Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i quajti gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.
Në deklaratën që dha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi u fol për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.
"Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe. Katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë - Beograd", tha Kurti.
Kurti tha se arsyeja pse po prononcohet tani e nuk është prononcuar menjëherë pas takimit më 18 gusht, ka qenë një dakordim i brendshëm për “mosacarim” të situatës.
“Jo të gjithë i janë përmbajtur këtij deklarimi”, tha Kurti.
Mirosllav Lajçak, si dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Escobar, kanë planifikuar takime me liderë politikë në Kosovë dhe Serbi më 23, 24 dhe 25 gusht. Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpara 1 shtatorit.
Në këtë datë parashihet të fillojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës - dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë. Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar në selinë e Bashkimit Evropian, por nuk kanë arritur marrëveshje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për automjetet brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Në takimin për prononcim lidhur me takimin e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel, Kurti u shpreh se pala serbe, "panevojshëm dhe krejt artificialisht" është duke përshkallëzuar si retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë.
Kurti tha se qytetarët, të cilët i mbështesin “vendimet legjitime të Republikës së Kosovës, po kërcënohen vazhdimisht”.
“Si e tillë, kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë, si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsinë në negociata, duke kërcënuar Bashkimin Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar, me tensione në të ardhmen”, theksoi ai.