Kurti diskuton me ambasadorët e QUINT-it në OSBE për dialogun Kosovë-Serbi

Kurti diskuton me ambasadorët e QUINT-it në OSBE për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi përfaqësuesit e përhershëm të shteteve të QUINT-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim përfaqësuesit e përhershëm të shteteve të QUINT-it në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ku u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës së 7 shkurtit, thuhet se në takim u diskutua edhe për propozimin evropian, të cilin Kurti tha dje se e ka pranuar “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për pranimin në parim të këtij propozimi, teksa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se “marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”.

Në takim thuhet se u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së, "dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës".

Ambasadorët e QUINT-it në OSBE janë: Michael Carpenter, përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së, Christine Fages e Francës, Gesa Braeutigam e Gjermanisë, Stefano Baldi i Italisë dhe Neil Bush, përfaqësuesi i përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Më herët gjatë ditës, kryeministri ka takuar veçmas përfaqësuesin e përhershëm të SHBA-së dhe ambasadorin amerikan, ku ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi. Kurti ka theksuar se Prishtina është e “angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.

Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën