën e Slalomit Gjigant triumfoi policja nga Austria, Julia Scheib me kohën 2 minuta 22 sekonda e 41 të qindtat, duke lënë pas amerikanen Paula Moltzan dhe neo-zelandezen Alice Robinson. Zvicerania Camille Rast, e cila kishte kohën më të mirë në lëshimin e parë, nuk mundi të mbyllte lëshimin e dytë duke dalë jashtë pistës dhe humbur mundësinë për një vend në podium, pse jo edhe trofeun e kampiones. Në fund lot për të.

Kupa e Botës për Skitë Alpine të vajzave vijon të diel (nesër) me garën e Slalomit, aty ku Lara Colturi do e ketë zbritjen e parë në orën 09:00 dhe lëshimin e dytë në orën 12:30.

Kujtojmë se kjo e sotmja ishte gara e parë e Lara Colturit pas atyre në Olimpiadën Dimërore 'Milano Cortina 2026', aty ku përfaqësoi Shqipërinë dhe doli e dhjeta në disiplinën e Slalomit.

Renditja e lëshimit të parë: