
Spitali Rajonal i Durrësit ka përgënjeshtruar lajmin e qarkulluar sot në disa media se gjatë një nderhyrje kirurgjikale te i riu Erjon Boba që u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar, kanë ikur dritat në sallën e operimit.
Teksa shpreh ngushëllime për familjarët e të miturit që ndërroi jetë ditën e djeshme, Spitali Rajonal i Durrësit sqaron se në rast se energjia elektrike e spitalit shkëputet, në sallat e operimit sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë.
Reagimi i plotë i Spitalit Rajonal Durrës:
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.
Lajmi kryesor:
U vra me thikë jashtë shkolle, 15-vjeçari në Durrës përcillet nesër në banesën e fundit! I ati kërkon drejtësi: S’kishte konflikte, ndihmoi shokët










