Ekipi i Lushnjes, ‘Bijtë e Shqipes’, ka dominuar frikshëm në të 5-ta kategoritë e grupmoshave në Kupën e Republikës së Shqipërisë, duke u shpallur skuadra e vitit. Trajneri Lirim Dedej për Repor TV thotë se ky sukses vjen pas disa arritjeve në rang ndërkombëtar.

“U prezantuam me 34 sportistë të të gjithë grup moshave nga 7-35 vjeç. Arritëm të fitonim 28 medalje prej të cilave 16 ari, 9 argjendi dhe 3 bronzi,”-u shpreh Lirim Dedej, trajner i karatesë.

Në Kupën e Republikës së Shqipërisë në karate mori pjesë edhe Amanda Dedej, 14-vjeçarja që një muaj më parë u shpall kampione bote në kategorinë e saj.

“Unë mora dy medalje ari, duke qenë pjesë e kategorive -54 dhe open. Tek të dyja ia dola të fitoja,”-tha Amanda Dedej, sportiste e karatesë.

Pak ditë më parë ekipi “Bijtë e Shqipes” mori disa medalje në garat rajonale të zhvilluara në Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në fundjavë garojnë në Kosovë. Objektivi madhor në 2026 është kampionati evropian ku gjithashtu synohen disa medalje.