Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për gjermanen WELT, ka bërë thirrje për shtim të trupave ushtarake gjermane por edhe të NATO-s në Kosovë. Si argument, Kurti jep tensionet në rritje si dhe praninë e 48 bazave serbe përreth Kosovës.
“E kemi rritur buxhetin e mbrojtjes për 52 për qind, forcat tona të sigurisë kombëtare tani janë 5000 ushtarë dhe 3000 rezervistë. Por rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe. Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake, ata ndërmorën gjithsej 104 manovra dhe aktivitete së bashku në vitin 2021 – disa nga forcat e armatosura bjelloruse ishin gjithashtu të përfshira. Për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, është urgjentisht e nevojshme të rritet ndjeshëm numri i ushtarëve të NATO-s në Kosovë”.
I pyetur lidhur me reciprocitetin me Serbinë, Kurti tha se Targat serbe në veturat e qytetarëve të Kosovës në të ardhmen duhet të zëvendësohen me targa të Kosovës. Ndërkaq, ai garantoi se nëse Serbia heq dorë nga kontrollet kufitare, të njëjtën gjë do të bëjë edhe Kosova.
“Ne kemi lëshuar 2679 dokumente udhëtimi atë ditë pa hasur asnjë problem. Dokumentet janë lëshuar në mënyrë digjitale, është bërë brenda 20 sekondave dhe serbëve nuk u kushton asgjë. Ka pasur raportime se Kurti ka dashur t'ua marrë pasaportat serbëve. Kjo është absurditet i plotë. Ne nuk mbledhim pasaporta, kërkojmë vetëm një dokument shtesë”.
Pavarësisht spekulimeve në media, Kurti tha se rregulloret e reja për targat do të jenë të detyrueshme dhe do të zbatohen për një kohë të pacaktuar duke nisur nga 1 shtatori.