Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë të premten se po krijon një strukturë të re në sektorin e barnave dhe shërbimeve spitalore sipas modelit “KAYO”, e cila, sipas saj, do të funksionojë pa transparencë, pa konkurrencë dhe me llogaridhënie vetëm ndaj Kryeministrit.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se ndërkohë që familjet shqiptare paguajnë 48.3% të kostos së kujdesit shëndetësor dhe buxheti publik për shëndetësinë mbetet 2.9% e PBB-së, qeveria po synon të përqendrojë më shumë pushtet dhe fonde publike në duart e një rrethi të ngushtë.
Deklarata e plotë e Tabakut
"Ndërsa vendi zien nga skandalet dhe faktet dëshmojnë çdo ditë e më shumë një shtet të kapur nga klane që veprojnë brenda sistemit, kreu i këtij sistemi përgatit mekanizmin e radhës për përqendrimin e pushtetit.
Bëhet fjalë për një strukturë të re në sektorin e barnave dhe shërbimeve spitalore, të ndërtuar sipas modelit “KAYO”: larg transparencës publike, larg konkurrencës dhe me llogaridhënie vetëm përpara Kryeministrit.
Kjo ndodh në një vend ku familjet shqiptare paguajnë drejtpërdrejt nga xhepi 48,3% të të gjithë faturës së shëndetësisë. Pra, pothuajse gjysmën e kostos së kujdesit shëndetësor e përballojnë vetë qytetarët, ndërsa buxheti publik i shëndetësisë për vitin 2026 mbetet vetëm 2,9% e PBB-së.
Në vend që të ulë barrën mbi familjet, të sigurojë barnat në spitale dhe të garantojë shërbim cilësor, qeveria kërkon të përqendrojë edhe më shumë pushtet dhe miliarda lekë në duart e një rrethi të ngushtë.
Formula tashmë njihet: krijohet një strukturë shtetërore, zgjidhet partneri i parapëlqyer dhe pasuritë, privilegjet e kontratat publike përfundojnë në pak duar. Kapitali kryesor nuk është eksperienca, konkurrenca apo investimi, por afërsia me Kryeministrin.
Pa garë reale.
Pa transparencë.
Pa llogaridhënie.
Pa kontroll të plotë mbi mënyrën se si zgjidhen partnerët dhe si shpenzohen paratë e qytetarëve.
Pra nuk po lufton për modernizim të shëndetësisë por për ta kthyer në modelin “KAYO” që do ta aplikojë mbi shëndetin edhe xhepat e shqiptarëve.
Ky është sistemi që ka personalizuar çdo institucion dhe e ka kthyer shtetin në pronë të një pakice. Një pakicë pa meritë tjetër përveç lidhjes me pushtetin, të cilën shqiptarët vazhdojnë ta mbajnë mbi shpinë. Një pakice që është në duart e një njeriu që kontrollon këtë sistem.
Për ta çmontuar këtë sistem duhet larguar kreu i tij.
Edi Rama dhe Partia Socialiste janë sot pengesa kryesore për një shtet që punon për qytetarët, jo për klientët e pushtetit.
Ndaj beteja jonë nis këtu: së bashku kundër një sistemi që përdor shumicën për t’i shërbyer pakicës"








Komente
Komento