Rreth 68 persona, mes tyre 5 fëmijë dhe 63 të rritur, janë paraqitur gjatë tre ditëve të fundit në Spitalin Rajonal të Vlorës me simptoma të diarresë dhe të vjellave. Dyshimet e qytetarëve janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra analizash si nga uji, ashtu edhe nga ushqimet.

Mirëpo sipas shefit të epidemiologjisë Agron Bashlari, analizat në 22 pikat e rrjetit të ujësjellësit kanë rezultuar brenda paramterave për ujin e pijshëm.

Bashlari thekson se aktualisht nuk mund të flitet për një situatë epidemike të shkaktuar nga uji apo ushqimi, duke iu referuar numrit të rasteve në raport me periudhat e mëparshme.

Një nga zonat ku është përqendruar vëmendja është edhe ajo pranë kopshtit, nga ku kanë ardhur ankesat për problemet shëndetësore. Bashlari nuk përjashton mundësinë që situata të jetë shkaktuar nga ndonjë defekt apo ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit, apo edhe depozitat private qw mund të ketë sjellë kontaminim të lokalizuar të ujit.

Shefi i epidemiologjisë iu bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes në depozitat private të ujit dhe të kryejnë pastrimin e tyre periodik.