Shtypja, devijimi i energjisë seksuale që nga adoleshenca e deri në perëndim të kësaj energjie, ka krijuar këto shëmtime që shohim sot. Agron Cane, edhe nëse Fati e çon të jetojë 100 vjeç, në mendje do të ketë atë gjë që nuk e ka jetuar natyrshëm në jetë: marrëdhëniet seksuale. E megjithatë nuk është as i pari dhe as i fundit që jeton në këtë ferr e në ferr kërkon të tërheqë kë ka përreth.
Nuk dua të bëj moral për askënd, por do të doja të kujtoja se sa shumë kanë punuar mendjet e ndritura të njerëzimit që nga agu i tij e deri tani, për të përmirësuar tmerret që mban në kokë e në shpirt natyra njerëzore, e duket se mundi i tyre ka shkuar kot, ka përfunduar në asgjë, kur sheh si shëmtia njerëzore herë pas here del në sipërfaqe në individë, apo grupe njerëzish.
Që nga Sokrati, Platoni, Aristoteli... Frojdi, Jungu, pastaj, të gjitha besimet e fetë, shkrimtarë, artistë, janë munduar të ndihmojnë dhe të përmirësojnë qënien njerëzore, por ky mund, kur sheh ngjarje të rënda, luftë, vrasje, dhunime e ngacmime seksuale, duket se nuk ka asnjë vlerë.
Italiani Dante Aligieri që në perëndim të 1200 e në lindje të 1300 përshkoi aq mirë natyrën njerëzore: Ferri, Purgatori, Parajsa me personazhet e tij realë, nuk janë gjë tjetër vetëm përshkrimi i veseve më të ulëta, i krimeve më të tmerrshme dhe në Parajsë i vlerave më të mira që një qënie njerëzore mund të mbartë: hajdutë, gënjeshtarë, xhelozë, tradhëtarë, falsifikatorë, përdhunues, arrogantë, fodullë, molestues etj. Kur Konti Ugolino në rrethin e nëntë të Ferrit, përshkruhet nga Dante duke copëtuar me dhëmbë e duke ngrënë kokën e kundërshtarit të tij arqipershkvit Ruxheri, pasi e kishte tradhëtuar, kërkon të thotë pikërisht këtë; natyra njerëzore mund të bëjë të paimagjinueshmen, por Gjeniu shkroi në Komendinë Hyjnore se ka dhe rrugë për të dalë nga Ferri ku shumë jetojnë.
(Dante Alighieri)
Dante Aligieri tregon si ndriçues të njerëzimit Diturinë, përmes Virgjilit, Dashurinë dhe hijeshinë përmes Beatriçes, por, sipas tij, Parajsa arrihet vetëm përmes meditimit, misticizmit që përfaqësohet me Shën Bernardin.
Sipas Dantes, këto tri shkallë e çojnë njerëzimin nga Ferri në Purgator, drejt Parajsës.
Buda, Krishti, Muhamedi ishin gjithashtu njerëz të ndriçuar, njerëz që lindin rrallë në Tokë, por që japin shembuj dhe sinjale ndriçimi e përmirësimi për të gjithë. Për të bërë që njerëzit të jetojnë më mirë, ata u sakrifikuan. Çdo njeri i thjeshtë mund të gjejë tek mistikët, filozofët, shkrimtarët, të dërguarit e Zotit apo shkencëtarët, sinjalet më të kuptueshme për seicilin për të gjetur rrugën e drejtë të jetës.
Por... a do t’ja dijë për gjithë këtë pasuri të çmuar shpirtërore të njerëzimit Agron Cane e agronëcaner të tjerë të radhës...