Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë raportimit sot në Komisionin e Ekonomisë theksoi se superleku është pasojë e rritjes së eksporteve dhe turizmit, dhe përsa kohë rritja ekonomike do të vijojë, leku do të forcojë pozitat ndaj euros.
"Nëse Shqipëria do të ketë një ecuri të mirë me një rritje 4%, investimet do të vijojnë e programet do të jenë pozitive, leku do të mbiçmohet"
Për guvernatorin kemi të bëjmë me një realitet të ri të kursit të këmbimit dhe se BSh 'nuk mbron dot sektorë të caktuar të ekonomisë ndaj kursit të këmbimit"
i pyetur për qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar Sejko tha, se ka një presion të madh eurosh nga kanalet informale por se kjo e dhënë nuk matet nga BSH.
“Ne nuk i komunikojmë dot. Vjet kemi blerë 260 milionë euro dhe këtë vit nga 260 që kishim parashikuar kemi blerë 330 mln euro. Nuk mund të them nëse kemi ndërhyrë, sepse kjo ndikon në spekulime në treg. Komunikimi quhet ndërhyrje. Pas 3 muajsh do të dalin të dhënat dhe ju do ta shihni se a kemi ndërhyrë, por sidoqoftë kursi është stabël. Është një realitet i ri i kursit të këmbimit.
Kemi një normalitet, kemi një kurs të ri këmbimi, ka një presion të madh eurosh. Ofertë e shtuar eurosh nga kanalet informale s'e masim dot por sigurisht që ekzistojnë, por vetëm në kanalet formale që ne i masim shifrat janë me miliarda. Ne masim euron që qarkullon në sistemin bankar financiar dhe zyrat e këmbimit valutor, për ato që janë jashtë tregut, pra eurot informale që mund të vijnë nga aktivitete kriminale, informale apo korruptive është e pamundur për tu mbajtur nga BSH ”, tha ai.
Sejko bëri me dije se forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor ka ardhur si pasojë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën. dhe se forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit.
“Gjatë vitit 2022 ne kryem pesë rritje të normës të interesit, për një efekt kumulativ prej 2.25 pikësh përqindjeje, gjatë vitit 2023 ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje. Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme”, deklaroi Sejko.
Lajmi kryesor: