Qytetet komunikojnë në mënyra të ndryshme. Përmes njerëzve, ndërtesave, ngjyrave dhe pse jo, përmes mureve. Grafiti njihet si një nga format më autentike të shprehjes urbane – një mënyrë për të kthyer një sipërfaqe të zakonshme në një mesazh që të fton të ndalosh dhe të reflektosh. Nuk kërkon skenë, nuk kërkon formë perfekte; mjafton një hapësirë dhe një mesazh që duhet të përcillet.
Në këtë frymë lindi edhe iniciativa më e re e One Albania, e cila i ktheu disa prej fasadave të dyqaneve të saj nëpër qytet në një kanavacë të hapur, ku arti urban u bë ura që bashkoi markën me komunitetin. Në qendër të kësaj nisme ishte një pyetje e vetme, e thjeshtë, por me shumë kuptim: "Çfarë vlen për ty?"
Përgjigjet erdhën nga vetë njerëzit dhe treguan se, pavarësisht ritmit frenetik të ditës, vlerat që na bashkojnë mbeten të njëjtat. Familja, shëndeti, koha, liria, miqësia, qetësia dhe natyra u shfaqën si pasuria e tyre më e çmuar.
Në vend të një mesazhi të njëanshëm, u krijua një moment i përbashkët. Kalimtarët ndaleshin, lexonin, dhe gjenin veten edhe në fjalët e të tjerëve. Për disa ishte një moment kureshtjeje dhe reflektimi, për të tjerë një mundësi për të ndaluar e për të bërë një fotografi.
Ajo që e bëri këtë iniciativë të veçantë nuk ishte vetëm forma artistike, por mënyra si ajo u ndërtua: nga njerëzit, përmes përgjigjeve të tyre, duke i kthyer hapësirat e përditshme në frymëzim. Çdo mural u bë një histori më vete, e ndërtuar mbi vlerat që vetë komuniteti zgjodhi të ndajë.
Më shumë se një instalacion artistik, kjo ishte një ftesë për reflektim. Një kujtesë se, përtej teknologjisë që na lidh çdo ditë, janë pikërisht vlerat njerëzore ato që na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin.
Në fund, pyetja mbetet e njëjtë për të gjithë: Nëse do të të pyesnin sot, çfarë vlen më shumë për ty?









