UEFA ka mbyllur që në muajin nëntor pjesën e parë të programit të shitjes së biletave për Euro 2024, të cilat janë shpërndarë në bazë të një lotarie të veçantë të organizuar nga shitja nëpërmjet faqes së internetit pa e ditur se cilat do të ishin skuadrat pjesëmarrëse në turne.
Në 2 dhjetor pas hedhjes së shortit të fazës në grupe të turneut, nis faza e dytë e shitjes së biletave, ajo në të cilën mund të blesh një biletë për një ekip specifik të kualifikuar në Euro2024.
Nxjerrja e biletave në shitje do të bëhet nga një bashkëpunim mes UEFA-s dhe federatave përkatëse, duke u deleguar këtyre të fundit të drejtën e shitjes nëpërmjet portaleve të dedikuara.
Sipas kësaj skeme, që pas datës 2 dhjetor pasi skuadrat të njihen me kundërshtarët dhe stadiumet ku do luhen 3 sfidat e fazës në grupe, FSHF-ja do të ketë në dispozicion biletat.
Më pas FSHF-ja, do t’i nxjerrë në shitje në një numër të caktuar për tifozët e interesuar për t’i blerë biletat, të cilët padyshim që do të jenë të shumtë. Çmimet janë të pandryshueshme, me katër kategori biletash, ku 30 euro është më e lira. Më pas vazhdohet me 60 euro, 150 euro dhe 200 euro në fazën në grupe, ku përjashtim bën vetëm ndeshja hapëse me çmime më të larta.