“Kur Sigurimi i Shtetit, sipas orientimeve të oficerëve të KGB-së, i propozuan Hamit Matjanit, që të vazhdonte lojën me amerikanët, ai…”/ Historia e panjohur rebelit antikomunist

“Kur Sigurimi i Shtetit, sipas orientimeve të oficerëve të KGB-së, i propozuan Hamit Matjanit, që të vazhdonte lojën me amerikanët, ai…”/ Historia e panjohur rebelit antikomunist

Hamit Matjani

Konstitucioni moral i popullit tonë, mbart brenda hapësirave të tij, vlera të paçmuara. Nderi dhe besa, mikpritja e bujaria, dhe ajo e para, shenjtëria e lirisë, na kanë përcjellë neve kurdoherë nëpër dallgë historie duke ruajtur të paprekur aspiratën e të drejtave natyrore.Në këtë rrafsh, ky konstitucion, nuk e ka pranuar si të qenësishëm komunizmin. Përkundrazi, edhe nëse e ka pranuar në detyrim e heshtje, kjo lidhet drejtpërsëdrejti, me metodat barbare që ky komunizëm i ardhur nga Uralet e largëta, ushtroi për pesë dekada me radhë, në pafajsh-mërinë e kombit tonë. Por jo të gjithë shqiptarët heshtën, jo të gjithë u mashtruan, jo të gjithë e duartrokitën këtë sëmundje më të ligë se kanceri. Vetë burgjet e Tiranës, Beogradit dhe Shkupit, në këto pesë dekada, mbushur deng me antikomunistë shqiptarë, dëshmojnë gjenin e lirisë në gjakun tonë. Vetë vrasjet me mijëra, maltratimet, dëbimet nëpër gulagë më të tmerrshëm se ato staliniane, akuzojnë.

Ndër këta shqiptarë, që e patën kuptuar ç’ishte komunizmi, që e luftuan atë me armë në dorë deri në çastet e mbarme, është padyshim edhe Hamid Matjani. Në vegjëlinë time dikur në Gostivar, kam dëgjuar në natën e heshtur, (se dhe muret, doherë, kanë veshë,) prej babës tim, për këtë trim e burrë baroti, i kanë thënë “Robin Hudi” shqiptar.

Hamiti ka lindur në verën e vitit 1910, në fshatin Matjan, midis kodrave të bukura të Lushnjës dhe Peqinit. Fshati mbante këtë emër, ngase të parët e Hamitit, kishin ardhur këtu nga Mati, në shekullin e kaluar. Gjakmarrja, ky mekanizëm i verbër i rregullimit të jetës shqiptare, ka bërë që gjyshi i Hamitit, të linte malet më pyje të Matit, për të shkuar në kudrat e Myzeqese.

Vetë Hamiti, rritet dhe dallohet nëpër shokë, për disa cilësi të vyera, si besa e burrëria, me ç’rast edhe shokët do t’i kishte kurdoherë më të mëdhenj në moshë, se sa vetja. Mësimet e para, i merr në vendlindje e më tej shkon në Lushnjë. Edhe këtu është tepër aktiv dhe duke parë gjallërinë dhe seriozitetin, prindërit e çojnë djalin e tyre në Tiranë. Por, ata nuk mund të shkollojnë dot jashtë Shqipërie dhe Hamiti ende i ri, e ndjen se ka edhe detyrime karshi shtëpisë.

Për këtë, ai futet në një kurs të Xhandarmërisë me ç’rast rezultatet i ka mjaft të larta. E vërteta është se në fillim të viteve ‘30-të, xhandarmëria shqiptare po ndodhej sipas sistemeve perëndimore të kësaj arme. Vetë Mbreti Ahmet Zogu, kishte për armën e Xhandarmërisë, këshilltarë perëndimorë dhe ai kujdesej që kjo armë, të virej sa më mirë në ruajtjen e rendit. Pa dashur të zgjatemi së tepërmi për Xhandarmërinë Shqiptare të atyre viteve, mund të themi se ajo ishte plotësisht e gatshme në shërbim të popullit të vet.

Këtë kishte parasysh edhe Hamit Matjani, i cili fillon karrierën këtu, me gradën e togerit, në vitin 1931. Peqini, Lushnja, Durrësi dhe Tirana, do të ishin disa prej vendeve ku Hamiti shërbeu për 8 vjet me radhë. Aty ku detyrat ishin më të vështira, aty ku guximi vlente të ish sa ma i madh, aty ishte kurdoherë edhe Hamiti.

Dramën e prillit të vitit 1939, do ta përjetonin thellë. Që herët ai kishte shfaqur mosbesim ndaj disa qëndrimeve italiane me ç’rast, komanda evropiane i kishte bërë edhe kritika. Dihet tanimë se ç’ngjau në Shqipëri më 7 prill. Mijëra ushtarë dhe oficerë italianë, të mbështetur prej tankeve, topave, destrojerëve dhe avionëve luftarak, iu vërsulën bregdetit shqiptar, në vazhdim të synimeve shovene për të dalë në bullgari.

Hamit Matjani, së bashku me disa shokë të tij xhandarmë të Lushnjës, vrapuan të armatosur në Durrës, ku qëndresën shqiptare e udhëhiqte Abaz Kupi. Por kjo qëndresë natyrisht do të mund të arrinte veç kufijtë e simbolikës, ngase përballë 50 mijë ushtarëve italianë, ishin vetëm 300 xhandarë dhe ushtarë të Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare.

“Mbasi Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Hamit Matjani, ishte nga të parët që u ndoq dhe u arrestua nga agjentët e Musolinit, duke u vlerësuar si; “element me rrezikshmëri të lartë“. U gjykua dhe u dënua nga pushtuesi fashist me; “varje në litar“. I ndihmuar nga disa miq të tij, dhe veçanërisht prej Qazim Dervishit nga Lushnja, më 27 shkurt 1940, Hamit Matjani, mbasi sharroi hekurat e dritares së burgut, arratiset edhe me armë në dorë, vazhdon luftën kundër pushtuesit fashist“.( Gazeta “Kosova“ shtator 1995).

Menjëherë pas Italisë fashiste, Hamit Matjani do të ofroj ndihmën e vet në armën e xhandarmërisë shqiptare. Tek ai, patën zënë vend idetë nacionaliste monarkiste dhe shihte me keqardhje se si komunistët bënin ndonjë atentat të turpshëm ndaj shqiptarëve të pasur, vetëm e vetëm pse këta nuk jepnin ndihmë në para. Në ditët e para të shtatorit 1943, atë e thërret në Lushnjë, biri i Kosovës Isa Manastirliu. Ai kërkon bashkëpunimin e Hamit Matjanit, ngase ka mësuar po aq, sa për trimërinë, edhe për sinqeritetin dhe pastërtinë në kryerjen e detyrave. E vërteta është se në Shqipërinë e asaj kohe, menjëherë pas tradhtisë që komunistët i bënë Mukjes, kish filluar një luftë e llahtarshme civile.

Forcat nacionaliste shqiptare, të udhëhequra prej burrave të shquar, si; Mid’hat Frashëri, Fuad Dibra, Hasan Dosti, Kol Tromara etj., u përpoqën me çdo kusht të shmangen nga kjo luftë që merrte jetë vëllezërish. Por kjo nuk ndodhte në kampin e komunistëve shqiptarë, ngase ata e patën shitur veten e tyre dhe krejt Shqipërinë, në duart e internacionalistëve serbo-malazez. Kështu që në vitin 1943, Isa Manastirliu, në detyrën e Qark-komandantit të Lushnjës, pret në qytet një grup nacionalistësh me në krye Mid’hat Frashërin.

Mjaft prej qytetarëve aty, u shprehën se do të ishin mbështetje e fuqishme e organizatës së “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”. Natyrisht, në këtë ngjarje, nuk mund të mos binte në sy, figura e Hamit Matjanit, me anë të një mikut të vet, që njihej si simpatizant i komunistëve, Hamiti hapi fjalë, se Lushnja i përket nacionalistëve, ndaj veprimtaria më e thjeshtë, do t’u kushtonte shtrenjtë komunistëve. Madje ishte po Hamit Matjani, që disa ditë më pas, organizoi një pritë ndaj forcave të Mehmet Shehut e Dushan Mugoshës.

Është tanimë e njohur prej të gjithëve, se terrorizmi ka qenë natyrë e ndyrë e veprimtarisë komuniste, si në vitet 1943-1944 edhe më pas. Kështu, në vjeshtën e vitit 1943, forcat komuniste shqiptare, pasi goditën nacionalistët në qytetin e Lushnjës, drejtuan aksionin e tyre edhe ndaj fshatrave përreth. Pos të tjerave, merren 72 djem e burra të këtyre fshatrave, lidhen me tela me gjemba dhe me urdhër të kriminelit Mehmet Shehu, dërgohen në Matjan, në fshatin e Hamitit, ku merren edhe në pyetje nëse dinin gjë për Hamitin. Më pas, të 72 djemtë, pushkatohen në varrezat e fshatit, ngase ishin shprehur se nuk donin të bashkëpunonin me komunistët.

Gjatë vitit 1944, Hamit Matjani së bashku me Isa Manastirliun, ndërmuarën disa luftime ndaj forcave komuniste. Drejtimi i tyre “me dorë të hekurt“, bëri që në zonat Lushnjë-Fier-Berat, ndikimi i nacionalizmit të ishte i madh. Ajo çka vlen të mos harrohet, është fakti se; Hamit Matjani, bashkëpunonte si me organizatën e “Ballit Kombëtar” ashtu edhe me “Lëvizjen e Legalitetit” të cilën po e gjallëronte së tepërmi, major Abaz Kupi. Ky bashkëpunim i Hamitit, me këto dy grupime nacionaliste shqiptare, shprehte hapur qëndrimin e vendosur të tij, si antikomunist. Tepër i rreptë, trup-bëshëm, me sy që i shkreptinin, biri i Matjanit, do të shihte kurdoherë në krye të aksioneve, në ballë të burrave.

Vjeshta e vitit 1944, do të jetohej në viset shqiptare, përmes trazirave të pafund. Si rrjedhojë e tërheqjes së trupave gjermane (paradoksalisht quhet thyerja e tyre nga nacionalçlirimtarët e Tiranës dhe Beogradit) fitorja e komunistëve ndaj nacionalizmit shqiptar, u arrit lehtë. Tashmë, në ndihmë të komunistëve të Tiranës, vinin instruktorë prej Beogradit dhe udhëzimet e tyre, ishin të prera: Luftë pa kompromis ndaj nacionalistëve!. Ani pse jugosllavët, e quanin veten internacionalistë, ata në fshehtësi ishin dhe mbetën nxënës të verbër të shovinizmit të tyre sllavo-ortodoks. Për Hamit Matjanin, si për dhjetëra nacionalistë të tjerë shqiptarë, tashmë ishte e qartë.

Ata duhej të largoheshin nga atdheu, për t’u bashkuar diku në mërgim, me shpresën e madhe të anglo-amerikanëve, se një ditë do të mund të vinin në Shqipërinë e tyre. Ata kurrsesi nuk do të mund ta kuptonin fatin e atdheut të tyre, në duart e përgjakura të komunistëve. Hamit Matjani, së bashku me eksponentët e tjerë të nacionalizmit shqiptar, do të konstruktonin pas vitit 1944, qëndresën e madhe shqiptare, ndaj sllavo-komunizmit i cili, po montohej për ditë e më shumë. Natyrisht, jeta e tij në kampet e Greqisë dhe Italisë, do të ishte e vështirë. Nëpër këto kampe, nacionalistët shqiptarë, u provokuan prej lloj-lloj njerëzish e idesh. Por askurrë ata, nuk mund të binin në batakun e mjerë për të shitur atdheun.

Ngaqë bindjet e tyre kishin qenë kurdoherë për ta parë Shqipërinë të lirë, demokratike, ngase kishin kërkuar që viset etnike të bashkoheshin në një të vetëm, ata i rezistuan deri në fund, çdo lloj mundimi fizik dhe shpirtëror. Hamit Matjani, në këto kampe, kaloi përmes sakrificave të mëdha. Atij i’u desh të duronte, jo vetëm jetën e mundimshme të përditshme, por edhe dhimbjen që provonte, ndërsa familja dhe të afërmit e tij, burgoseshin e torturoheshin nëpër zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit Shqiptar.

Qëndresa shqiptare, ndërkaq kish filluar të ravijëzohej si në vetëdijen e qytetarëve në shtetin amë, ashtu edhe në planet anglo-amerikane, të cilët e parashihnin rrezikun e madh që do t’u vinte prej komunizmit. Në fillim të vitit 1950, grupime antikomuniste në shtetin amë, patën krijuar organizatën “Bashkimi Kombëtar“. Ndër synimet kryesore të kësaj organizate, ishte propaganda e gjerë në masat popullore, që shqiptarët të mos gënjeheshin prej komunizmit, që ata të bënin rezistencën e të përkrahnin idetë nacionaliste.

Kjo organizatë përfshiu në gjirin e vet mjaft intelektualë shqiptarë, me ç’rast edhe idetë e vendimet e marra konvergonin tek rrëzimi i pushtetit komunist me mjete paqësore. Në një prej thirrjeve që qarkulloi në pjesën më të madhe të shtetit amë, gjatë kësaj kohe është thënë: “Ju qytetarë që nuk kursyet asgjë në luftën e përbashkët, ju që dhatë djemtë më të mirë për çlirimin e Shqipërisë, që luftuat me krenari për një Shqipëri të Lirë dhe Demokratike, u tradhtuat në mënyrën më të poshtër nga partia famëkeqe komuniste, si konsekuencë e ekzistencës së saj në vendin tonë, po vuani si ma keq në mizerjen e urisë.

Bashkohuni si një grusht i vetëm, në ndihmë të “Bashkimit Kombëtar“ e cila në saje të ndihmave dhe udhëzimeve të Komitetit “Shqipëria e Lirë“, ka për qëllim të çliroje vendin nga skllavëria komuniste! Jepni pra të kuptoje, qeverisë tradhtare të Tiranës se populli do liri, do demokracinë e vërtetë, bukën, bollëkun, punën e lirë dhe se nuk gënjehet me fjalime teorike që u ka dalë boja. Jepni pra, me kuptue se ka ardhur dita me kërkue demokracinë e vërtetë, lirinë e fjalës, të shtypit dhe të mbledhjevet“.(Arkivi i Ministrisë së Rendit, Tiranë, fondi “Bashkimi Kombëtar“ fleta 81).

Hamit Matjani, mësohet të ketë mbajtur lidhje të ngushta me këtë organizatë. Guximi i tij i sprovuar, ka bërë që të kontaktojë shpesh me krerë të kësaj organizate nacionaliste, duke u dhënë shpresë dhe udhëzime konkrete se si duhej të vepronin në ilegalitet të plotë. Gjithashtu, burime dokumentare të Oborrit Mbretëror Shqiptar, në mërgim, flasin për lidhje të ngushta të Hamit Matjanit, me Mbretin, Ahmet Zogu.

Dy burrat e Matit, do t’i bashkonte jo vetëm origjina e tyre, por sidomos vendosmëria për të luftuar deri në fund komunizmin. Në hyrje-daljet ilegale të Hamit Matjani, në shtetin amë, pat rënë në sy zgjuarsia e madhe e tij, për t’u shpëtuar grackave të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, kësaj arme famëkeqe, që gjoja në mbrojtje të “Diktaturës së Proletariatit”, ka kryer krime nga më monstruozet.

Edhe pse, Sigurimi Shqiptar, ka qenë mbështetur nga agjentë specialë të KGB-së sovjetike, Hamit Matjani mundi të jetojë me muaj të tërë në Shqipëri, me ç’rast ka bërë për vete mjaft bashkëkombës. Është kjo arsyeja që një libër, që qarkullonte rreth viteve 1949-1950, në krejt organizatat komuniste të Shqipërisë, me titull “Kriminelët e luftës mbrohen nga imperializmi”, ishte përfshirë edhe emri i Hamit Matjanit.

Paradoksi i këtij libri, ka qenë pos të tjerave, në akuzën që u bëhej nacionalistëve të tillë, si: Mid’hat Frashëri, Ahmet Zogu, Ago Agaj, Vasil Andoni, Hamid Matjani etj., thuhej tekstualisht: “Bëjnë pjesë në planin e përgjithshëm luftënxitës dhe të ekspansionit të kampit imperialist antidemokratik, me në krye SHBA-në, që për epshet dhe dëshirat e tyre skllavëruese, duan të përgatisin një luftë të tretë, kundër Bashkimit Sovjetik si edhe demokracive të tjera”. (“Krimet e luftës…”, Tiranë 1948, faqe 25).

Është qesharake që të mendosh për një çast që klika e Tiranës, ajo që pat mbytur çdo liri njerëzore nga më të egrat në Evropë, akuzonte Amerikën, si shtet antidemokratik!. Është i njohur fakti që zbulimi i fshehtë amerikan, i jepte një rëndësi të veçantë fjalëve dhe veprave të nacionalistëve më të shquar shqiptar. Kështu, midis Mbretit Ahmet Zogu dhe disa oficerëve të lartë amerikanë, diskutohet në Washington, mundësia e dërgimit dhe instalimit për disa kohë në Shqipëri, e Hamit Matjani.

Analisti i njohur, Nikolas Bethel, (ish-ushtarak amerikan me mision në Shqipëri në periudhën e luftës, 1943-’44) lidhur me këtë çështje, ndërmjet të tjerash shkruan; “Ata ranë dakord se për këtë gjë, më i përshtatshmi ishte Hamit Matjani, i cili jo vetëm një herë, kish dalë fitimtar ndaj autoriteteve italiane, gjermane e komuniste në Shqipëri”. (Nikolas Bethel “Tradhtia e Madhe”, faqe 181).

Vdekja e diktatorit Stalin, në fillim-marsin e vitit 1953, duket se zgjoi shpresa jo vetëm tek antikomunistët shqiptarë, por kudo. Në shtetin amë, revolta e heshtur bëri punën e vet, por diktatura godiste aq rëndë, sa mijëra banorë të Tiranas, i bënin homazhe Stalinit, duke fshehur zemërimin diku brenda vetes. Një dritë shprese, sigurisht është ndezur edhe në zbulimet anglo-amerikane të cilat, shpejtuan të dërgonin për në Shqipëri, Hamit Matjanin, së bashku me Zenel Shehun, Halil Branicën dhe Haxhi Gjylën. Këta tri të fundit, shërbenin si oficerë në Oborrin Mbretëror dhe ishin ndër figurat më të dashura e besnike, të Mbretit Zog i Parë.

Ndër synimet kryesore të këtij misioni, ishte aktivizimi i antikomunistëve të deklaruar, në shtetin amë, krijimi i bazave të reja të rezistencës, zgjerimi i radhëve të atyre që donin të luftonin pushtetin komunist të klikës së Enver Hoxhës. Ndryshe nga çështë thënë e shkruar deri më sot, prej pseudo-historianëve të Tiranës, Prishtinës, etj., ky mision, nuk pat asnjë plan për terror në masa popullore. Ai sigurisht kërkonte të përmbyste pushtetin e instaluar me tradhti, pushtetin e dhunës diktatoriale komuniste, por, duke nxitur për këtë masat popullore, që vuanin në kurriz e tyre, të zezat e regjimit.

Sigurisht një mbështetje e këtij misioni, mund të ishin pinjollët e familjeve të mëdha, të cilët u dhunuan dhe shkatërruan në mënyrë sistematike, me ç’rast shkatërrohej vetë kombi ynë. Një periudhë përgatitore në vendin e quajtur Haxhiniklis në Greqi, do t’i shërbente Hamit Matjanit, për t’u njohur edhe me nacionalistë të tjerë shqiptarë, të cilët patën vënë jetën e tyre, në shërbim të idealeve antikomuniste. Krejt shoqëror në këto biseda, biri i Matit, do t’u imponohej atyre, jo me emrin dhe famën që pat fituar, se sa me urrejtjen e madhe, që kish për komunizmin.

Kështu në natën e 30 prillit të vitit 1953, një avion ushtarak, duke i’u drejtuar alpeve shqiptare, mbante në bord misionarët shqiptarë antikomunist. Ndërsa fluturonin drejt vendlindjes, ata sigurisht nuk dinin se ishin kthyer në pengje të garës që zbulimet dhe kundër zbulimet amerikane e sovjetike, bënin midis njëri-tjetrit. Kim Filbi, ky agjent i njohur i disa zbulimeve (ndoshta i trefishtë), kësaj radhe duke punuar për KGB-në sovjetike, çonte ata burra shqiptarë, direkt dhe në duar të Sigurimit të Shtetit.

Sapo hidhen me parashuta nga avioni në një fshat të Matit, të tradhtuar, Hamit Matjani, së bashku me Gani Malushin dhe Naun Sulën, nuk mundin dot as të fshehin parashutat. Në fshehtësinë më të madhe, ata u transportuan për në Tiranë, duke u vënë nën kontroll të rreptë të KGB-së sovjetike. Është i njohur gjithashtu fakti se, në krye të këtij super aksioni, si ta quajmë të KGB-ës në Shqipëri, ishte vendosur vetë krimineli, gjeneral-major Kadri Hazbiu, ministër i Punëve të Brendshme i asaj kohe.

E vërteta (ashtu siç ka dalë dhe në gjyq), është se; pothuaj një vit më parë, me anë të Kim Filbit, KGB-ja drejtonte në pjesën më të madhe, agjenturën në Shqipëri. Ishte ky agjent, i cili jo njëherë pat kryer edhe atentate ndaj figurave nacionaliste shqiptare në mërgim. Hamit Matjani, në fillim iu propozua që të vazhdonte “lojën” duke deklaruar Zbulimit Amerikan se po vazhdonte detyrën. Por ai e kuptoi se kjo do të ishte një humbje e thellë, jo vetëm për dhjetëra nacionalistë që mund të vriteshin, por për krejt qëndresën shqiptare antikomuniste. Hamit Matjani, kurrsesi nuk mund t’i këmbente 44 vitet e jetës së tij, me çmimin e ndyrë të tradhtisë që po i propozohej.

Më tej, kur të gjitha manovrat e Sigurimit të Shtetit dhe këshilltarëve të tyre të KGB-së, për të mposhtur nacionalistin trim, Hamit Matjanin, dështuan, mbi te u përdorën krejt arsenalet e torturave për të treguar gjithashtu çfarë dinte. Por edhe kësaj radhe, ai diti të fitonte me stoicizmin dhe heshtjen e vet. Mesa dukej, tek personaliteti i Hamit Matjanit, kish ndalur përgjithmonë akrepi i shpresave të KGB-ës. Sigurisht kanë qenë ekspertë të saj, që u sugjeruan komunistëve të Tiranës, daljen në gjyqe të mëdha popullore, të këtyre: “Kriminelëve, që donin rrëzimin e pushtetit popullor komunist“.

Vasal të bindur të bolshevikëve rus, internacionalistët e Tiranës, nuk munguan të bëjnë gjyqe të tilla “të fuqishme“, për të terrorizuar edhe më shumë popullin shqiptar. Nuk mund të jepte “sihariqin” e madh se; banda e Hamit Matjanit, është kapur dhe do t’i jepet gjyqit. Procesi gjyqësor është mbajtur në prillin e vitit 1954. Edhe ai u kthye në farsë, për t’i shërbyer farsës groteske të legjislativit të Tiranës.

“Për një javë të tërë komuniteti shqiptar në mërgim, në Romë, Athinë, Mynih dhe Aleksandria, dëgjonte me tmerr se si radio Tirana, informonte botën me aktivitetin ushtarak dhe politik të tyre…! Më 12 prill, Mbreti Zog dhe familja e tij, ishin ulur rreth radios në vilën e tyre në Aleksandri dhe dëgjonin se si gjyqtari në Tiranë, shpalli se të akuzuarit provohen se janë fajtorë dhe dha vendimin: Shehu, Brainica, Sula dhe Malushi, u dënuan me pushkatim. Hamid Matjani, me varje sipas frazës së frikshme të gjyqtarit ‘ta vuaj vdekjen në litar“. (N. Bethel, “Tradhëtia e Madhe”, faqe 196-197).

Ndërsa salla e gjyqit e mbushur me komunistë, mjeranë, servil, dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit, e duartrokisnin këtë vendim, ndaj “armikut” Hamit Matjanit, të tjerë, ata që e patën njohur në trimëritë dhe bujarinë e tij, natyrisht trishtuan. Vetë biri i Matit, nuk dinte se ndërsa ecte drejt litarit mbytës komunist, qindra kilometra larg, në Lushnjë, Fier, Vlorë, Burrel, Strugë, Gostivar, Pejë, Prishtinë, Romë, Bruksel, Paris, Nju Jork, Sidnej e gjetiu, ku shtriheshin nacionalistët, kish nisur të këndohej nën zë, një këngë që fillonte me vargjet:

“Gjëmon vendi anembanë

   Kush e mban Hamid Matjanë”?

Nacionalist i përbetuar, monarkist i vendosur, besë-fort dhe trim i pashoq, Hamit Matjani ngelet i nderuar, jo vetëm në faqet e historisë së ndershme shqiptare ,në përpjekjet antikomuniste, por edhe në shpirtin e çdo nacionalisti, si shembull sakrifice, duke qenë besnik i Kombit dhe Atdheut. Nga Eugen SHEHU  /Memorie.al/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ilir velja: 29/07/2023 21:53

    Tregimi ka disa pasaktesi.Psh sipas djalit te Hamitit ai ka qene ne Vlore kur u be rezistenca antifashiste.Eshte e pranuar edhe nga nacionalistet se Hamit Matjani pranoi bashkepunimin kur u arrestua me shume gjasa pa e torturuar fare.Ne torture nuk ka njeri ne bote te rezistoje.Eshte e pamundur.Dorezohet edhe femija ne torture.Komunistet jane mburrur me Manush Alimanin por nuk eshte e vertete.Keto jane thjesht propaganda.Antikomunistet glorifikojne figura si Hamit Matjani kurse komunistet Asim Alikon qe nuk beri gje tjeter vecse lojen e Kim Filbit.Tendencat per ta mitizuar nje figure te caktuar vetem per tja vene kunder kundershtarit politik, cojne ne deformime te te vertetes.Pranohet qe ishte njeri i guximshem qe kalonte kufirin dhe eshte perplasur me repartet e mbrojtjes por jo se ishte ndonje nacionalist i thekur, por thjesht antikomunist.Eshte perdorur dhe genjyer nga Zogu dhe amerikanet dhe eshte cuar si shume te tjere si mish per top.Zenel Shehut e Hamit Matjanit i eshte premtuar mbroje por jane tradhetuar se pari nga njerezit e vet vetem e vetem se amerikanet shpresonin se Shqiperia si me i dobeti vend komunist mund te permbysej me diversante, por informacionet ishin te gabuara.Ne asnje vend tjeter te bllokut sovjetik nuk ishin ndermarre aventura te tilla, sepse dihet qe do deshtonin pa filluar akoma.Nga ana tjeter as komunistet nuk ishin patriote por synonin me cdo kusht te ruanin pushtetin.Pra qe nga Lufta II Boterore me shume ka pasur forma te luftes civile sesa lufte ndaj gjermaneve, sepse ishte e pamundur.Kjo gje ndodhte edhe ne Greqi, Jugosllavi etj madje edhe me e ashper.Si perfundim them se shkrimi eshte tendencioz dhe ka qellime politike duke u bazuar ne te paverteta qe edhe djali i Hamit Matjanit nuk i ka kaq te ekzagjeruara ne intervistat qe ka dhene.

    Përgjigju
  • Grupi: 22/07/2023 13:07

    Ne arkiva shkruhet qarte qe Hamir Matjani ishte miu i fundit qe ra ne gracken e radio lojes dhe nuk ju kerkua kurre bashkepunim. Perkundrazi ai pati dy kerkesa si ordiner qe ishte. Hapni arkivat dhe shikoni sesi ky palo ballisto zogist i ndyre kolaboracionist vrau tre vete ne peqin vetem se ishin familjare partizanesh. E gjithe bota e qyteteruar dhe demokratike i denoi dhe i pushkatoi kolaboracionistet. Nuk behet historia me genjeshtra dhe duke shpikur heronj te paqene dhe maskarenj. " Trimin " Hamit Matjani e kapi grupi i heroit te vertete Asim Aliko. E kapen si nje lepur.

    Përgjigju
  • Shehu Eugen.: 22/07/2023 11:48

    Sa vjeçë je more gjindie?Sa të kanë paguar more i pa nderë,se vetëm shqiptar nuk mund të jesh.Gjejë nd onj kopshë zoologgjik për të rëfyer këto pisllëqe.Shqipëria nuk e shkruan historinë e sajnga mbeturinat e bashkëppuntorëve të nazifashizmite pjellave të tyre.Z,Karlo nëItalin tënde a e glorifikoni kështu Duçen?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës