Kurt Kola: Krerët e Ballit e Legalitetit
në Varrezat e Dëshmorëve 

Kurt Kola: Krerët e Ballit e Legalitetit<br />në Varrezat e Dëshmorëve 
Në kulmin e polemikave mes Presidentit Bujar Nishani, veteranëve, ballistëve, legalistëve dhe përfaqësuesve të komunistëve, ka ardhur një propozim për pajtim, por me një kusht provokativ.

Kurt Kola, kreu i Partisë Rruga e Lirisë, simbol i vuajtjeve që shkaktoi regjimi komunist, ka theksuar se nacionalistët në radhët ballistëve dhe zogistëve duhet të prehen në Varrezat e Dëshmorëve, me argumentin se si partizanët, ashtu edhe nacionalistët, luftuan për çlirimin e vendit.

Kola thotë për Shqiptarja.com se propozimin ia ka bërë kryeministrit Rama, por nuk ka marrë përgjigje prej tij. Konkretisht, Kola propozon që Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi dhe shumë udhëheqës të Ballit dhe Legalitetit duhet të prehet në Varrezat e Dëshmorëve. “Veç dekorimit të tyre, një parcelë tek Varret e Dëshmorëve të Kombit, është një parcelë bosh, të cilën e kanë ruajtur komunistët për heronjtë e punës socialiste, në atë parcelë të bëhet një varrezë tjetër, për të gjithë të vlerësuarit si patriotë të vrarë nga komunistët.

Pra, ne propozojmë që të krijohen dy varreza fqinje, ku shqiptarët të shkojnë në mënyrë të bashkuar, për të vënë buqeta me lule në të dyja. Pra, pranë Varrezave të Dëshmorëve, të ndërtohet një varrezë për nacionalistët e vrarë nga komunistët. Jo të gjithë, por vetëm nacionalistët që kanë dhënë kontribut.

Të vlerësohen nga një komision i posaçëm. Bëhet fjalë për përfaqësuesit e Ballit dhe Legalitetit, dy partitë tradicionale, të cilat u sulmuan egërsisht nga komunistët. Pranë Varrezave të Dëshmorëve duhet të prehen Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi dhe shumë udhëheqës të Ballit dhe Legalitetit.

Dhe kështu duhet të ketë edhe një pajtim mes shqiptarëve. Jam kam bërë këtë propozim kryeministrit Edi Rama, por ai vetëm heshti”, tha Kola. 

Dekoratat
Kreu i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, pjesë e koalicionin qeverisës, ka komentuar edhe debatin për dekorimin e 67 ballistëve. “Dekorimi i viktimave të komunizmit dhe i personave që dhanë jetën për atdheun është bërë në mënyrë sporadike, pra jo në mënyrë të organizuar, me komision, me ligj parlamenti etj.

Është bërë sipas presidentëve. Duhet të ngrihet një komision, ku të mos ketë historianë të regjimit komunist, sepse ata janë të indoktrinuar, por të krijohet një komision serioz, mundësisht të ketë edhe përfaqësues nga Parlamenti Evropian. Ky komision të dënojë regjimin komunist, siç e kanë dënuar vendet ish-komuniste. Ky komision të bëjë edhe vlerësimin.

Nuk do të dekorohen të gjithë ata që janë vrarë nga komunizmi. Por, duhet të dekorohen dhe vlerësohen ata që kanë dhënë kontribut, jo vetëm gjatë periudhës së pushtimit dhe sundimit komunist, por edhe para së të niste Lufta e Dytë Botërore”, ka pohuar Kola.

Gjykata speciale
Kurt Kola pohoi se pas rënies së regjimit komunist duhet të ishte ngritur një gjykatë speciale, që të dënonte diktatorin Enver Hoxha për gjenocid mbi shqiptarët, duke i hequr titujt dhe dekoratat. “Në momentin që u vendos në Shqipëri rendi demokratik pas diktaturës, gjëja e parë që duhet të bëhej, duhej të ngrihej një gjykatë speciale, të dënonte diktatorin Enver Hoxha për gjenocid mbi shqiptarët, t’i hiqte titujt dhe dekoratat, të dënonte regjimin terrorist komunist, dhe pas këtij gjyqi, Shqipëria mund të ecte drejt një demokracie Perëndimore. Kjo nuk u bë. Duke mos u bërë kjo, u përpoqën të ndërtojnë kapitalizmin me mendësinë socialiste. Nga kjo politikë, tranzicioni zgjati sa gjysma e diktaturës, duke krijuar një plagë të madhe. Ende nuk kemi forcuar demokracinë siç e kërkon Bashkimi Evropian”, tha Kola.
 
 
Propozimi
“Pranë Varrezave të Dëshmorëve duhet të prehen Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi dhe shumë udhëheqës të Ballit dhe Legalitetit. Dhe kështu duhet të ketë edhe një pajtim mes shqiptarëve”.
 
Dekorimi
“Dekorimi i viktimave të komunizmit dhe i personave që dhanë jetën për atdheun është bërë në mënyrë sporadike, pra jo në mënyrë të organizuar, me komision, me ligj parlament etj”.
 
 
Propozimi i legalistëve
 
Legalistët kanë një qasje dhe mendim ndryshe sa i takon çështjes së dekoratave. Reagimi i legalistëve vjen në kuadër të polemikave për dekorimin e 67 ballistëve nga kreu i shtetit, në Divjakë të Lushnjes.

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, tha dy ditë më parë, për Shqiptaren.com se më shumë se sa dekoratat, ka rëndësi rishikimi i historisë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. “Rivlerësimi i historisë për periudhën e LDB dhe pas saj ka më shumë rendësi se dekorimi i viktimave. Partizanët dhe pushtetarët komunistë, i kanë pranuar vetë krimet e tyre dhe nuk ka njeri me mend që mund t’i mohojë sot këto fakte. Tashmë dihet botnisht se në vendin tonë është kryer një genocid i vërtetë ndaj të gjitha shtresave që rrezikonin kapjen dhe mbajtjen e pushtetit nga komunistët. Dihet gjithashtu se menjëherë pas Mukjes komunistët filluan asgjësimin sistematik të të gjithë elementëve nacionalistë, për të siguruar pushtetin absolut pas luftës dhe kryen po ashtu krime masive për të terrorizuar, tmerruar dhe nënshtruar shqiptarët”, pohon Gjana.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social