Kurti në Paris:Projekti i ndarjes apo shkëmbimit të territoreve ka dështuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se projekti i ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ka pranuar se ideja nuk ka vdekur ende. Gjatë diskutimit me temën "Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt” në Forumin e Paqes në Paris, ka thënë se ashtu siç Moska nuk është e lumtur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, po ashtu edhe Beogradi nuk ka qenë aq i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë, ndonëse në fakt vet e ka shkaktuar një gjë të tillë.

Kosova përballet me kërcënime për sigurinë nga jashtë, veçanërisht Serbia, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris.

“Ashtu si Moska është e palumtur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, edhe Beogradi nuk është i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë që vetë e shkaktoi. Jetojmë në kohë kur ky projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe e shoh këtë Shpesh kur dëgjoj presidentin serb të flasë publikisht. Njerëzit që kanë ëndërruar për shkëmbime kufijsh është e vështirë për ta hequr dorë nga nostalgjia dhe të marrin pjesë në zgjidhje demokratike dhe evropiane... pavarësisht dështimit të projektit, ideja është aty, por pa asnjë mundësi që të vihet në jetë. Sa më shpejt të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de jure dhe de facto do jetë më mirë për të gjithë”, tha Kurti.

Ai ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve pati gjetur mbështetje në Kosovë.

“Ky projekt i shkëmbimit të territoreve kishte homolog edhe në Kosovë, nga pararendës të mi, sepse atëherë shihej si zgjidhje më e shpejt mes liderësh autoritarë që mund të flasin për popujt si familje të tyre dhe që mund të diskutojnë si territore të shtetit sikur të jenë pronë private. Por kjo kishte një lloj shije feudaliste, monarkike, mbretërore që nuk ekziston më. Përsëri, mund ta pranoj, pavarësisht dështimit të projektit, ideja është aty, por pa asnjë mundësi që të vihet në jetë. Sa më shpejt të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de jure dhe de facto do jetë më mirë për të gjithë”

Kurti ka përmendur sulmin në Banjskë duke theksuar se ka qenë pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë.

“Nuk ka vetëm kërcënime të brendshme për sigurinë, por ka edhe kërcënime të jashtme për sigurinë dhe kjo ka të bëjë me kohën gjeopolitike përmes së cilës po kalojmë e në anën tjetër ka të bëjë me fqinjin tonë verior që nuk e njeh vendin tonë. Më pak se dy muaj më parë kemi pasur këtë sulm nga një grup paramilitar terrorist nga Serbia në veri të vendit tonë. Ata kanë vrarë një polic të Kosovës dhe kanë dashur të shkaktojnë përshkallëzim të përmasave të mëdha që të mund të krijojnë kaos në tërësi si pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë”, ka thënë ai.

Lajmi ne perditesim...

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë