KURBIN - Një 27-vjeçar ka gjetur vdekjen në një aksident rrugor të ndodhur pasditen e së martën në superstradën Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimit të Markatomajve. Parakalimi i gabuar i një autoboti me bitum me targa të Fierit 0774 A që drejtohej nga Shaban Veizi 48 vjeç nga Lushnja ka shkaktuar përplasjen me një autoveturë tip Mercedes me targa të Mirditës 1995 A që drejtohej nga Albert Gjetja 27 vjeç nga Mirdita.

Për pasojë mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i Mercedezit 27-vjeçari Albert Gjetja, i cili nuk mundi t’i rezistojë plagëve të marra dhe ka gjetur vdekjen rrugës për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Ekspertë të policisë rrugore të mbërritur në vendngjarje kanë bërë të ditur se shkak për këtë aksident është bërë parakalimi i gabuar i autobotit, i cili më pas u përplas ballë përballë me autoveturën. Drejtuesi i autobotit është ndaluar nga policia në kuadër të hetimeve dhe zbardhjes së plotë të aksidentit.

makine polici aksident

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)