26 maji 1996 ka hyrë në historinë politike shqiptare si një ndër zgjedhjet më të kontestuara të periudhës postkomuniste. Në atë process zgjehdor u konstatuar manipulim I votave në shkallë kombëtare. Opozita i refuzoi rezultatet, vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu dhe klima politike u ashpërsua. Megjithatë, pak javë më vonë, Parlamenti i ri u mblodh. Partia Demokratike kishte fituar pothuajse gjithçka.
Opozita ishte e dobët numerikisht, ndërsa pushteti demokrat dukej më i fortë se kurrë. Ishte pikërisht në këtë moment triumfi kur Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, mbajti një nga fjalimet më interesante dhe më pak të kujtuara të tranzicionit shqiptar. Ndërsa shumë prisnin një fjalim fitimtarësh, Arbnori zgjodhi të fliste për diçka tjetër. Për rrezikun që vjen kur pushteti mbetet pa kundërshtarë. Në atëë kohë kur shumica e deputetëve demokratë festonin fitoren, Arbnori paralajmëronte se kundërshtari më i madh i qeverisë nuk do të ishte opozita parlamentare.
*
Shtator 1996
Pjetër Arbnori
Disa njerëz mund të mendojnë se meqë arritëm një fitore të madhe në zgjedhje Qeveria do ta ketë më të lehtë me partinë kryesore të opozitës. Ky do të ishte një naivitet shumë i madh. Nuk duhen nënvleftësuar kurrë mbi 300, 000 zgjedhës që votuan kundër alternativës sonë; veç kësaj, po përsëris, që Qeveria do të ketë kundër saj një parti edhe më të madhe se opozita dhe kjo do të jetë partia e atyre që nënvleftësojnë ligjet, e atyre që i anashkalojnë ligjet dhe atyre që thyejnë ligjet. Këta janë shumë më tepër se 300, 000 veta dhe që janë si në partinë e opozitës, ashtu edhe në partinë tonë. Mos të shkojmë më larg.
Qindra deputetë kalonin çdo ditë, gjatë pesë vjetëve të kaluara, dhe e mbajnë mend lulishten e bukur që gjendej rrotull saj gjithë pemë dhe lule. Kishte vetëm një të keqe, ushtarë të armatosur me automatikë që rrethonin Parlamentin në çdo hap, duke ndaluar kalimtarët që të shijojnë gjelbërimin dhe hijet e bukura. Vetëm një kioskë ku u shiteshin hamburger deputetëve gjendej në këtë rrethim. U rrëzua diktatura, u vendos demokracia, përse duheshin gjithë këta kallashnikovë që të na ruanin? Deputeti nuk ka arsye se përse të ruhet.
Nuk ka më anëtarë byroje dhe sekretarë të Komitetit Qendror. Ndër urdhrat e parë që dhashë kur u bëra Kryetar i Kuvendit Popullor ishte lirimi i lulishtes për të shëtitur pa pengesë qytetarët. Një rrethim tepër i ngushtë mbeti vetëm natën për ndërtesat. Befas u ngrit një kioskë. “Përse? - pyeta. Po që deputetët të hanë ndonjë ëmbëlsirë. E po, mirë, - u përgjigja. Me gjithë ato fjalë të hidhura që shkëmbehen në seanca, le të ëmbëlsohen pak”.
U ngrit edhe një kioskë tjetër. “Përse? – pyeta. E, po, për akullore e pije. E, po, mirë. Meqë nxehen në seanca, le të freskohen pak”. Bëri pushimet Parlamenti dhe kur u kthyem, gjetëm të ngritura 4-5 kioska. Protestova. I kemi me leje na thanë, nga Bashkia, nga KRRT-ja, nga KKP-ja, e nga ku e di unë. I dërgova protestë zyrtare Bashkisë, KRRT-së dhe në vend të përgjigjes u gdhi e rrethuar 1/3 e lulishtes së Parlamentit, sepse do të ngrihej një xhami. U bë mbledhja e të gjithë kryetarëve të komisioneve dhe e kundërshtuam prerë. Kemi respekt për besimet, i përkrahim, por ne jemi shtet laik dhe nuk është logjike që te dera e Parlamentit të këndojë prifti apo hoxha. Kërcënova se do të vendos përsëri roja dhe ndërtuesit e hoqën rrethimin e llamarinave, po ndërkaq kioskistët vazhduan sulmet e natës duke rrethuar lulishten dhe Parlamentin me një mur të padepërtueshëm. Nuk mjaftoi kjo dhe firma gabi mu anash rrugës andej nga futen delegacionet e huaja në Parlament nderi, me mijëra rrecka të të gjitha markave dhe ngjyrave dhe hapi më të madhin treg arixhinjsh në Tiranë.
Protestat e mia u shtuan, sepse KRRT-ja tani mendon se kundër ligjit ka kompetencë të rrethojë një institucion të lartë dhe të shenjtë si Parlamenti, me gjithfarë karakatinash. Çfarë do të ndodhte sikur Kryeministria dhe ministritë e ndryshme të rrethoheshin me kioska? A do t’i lejonte njeri? Pra nuk na e rrethoi Parlamentin opozita e majtë, siç pati paralajmëruar për një demonstratë, ku nuk u mblodh asnjë njeri, por na e rrethoi Parlamentin një parti tjetër ryshfetxhinjsh, dallaveraxhinjsh, uzurpatorësh që i përkasin një superpartie interesaxhinjsh, ku futen tesera të kuqe, blu dhe të zeza dhe që po nuk i përmbajti Qeveria e re, jam i sigurt se do ta përmbysë më shpejt se e majta.
Mora shembull lulishten e Parlamentit, por e gjithë Shqipëria është shndërruar në një kantier ku ndërtohet me leje dhe pa leje, me pronë dhe pa pronë, me bekim apo me heshtje autoritetesh. Ligjet e mira nuk na vlejnë, po qe se komisionet përkatëse nuk marrin në dorë kontrollin e zbatimit të tyre.
Kontrolli nuk është për të zënë ngushtë Qeverinë, po për ta ndihmuar atë. Të gjithë ankohen për korrupsionin, por për turp mund të them se asnjë padi madhore nuk është depozituar në Prokurori, madje ata që ankohen, paguajnë vetë ryshfet për marrë një certifikatë më shpejt, një leje më shpejt, një autorizim strehimi jashtë radhës. Ndërsa policët marrin gjoba për vete, qytetarët ankohen nëpër biseda, nëpër gazeta, por të rrallë janë ata që e ndjekin çështjen me kurajë qytetare deri në fund.
Opozita ka të drejtë të kritikojë dhe ka bërë mirë, duke vënë në dukje shumë sëmundje që duhen shëruar, por ajo duke mohuar punën e madhe të qeverisë në fusha të reformës dhe ndryshimet e mëdha pozitive na ka detyruar të lavdërohemi më tepër se duhet. Duhet të vëmë në dukje mungesat dhe të metat tona dhe kjo punë duhet bërë me guxim, së pari nga komisionet e ndryshme parlamentare që, po të jenë kurajoze, kanë kompetenca më tepër se sa pandehin.
Marrëdhëniet e Qeverisë me Parlamentin kanë qenë të pakënaqshme. Në shumicën e mbledhjeve të kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, përfaqësuesi i Qeverisë nuk ka marrë pjesë ose pjesëmarrja e tij ka qenë jo aktive. Qeveria dhe ministritë duhet të kenë një program disamujor ose vjetor për projektligjet që po përgatiten.
Duhet të caktojnë ato që duhen parë me përparësi dhe cilat jo. Çfarë ka ndodhur shpeshherë. Jam në mes të seancës dhe më thërrasin në telefon. Zoti Kryetar, një marrëveshje kredie për 15 milionë dollarë nuk është miratuar nga Parlamenti. Sot i mbaron afati. Na digjen 15 milionë dollarë, po nuk e miratuat. Kërkoj projektligjin dhe nuk është asgjëkundi. Kërcasin përsëri telefonat. Dikush lutet, dikush bën përgjegjës Parlamentin, dikush tjetër kërkon të të vërë në sedër. Lëshoj pe dhe kërkoj projektligjin dhe ai gjendet në një sirtar nëpunësi të mesëm, në një ministri dhe pret i fjetur, ndoshta prej 6 muajsh.
Jo një herë kanë ndodhur futje të tilla të ngutshme në rendin e ditës. Ilustrimi më i freskët ishte Marrëveshja me Gjermaninë për Aeroportin e Rinasit për 48 milionë marka. 3-4 ministra më kërkonin ndihmë dhe projektligji as që kishte ardhur, kur arriti marrëveshja, ishte e papërkthyer nga gjermanishtja. Kjo nuk është serioze.
E fundit, unë jam deputet i zonës nr. 5 me tri komunat: Gur i Zi, Laç-Vau i Dejës dhe Mnelë-Vig. Ka rreth 30 fshatra dhe një bashki kjo zonë. Gjysma e fshatrave janë shumë të varfër, në zonë të thellë malore, shpesh me 80 metër katrorë tokë për frymë. Po e përsëris me 80 metër katrorë tokë për frymë, kur dihet se ka në Shqipëri zona fushore, ku kanë marrë edhe nga 4 mijë metër katrorë për frymë. Nuk u kam bërë premtime ose fare pak.
I kam shëtitur fshatrat me këmbë një për një, kam vizituar dhjetëra e qindra njerëz në familjet e tyre. Ata nuk më kërkuan rrugë të asfaltuara dhe gjëra të tjera me kusht që të më japin votat, por ata më thanë: ne do t’ia japim votat demokracisë për të pestën herë dhe t’i përpiqu që të bësh çfarë të mundesh për ne. Ata votuan 80 për qind për Partinë Demokratike pa asnjë çrregullim. Me 31 anëtarë komisionesh opozitarë që firmosën procesverbalet e zgjedhjeve. Pati dy incidente: opozita kërcënoi kryetarin e komisionit të zonës dy herë në shtëpi se do ta zhduknin nëse nuk fitonte një parti e caktuar dhe një kryetar demokrat komisioni votimi e plagosën dy herë me thikë.
U falemnderit këtyre fshatarëve dhe qytetarëve që ma kanë dhënë çdo herë votën dhe do të kujdesem të bëj diçka për ta. U falemnderit edhe atyre që kanë votuar kundër megjithëse, tashmë nuk ka asnjë fshat komunist, siç quheshin disa më parë. Por, i them Qeverisë së re që të ndihmojë këta njerëz sadopak sepse rruga e Mnelë-Vigut ka katër vjet që ndërtohet dhe ecën shumë ngadalë për neglizhenca të firmës.
Shkollat janë duke rënë brenda ose të papërshtatshme e pa pajisje. Në shkollat e Mazrekut etj., mësimet nuk zhvillohen në rregull ose mësuesit nuk vijnë fare. Dritat janë krejt të dobëta dhe shpesh me ndërprerje. Uji i pijshëm shpesh mungon dhe ujësjellësi i Sheldisë zvarritet, për të mos thënë se sabotohet, shkolla e Jubanit, fare afër rrugës kombëtare, ka shumë nevoja, nuk ka ujë, energji elektrike etj. Kryesorja është që ndihma shoqërore të mos vonohet kurrë për këta fshatarë që shpesh nuk kanë për të blerë as bukën e gojës.
Megjithëse këto çështje që i ngrita janë reale, si herën e parë edhe tani, e përkrah Qeverinë Meksi, që ka mbajtur mbi supe, gjatë katër vjetëve një barrë të rendë që vështirë se do ta kishte mbajtur një Qeveri tjetër dhe do t’i jap votëbesimin./TemA
Komente









