Kurs 10-ditor për punonjësit e
burgjeve, bëhen trajnerë për stafin

Kurs 10-ditor për punonjësit e<br />burgjeve, bëhen trajnerë për stafin
TIRANE - Punonjës të sektorëve të veçantë të burgjeve do të kenë mundësinë të përmirësojnë profesionalizmin e tyre në lidhje me aspektin social, ligjor, shëndetësor e të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit përmes një trajnimi të veçantë 10 ditor. Kursi për trajnimin e tyre u çel sot në prezencë të Drejtorit të Përgjithshëm i  Burgjeve, Artur Zoto, Drejtorit të Policisë së Shtetit, Artan Didi, Zëvendëskryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton dhe Menaxherit të Programeve pranë ICITAP, Steve Bennet.

Në këtë "test" do të përfshihen punonjës, të cilët pas kursit do të vazhdojnë të trajnojnë stafin brenda sistemit të burgjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Zoto, u shpreh në fjalën e hapjes së aktivitetit se është e rëndësishme që përmes zhvillimit të kapaciteteve të burgjeve të mundësohet një riintegrim më i shpejtë për personat në konflikt me ligjin.

“Një kurs i tillë bëhet për herë të parë në Shqipëri, prandaj për ne është shumë i rëndësishëm. Është një nismë mjaft e mirë dhe një trajnim profesional për ata, që nesër do të jenë në krye të stafeve të burgjeve për të vazhduar trajnimet brenda sistemit. Është një kurs i vështirë 10- ditor, sfidues për nga materialet e trajtuara, i cili është hartuar me programet më bashkëkohore. Falenderoj ICITAP që ka mundësuar praninë e ekspertëve më të mirë për të trajnuar stafin e burgjeve, si dhe aktorët e tjerë që e mbështesin këtë aktivitet.”- theksoi ndër të tjera Zoto.

trajnimi per burgjet didi zoto

Kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, në fjalën e tij theksoi faktin, se po hidhet një hap drejt konsolidimit të këtij misioni të rritjes së profesionalizmit në sistemin e drejtësisë.

“Akademia e Policisë ka një ekspertizë në nivelin e mësimdhënies, që bazohet tek përvoja e transmetuar në breza dhe në aspektin metodologjik e profesional. Përshëndes nismën e sotme për këtë trajnim të profilizuar dhe uroj që puna e mirë të vijojë edhe më tej.”- u shpreh ndër të tjera Didi.

I pranishëm në panel ishte edhe z. Robert Wilton, i cili foli në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si partner në këtë projekt ambicioz.

“Ky trajnim është shembull i partneritetit të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri. Nelson Mandela thoshte se “Askush nuk e njeh një komb, derisa hyn në burgjet e tij”. Në këtë kuptim, gjithkush i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet. Mbrojtja e personave të privuar nga liria në burgje është përmirësuar ndjeshëm dhe OSBE ka dhënë mbështetjen e saj përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe në përmirësimin e kuadrit legjslativ. Kemi si qëllim profesionalizmin e stafit në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë, gjë që sjell një zhvillim të qëndrueshëm kombëtar. Duhet ndërtuar një sistem që promovon mbrojtjen sociale, për trajtimin e grupeve specifike të të dënuarve vulnerabël, siç janë të të miturit, gratë dhe personat me probleme të shëndetit mendor”- theksoi Wilton.

Ndërsa z. Steve Bennet nga ICITAP ndau me audiencën eksperiencën e tij në sistemin e sigurisë në SHBA, duke evokuar rëndësinë e profesionalizmit të stafeve të burgjeve në kontekstin e sistemit të drejtësisë.

Për një drejtësi efektive duhen mbajtur parasysh tre elementë të rëndësishëm: policia, burgjet dhe gjykatat. Kam vënë re se burgjet janë një hallkë e neglizhuar. Jo se ata nuk ju kuptojnë, por nuk ju shohin. Nuk shohin punën tuaj të përditshme, e cila nuk është e dukshme për vetë natyrën e saj. Për këtë arsye, unë e përgëzoj nismën dhe ju uroj suksese në trajnimin e sotëm, që është mjaft profesional.”- theksoi Bennet.

Ky trajnim zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me ICITAP dhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ndërsa do të vijojë deri në datën 19 dhjetor 2014, kur do të zhvillohet edhe një ceremoni diplomimi për pjesëmarrësit.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?