Deputetë të PDK-së, asamblistë, drejtorë dhe aktivistë të këtij subjekti në Prishtinë, së bashku me deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, protestuan edhe sot para ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, duke kërkuar që kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrat të lirojnë godinën, duke i cilësuar ata "uzurpatorë".

Pjesëmarrësit në protestë i bënë thirrje Kurtit që të mos e shkelë Kushtetutën, por të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, deklaroi se Kurti dhe ministrat e tij janë "uzurpatorë" dhe kërkoi që të kthehen në Kuvend për t'i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja. Sipas saj, vendi po përballet me stagnim dhe pasojat po ndihen nga qytetarët.

"Jemi këtu për të përsëritur edhe një herë kërkesën tonë për kthim të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Pra, ne po i themi sot troç, Albin Kurtit dy gjëra. E para që ai dhe ministrat e tij, të cilët janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. Dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend e t'i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit" tha ajo. 

Në protestë foli edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, i cili e cilësoi Kurtin "shkelës recidivist të Kushtetutës" dhe e akuzoi se ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.

PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht dhe u ndërpre për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Kriza institucionale u krijua pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të mbajtura pasi partitë nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

LVV-ja fitoi 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.