Kur Shteti nuk vigjëlon mbi qytetarët

Kur Shteti nuk vigjëlon mbi qytetarët
Lajmin e vdekjes së 27 vjeçarit Italian, Luca O. i kuruar me sodë buke për kancerin në tru, në një spital privat në zemër të kryeqytetit shqiptar e mësuam nga mediat italiane. Asnjë njoftim në Tiranë. Familja e tij në Catania të Italisë ka denoncuar dhe ka kërkuar të nisin hetimet. Sot i bëhet autopsia në vendin fqinj me urdhër të prokurorisë së Romës. Të riut italian ju injektua kura antikancer (e ndaluar në BE), nga një mjek Italian i përjashtuar nga Urdhëri i Mjekut në Itali, sepse predikon një kurë që nuk ka bazë shkencore. Tullio Simoncini, (është ky mjeku), i injektoi dozën e bikarbonatit në spitalin që ndodhet në rrugën që të çon në Kombinat, por Luca vdiq pas një përkeqësimi të menjëhershëm, i transferuar me urgjencë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. 
Omerta’? Mbyllje goje?. Asnjë njoftim për një lajm të tillë. Në kryeqytetin që gëlon nga mediat, autoritetet spitalore kanë bërë të mundur të mbajnë të fshehtë këtë vdekje. Por a është e vetmja kjo e Luca-s? Këtë nuk e dimë, siç nuk dimë shumë gjëra mbi sektorin e shëndetësisë për të cilat duhet të vigjëlojë Shteti.
Një onkologe e Qendrës Spitalore Nënë Tereza, e kontaktuar për të pasur konfirmim për ngjarjen, mes të tjerash tha: Ju nuk e dini se në ç’gjendje na vijnë pacientë që operohen apo kurohen në ndonjë spital privat. Në gjendje të mjerueshme. Operohen nga mjekë të huaj dhe nuk ndiqen as për mjekimin e plagës, as për infeksionet e mundëshme”… Familja e Lucas, pagoi 20 mijë euro në klinikën private në Tiranë për të bërë një kurë me sodë buke.
Në Shqipëri, vitet e fundit, po lulëzon sektori privat në Shëndetësi dhe kjo është e bukura e kapitalizmit dhe e një tregu të lirë, por nëse Shteti nuk vigjëlon për respektimin e rregullave atëherë vendi ynë rrezikon të shndërrohet, (nëse kjo ende nuk është realizuar), në folenë e mashtruesve të ndryshëm të Ballkanit dhe Evropës.
Dhe rastet e ngjarjeve flagrante nuk kanë munguar. Ju kujtohet diploma false e Renzo Bossit në Universitetin Kristal? Një tjetër skandal që mediat tona e morën përmes kolegëve italianë. rast që hodhi dritë, ose më mirë dha alarmin për të pasur kujdes nga diplomat fiktive në ndonjë Universitet privat. Por në skandalin e “Kristal” Shteti jo vetëm që nuk kishte bërë detyrën duke kontrolluar, por u bë dhe vazhdon të jetë në rang zëvendësministrash, benjamin i manipuluesve.
Po konsulli fals i Shqipërisë në Itali? Historia e të cilit u zbulua falë një ngjarjeje që kishte lidhje me grevën e urisë të ish të përndjekurve. Ai deklaroi të vjedhur në Itali makinën që kushton 150 mijë euro dhe si pa të keq vë njoftim online për ta shitur në Shqipëri.
Po helmi i Akrepit? I ndaluar gjithashtu në vendet e BE, po krijon iluzione te shumë pacientë onkologë në Shqipëri.
Kush kontrollon Universitetet që shesin apo dhurojnë diploma false? Kush i kontrollon klinikat private që të mos injektojnë sodë buke në sallat e tyre duke vrarë njerëz? Po makinat e vjedhura që shiten në internet? Kemi një Shtet dhe institucione që duhet të ruajnë e të kujdesen për qytetarët, por fatkeqësisht nuk po e bëjnë. Vazhdojnë të jenë të zënë me ca punët e tyre.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

'Giro D'Italia' nis nga Shqipëria, Edi Rama: Njësoj si të kishim Cristiano Ronaldon mbi biçikletë

'Giro D'Italia' nis nga Shqipëria, Edi Rama: Njësoj si të kishim Cristiano Ronaldon mbi biçikletë