Kurti: Nëse qeveris,referendum
projekt bashkimi me Shqipërinë
Ekskluzive/Intervista për Shqiptarja.com

TIRANE-Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqiptarja.com” Albin Kurti ka folur rreth situatës në Kosovë pas zgjedhjeve dhe për suksesin që Lëvizja Vetëvendosja ka arritur.

Kurti ka theksuar se Vetëvendosja si forcë e parë që ka dalë në këto zgjedhje ka të drejtën dhe mundësinë reale për të krijuar qeverinë në Kosovë. Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Vetëvendosja e ka që nga krijimi i saj si një nga qëllimet madhore të saj.

I pyetur se nëse do të bëhet kryeministër i Kosovës a do të kërkojë bashkimin me Shqipërinë, Kurti nuk i është shmangur idealeve të tij duke theksuar se do t’i japë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur me referendum për të gjitha çështjet madheore, përfshirë edhe bashkimin me Shqipërinë.
 
Përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri Kurti nuk ka dashur që të shprehë preference duke deklaruar se: “Cilado që të jetë qeveria e ardhshme e Shqipërisë, ne do të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të. Raportet me të gjithë drejtuesit e partive politike kryesore i kemi shumë të mira. Sigurisht, ne jemi një forcë me orientim të majtë, socialdemokrat, megjithatë nuk na takon të përzihemi në fushatën zgjedhore për t’i treguar votuesit të Shqipërisë se cilën parti të zgjedhin. Jam i bindur se edhe në Shqipëri masa më e madhe e votuesve do të votojnë me idealizëm, për forcim e përparim të shqiptarëve në Ballkan, për zhvillim ekonomik që sjell punësim si edhe për drejtësi në shoqëri e në institucione”
 
INTERVISTA 

Çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve për ju?
 
Zgjedhjet dëshmuan se populli i Kosovës ka votuar masivisht ndryshimin. Subjekti që është rritur më së shumti në këto zgjedhje është Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV), e cila ka dyfishuar numrin e votave të saj, po ashtu edhe atë të deputetëve, duke kaluar kështu prej subjektit të tretë që ishte më përpara, në subjektin e parë, më të madh në Kuvendin e Kosovës. LV u rrit pa pasur nevojë për koalicione, madje pikërisht pse nuk hyri në koalicione parazgjedhore. Konsistenca jonë në qëndrimet tona, mosndryshimi ynë përkundër gjithë presioneve që na janë bërë, por edhe koherenca politike e programit tonë qeverisës të shprehur në 40 masa konkrete gjatë kësaj fushate, janë shpërblyer me besimin në rritje tek një numër i madh votuesish. Nga ana tjetër, partitë e vjetra janë ndëshkuar, e më së shumti është ndëshkuar PDK, e cila prej subjektit të parë që ishte dikur, tashmë është bërë subjekt i tretë.
 
Mesazhi që morëm nga votuesi është i qartë, shteti i Kosovës duhet të lirohet prej duarve të oligarkëve e të ”Klanit Pronto”, politika e Kosovës nuk duhet të vazhdojë të mbetet peng i bisedimeve dhe negociatave me Beogradin, i cili edhe nuk ballafaqohet me të kaluarën e vet edhe nuk na njeh. Duhet urgjentisht të hetohen privatizimet e dyshuara për korrupsion, si edhe pasurimi i dyshimtë i disa personave të lidhur me politikanë të fuqishëm. E në të njëjtën kohë, duhet të nisë aplikimi i politikave të shtetit zhvillimor, për rimëkëmbje të industrisë, nxitje të eksporteve, mbështetje të bizneseve të vogla e të mesme e të bujqësisë, e kështu me radhë. Pa harruar politikat sociale. Të gjitha këto janë në planin tonë qeverisës, dhe shumë shpejt do t´ia fillojmë punës për t’i realizuar.
  
A do të tentoni të formoni qeverinë e re në rast se PAN nuk arrin të formojë qeverinë?
 
Populli ka folur, dhe subjekti më i madh në Kosovë është Lëvizja VETËVENDOSJE!. PAN (PDK me AAK dhe Nisma) nuk i ka numrat, kështu që të vetmen shpresë e ka në ”trafikimin” e deputetëve prej koalicionit LAA (LDK me AKR, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi), si dhe tek mbështetja prej Listës Serbe të kontrolluar drejtpërdrejt nga Beogradi. Për Kosovën ky është një film i vjetër, që e kemi parë e që ia dimë fundin e hidhur. Prandaj nuk do të na duhet një qeveri e tillë, dhe unë jam i bindur se nuk do të ketë qeveri të tillë. Populli do ndryshime. Nuk mund të ketë qeveri të re nga regjimi i vjetër e apo nga formulat e vjetra. LV tashmë ka nisur punën, e ka krijuar një ekip negociues për krijimin e qeverisë, dhe po kontaktojmë me forcat e tjera politike që kësaj radhe ta lëmë PDK në opozitë. Ne i kemi 31 deputetë, e PDK me sa duket i ka vetëm 21 deputetë. Si fitues të këtyre zgjedhjeve, e kemi sigurisht të drejtën të bëjmë qeveri.
 
Në rast se do të mandatoheni ju të formoni qeverinë e re, me cilën forcë politike do të negocioni?
 
Tashmë i kemi bërë ftesë për partneritet në qeverisje koalicionit të mbledhur rreth LDK-së. Po ashtu, kemi kontakte edhe me deputetë nga koalicioni PAN, të cilët mund të dalin nga ai koalicion për arsye qëndrimesh vetjake, por edhe për arsye se ai koalicion nuk i ka numrat për qeverisje.
 
A keni patur kontakte me faktorin ndërkombëtar dhe a keni marrë urime prej tyre?
 
Po kontakte kemi rregullisht, me gjithë stafin ndërkombëtar dhe trupën diplomatike të vendosur në Prishtinë. Jam takuar me ambasadorët e ShBA-ve, BE-së, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Norvegjisë. Urimet në të tilla raste janë protokollare. Urimet e vërteta do të vijnë kur ta krijojmë qeverinë.
 
Në rast se do drejtoni qeverinë e Kosovës çfarë qasje do të keni për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi?
 
Dialogu me Serbinë ka qenë një farsë, e cila është ndalur prej kohësh tashmë, edhe pa qenë ne në qeverisje, sepse nuk mund të vazhdonte më në atë mënyrë. Atë dialog të ndalur nuk duam ta rifillojmë. Duhet shqyrtuar e vlerësuar dialogu i viteve 2011 – 2017 i cili nuk pati transparencë përgjatë procesit e as llogaridhënie nga aktorët. Dialogu ishte asimetrik ku Kosova ishte më shumë temë sesa palë, ndërsa Serbia më shumë diktuese sesa përgjegjëse. Ne duhet ta fillojmë një dialog me Brukselin e me miqtë tanë ndërkombëtarë, para çfarë dialogu me Serbinë e për atë premisat dhe synimet e atij dialogu. Psh. askush nuk di ta definojë se çka saktësisht nënkupton ‘normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë’. Politikanë e diplomatë, shqiptarë, serbë e të huaj, kuptojnë gjëra krejtësisht të ndryshme me këtë emërtim. Në fakt, ne kemi nevojë të kalojmë nga ‘normalizimi i marrëdhënieve’ te ‘fqinjësia e mirë’, koncept ky i Komisionit Evropian, përkatësisht i detyrës zyrtare të z.Johannes Hahn.
Në të njëjtën kohë, ne do të fillojmë një dialog të gjerë e gjithëpërfshirës me serbët e Kosovës, në të gjitha vendet ku ata jetojnë. Jemi të interesuar për integrimin ekonomik, social e politik të tyre, dhe e kemi një plan të detajuar për këtë. Marrëdhënia e Kosovës me shtetasit e saj të etnisë serbe nuk mund të mbetet peng e Beogradit, apo e ndonjë qeveritari të atjeshëm me nostalgji serbomadhe nga rinia e vet. Ky dialog me serbët e Kosovës do të jetë prej poshtë-lart, demokratik e për zhvillim. Serbët nuk duam t’i shohim të mbyllur vetëm në identitetin e tyre kombëtar, por edhe të hapur në rolin e tyre shoqëror: në profesionet e tyre si mjekë, inxhinierë, bujq, zdrukthtarë, kamarierë, studentë etj. Sa i përket demarkacionit, ne do ta ripohojmë marrëdhënien tonë miqësore dhe interesin për forcimin e asaj marrëdhënieje me Malin e Zi. Fatmirësisht Mali i Zi nuk ka këmbëngulur në versionin e demarkacionit që ne kemi kundërshtuar. Prandaj, pasi të formojmë qeverinë, do të kërkojmë takim me Podgoricën zyrtare, do të krijojmë kushtet për rinegocim të demarkacionit me Malin e Zi, me komisione ekspertësh nga të dyja palët, që do të ballafaqojnë argumentat e tyre. Nuk është synimi ynë t´i marrim tokë Malit të Zi, por thjesht që të mos humbim tokë nga e jona. Mendojmë se do ta gjejmë mirëkuptimin e Malit të Zi për këtë gjë. Jo vetëm që Mali i Zi e ka njohur Republikën e Kosovës, por edhe ndodhemi në të njëjtën anë të dinamikave gjeopolitike: në anën e NATO-s e të BE-së.
 
 A keni ndryshuar qëndrim në raport me këto dy çështje?
 
Nuk ka arsye që të ndryshoj qëndrim. Sidomos tani kur qëndrimet që i kanë pasur për këto çështje po i ndryshojnë edhe politikëbërësit dhe opinionistët ndërkombëtarë, mendoj se është e domosdoshme që ne të këmbëngulim në realizimin e objektivave tanë politikë, jo për inat të ndonjë fqinji, por thjesht në shërbim të së drejtës sonë kombëtare, dhe të së drejtës ndërkombëtare.
 
Keni paralajmëruar një politikë ndryshe edhe me Shqipërinë? Si do të jetë ajo?
 
Qeveria e LV do të jetë një lokomotivë e proceseve politike që do t´i afrojnë shumë e do t´i integrojnë disa segmentë të shoqërisë së Kosovës e Shqipërisë. Deri më sot politikat e përbashkëta janë kufizuar në mbledhje ceremoniale, në marrëveshje bilaterale pa institucione e mekanizma të përbashkët, në fotografi e në projekte të ngadalta apo të ndërprera. Do të jetë tjetër ritëm dhe tjetër shpejtësi me LV në qeveri. Bashkimi dhe koordinimi i tregjeve e i sektorëve prodhues, njësimi i praktikave administrative, bashkimi i sistemeve arsimore dhe atyre të prodhimit kulturor, ligat sportive të përbashkëta, koordinimi dhe njësimi i politikave fiskale e doganore. Pra, ka shumë fusha ku mund të veprojmë e ku do të veprojmë, bashkë me qeverinë e Shqipërisë, gjatë qeverisjes së LV.
 
Këtë javë mbahen zgjedhjet edhe në Tiranë, keni një preferencë për fituesin e zgjedhjeve?
 
Cilado që të jetë qeveria e ardhshme e Shqipërisë, ne do të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të. Raportet me të gjithë drejtuesit e partive politike kryesore i kemi shumë të mira. Sigurisht, ne jemi një forcë me orientim të majtë, socialdemokrat, megjithatë nuk na takon të përzihemi në fushatën zgjedhore për t’i treguar votuesit të Shqipërisë se cilën parti të zgjedhin. Jam i bindur se edhe në Shqipëri masa më e madhe e votuesve do të votojnë me idealizëm, për forcim e përparim të shqiptarëve në Ballkan, për zhvillim ekonomik që sjell punësim si edhe për drejtësi në shoqëri e në institucione. Sami Frashëri thoshte: “Jeta e një shteti dhe lumturia e një kombi sigurohet vetëm me bashkim dhe barazi. Zhdukja e barazisë shkakton humbjen e lirisë. Privilegjet janë shokë të tiranisë.”
 
Nëse do të bëheni kryeministër i Kosovës a do të kërkoni bashkimin me Shqipërinë?
 
Dëshira dhe interesi i qytetarëve tonë në të dy anët e kufirit të tilla janë. Këtë personalisht do ta kërkoj gjithnjë, pavarësisht pozitës ku do të ndodhem. Megjithatë është e rëndësishme që të sqarohemi se nuk e bën bashkimin kryeministri i Kosovës, por populli i Kosovës. Ajo çfarë do të bëjmë në qeverinë e LV, është që t´i japim popullit të Kosovës të drejtën e referendumit, të cilën sot nuk e ka. E drejta për referendum është një ndër themelet e të qenit sovran. E pastaj, kur të jetë e drejta për referendum, populli i Kosovës le të flasë vetë, kur të jetë momenti.
  
Në rast se nuk arrini dot të krijoni qeverinë në Kosovë si do jetë opozita juaj?
 
Në rast se partia e cila fiton zgjedhjet nuk lejohet të bëjë qeverinë, sigurisht që situata politike nuk do të ishte as legjitime e as e qëndrueshme. Por mendoj se nuk do të jetë ky rasti. Të gjitha të dhënat na tregojnë se një qeverisje LV me LDK është e mundshme, është e dëshirueshme, dhe do të ndodhë.
 
(d.b/Shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave