Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimit me presidenten e re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula i cili tha se institucionet e Kosovës tashmë kanë përpara një sërë punësh dhe angazhimesh, duke theksuar nevojën për bashkëpunim për përballimin e sfidave shtetërore.

“Zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin e shtetit dhe të mirën e qytetarëve”, u shpreh Kurti.

Sipas tij pas pranimit të kandidaturës së saj, tashmë institucionet duhet të fokusohen në punët që i presin.

“Na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën dhe tash na presin shumë punë dhe angazhime që, natyrisht, me vullnet të mirë dhe dije e mundësi që kemi, do t’i shpiejmë përpara sa më shpejt që mundemi”, citoi Kurti.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Kosova nuk ka kohë për të humbur, duke bërë thirrje për bashkëpunim përballë sfidave të vendit.

“Pas më shumë se një viti e gjysmë kemi institucione funksionale e s’kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi”, përfundoi ai.