Kurti pranon kërkesën e SHBA-së, shtyn me 48 orë gjobat për targat! Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen nesër në Bruksel

Edhe pse në tryezën diplomatike të Brukselit, Kosova dhe Serbia nuk patën një marrëveshje për situatën e tensionuar në veri, duket se ka pasur në thelb një tërheqje minimaliste nga kryeministri i Kosovës, Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës, Kurti ka mundur të negociojë duke u dhënë 48 orë kohë para aplikimit të fazës së dytë me 150 euro gjobë, pra ka rënë dakord për propozimin e SHBA-ve. E teksa negociatat kanë mbetur në vend numëro, duket se tensionet në veri janë ende në vijim. Mediat kosovare kanë raportuar se është djegur një tjetër makinëme targa serbe në veri të Kosovës. 

Kurti aprovoi propozimin e SHBA-ve duke theksuar se është kënaqësi të bashkëpunosh me Uashingtonin përmes një statusi në Twitter ku thotë se është i lumtur të bashkëpunojë me SHBA dhe BE për zgjidhjen e tensioneve brenda dy ditëve të ardhshme.

"E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin. E pranoj kërkesën e tij që vendimi të shtyhet për 48 orë të tjera për fazën e gjobitjes së targave ilegale. I lumtur të punoj me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme", shkroi ndër të tjera Kurti.

Serbët në veri të Kosovës paralajmëruan protesta të tjera pas dëshimit të bisedimeve mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Të shqetësuar për situatën në veri, ambasadorët e vendeve të BE-së si dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, bënë thirrje që Kurti të pranonte propozimet për uljen e tensioneve pasi rrezikohej përshkallëzimi i situatës në veri.

Çfarë ndodhi dje në Bruksel
Me ftesë të kryediplomatit të BE-së, Joseph Borrell, Kurti dhe Vuçiç u mblodhën fillimisht në takime të ndara e më pas ‘kokë më kokë’ për 4 orë në përpjekje të një marrëveshjeje. Por, ashtu siç pritej, Kurti u shpreh i qartë edhe në Bruksel se nuk do të ketë një tërheqje nga vendimi i qeverisë së Kosovës.

Qëndrimi i Kurtit pati mjaft reagime duke filluar që nga ndërkombëtarët, te opozita e Kosovës e deri te reagimi i ashpër i Presidentes Vjosa Osmani.

Që prej 1 nëntorit, qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa “RKS”, ndonëse afati i fundit për ndalimin e qarkullimit të mjeteve me targa serbe ishte fundii shtatorit, por u shty me kërkesë të ndërkombëtarëve.

Plani ka tri faza. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parashikon gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit ishte në fuqi faza e qortimit të shoferëve.

Për shkak të këtij vendimi, situata në Veri të Kosovës është e tensionuar ku përfaqësuesit e serbëve janë larguar nga institucionet e Kosovës. Ata kanë deklaruar se me fillimin e shqiptimit të gjobave nga policia për serbët, në veri do të ketë rezistencë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:49
Dialogu Kosovë-Serbi, Borrell: S'jemi vetëm ndërmjetës, jemi më shumë se kaq

Kryedipolmati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, ka pasur një koment lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Borrell shprehet se Bashkimi Evropian nuk është vetëm një ndërmjetës në këtë dialog, por edhe arbitër.

“Ne nuk jemi ndërmjetës, jo arbitër, jemi shumë më tepër se kaq sepse të dy duan të bëhen anëtarë të BE-së dhe kemi një kapaciteti i levës”, u shpreh ai.

 

Ora 22:24
Çështja e targave, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen të mërkurën në Bruksel

Burimet diplomatike i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se të mërkurën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Këto burime kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.

Takimi do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me çështjen e targave./REL

Ora 20:00
Italia merr në dorë dialogun, ministrat italianë ftojnë Kurtin dhe Vuçiç në Romë: Nuk dëshirojmë të ketë sërish luftë në rajon

Dy ministrat italianë për fushën e Diplomacisë dhe për Mbrojtjes kanë vizituar sot Beogradin dhe Prishtinën, ku u kanë bërë thirrje liderve politikë që të mos përshkallëzojnë tensionet deri në luftë për çështjen e targave.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani dhe ai i Mbrojtjes, Guido Crosetto ftuan Kurtin dhe Vuçiçin në Romë për t’i bindur në nënshkrimin e një marrëveshje që do të ulte tensionet. Gjatë një takimi me ministren e Jashtme të Kosovës, Tajani  theksoi se nuk duhet të ndërmerreshin nisma të njëanshme.

“Nuk dëshirojmë të ketë sërish luftë. Situata nuk duhet të përkeqësohet. Mos merrni nisma të njëanshme. Duhet të gjendet një zgjidhje. E kam vlerësuar vendimin e Kosovës për të shtyrë vendimin për targat dhe është një sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar edhe fjalë gatishmërie nga ana serbe. Duhet të organizojmë një takim në mes të dyja palëve”, tha Tajani.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto u takua me homologun e tij në Kosovë ku u diskutua për zgjidhjen e tensioneve aktuale.

Ora 17:11
Franca, thirrje Kosovës të pranojë propozimin e BE-së për targat

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot ka raguar pas dështimit të bisedimeve në Bruksel për çështjen e targave mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Me një postim në Twitter, ambasadori Guerot shkruan se Franca shpreh keqardhje që s’u arrit një marrëveshje dhe i  bënë thirrje palëve, veçanërisht Kosovës, që ajo të pranojë propozimin e BE-së për arritjen e kompromisit.

“Franca shpreh keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të 21 nëntorit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ajo i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Europian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve, dhe në veçanti Kosovës, të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Europian”, shkruan ai në Twitter.

Ambasadori shkruan po ashtu se Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin e BE-së.

Gjithashtu, ambasadori francez shprehet se duhet të zbatohet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ajo (Franca) nxit palët që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura tashmë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.”, shkruan ambasadori në Twitter.

Ora 14:21
Dështimi i negociatave Kosovë-Serbi, kreu i listës serbe paralajmëron protesta në veri

1669123026_Goran.PNG

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se serbët nuk mund ta tolerojnë terrorin e Prishtinës dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet e ndryshme në pjesën veriore.

Ai në një konferencë për media ka theksuar se ata duan vetëm paqe. Rakiq tha se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe për këtë është përgjegjëse Prishtina, gjë që mund të dëgjohet edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Sipas tij, të gjithë ata që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje sot e dinë se kush është ana destruktive.

“Ne duam vetëm paqe. Ne kërkojmë vetëm të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara. Duam të jetojmë në paqe, të jemi vetvetja në vendin tonë dhe të qëndrojmë në shekullin tonë. Tri pika i thyen shpinën devesë: Shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi për heqjen e targave të Serbisë dhe fakti që Asociacioni nuk është formuar ende. Me ne është edhe Ivan Todosijeviq, i cili u dënua për fjalët e tij. Policia speciale Njësitet po ngacmojnë vëllezërit, motrat, janë katër baza të reja, na kanë ndaluar të vaksinohemi, zgjedhjet, referendumi. E kanë qëlluar Sreçko Sofronijeviqin, Dragica Gasiqin e kanë të ndaluar të blejnë bukë, ka pasur sulme të panumërta dhe këto janë mesazhe të qarta se nuk na duan këtu, si dhe të kthyerve se nuk janë të mirëseardhur”, tha Rakiq.

Gjithashtu ai tha se serbët nuk duan të vuajnë terrorin e Prishtinës.

“Nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Torturat që po i bën Kosova qytetarëve serb nuk mund të tolerohet më. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera. Njerëzit janë duke u çuditur pse duhet të paguajmë haraç dhe zulim, nuk ia kemi paguar turqve, as Kurtit”, ka përfunduar Rakiq.

Ora 13:47
Ambasadori i SHBA-ve përgëzon Serbinë: Angazhimi i Vuçiçit për zgjidhjen e tensioneve në veri është konstruktiv

1669121294_hd.JPG

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur një “angazhim konstruktiv” në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për targat në Kosovë.

Takimi mes Hillit dhe Vuçiqit, vjen pas atij të djeshmit në Bruksel që presidenti serb pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

"Unë i bëra thirrje presidentit Vuçiq që të vazhdojë angazhimin e tij konstruktiv në proces, me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje. Angazhimi konstruktiv është qasja e duhur", u tha Hill gazetarëve pas takimit.

Ora 13:46
Ambasadori gjerman: Absurde të rrezikohet përshkallëzimi për shkak të targave

1669121005_Jorn.PNG

“E përsëris, është absurde që të rrezikohet përshkallëzimi i situatës për shkak të targave”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai shkroi në Twitter se është mirë që përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka më shumë kohë që të punojë me palët për të gjetur një zgjidhje.

Ora 10:53
Dje dështuan negociatat, digjet sërish një makinë me targa serbe në veri të Kosovës

1669110961_ll.PNG

Një makinë me targa serbe e tipit Chevrolet Captiva, është gjetur e djegur pas mesnate në veri të Mitrovicës, një ditë pasi negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit dështuan.

Lajmin e ka konfirmuar Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës.

“Makina është djegur në mëngjes, diku mes orës 02:00-05:00 të mëngjesit, është me targa të Serbisë”, tha Hoti.

Portali serb Kossev ka raportuar se pronari i makinës me iniciale N.M e ka konfirmuar vetë se i është djegur makina.

Sipas Kossev, ai ka thënë se makinën e ka parkuar aty ku e parkon gjithmonë.

“Nuk u besoja syve kur shkova në punë këtë mëngjes. Pyesja veten nëse ishte makina ime”, ka thënë ai.

Sipas tij, ai nuk ka asnjë konflikt dhe se nuk punon në asnjë institucion publik.

Ditën e djeshme, Kreu i qeverisë së Kosovës, Kurti ka mundur të negociojë duke u dhënë 48 orë kohë para aplikimit të fazës së dytë me 150 euro gjobë, pra ka rënë dakord për propozimin e SHBA-ve.

Ora 10:19
Dështimi i negociatave Kosovë-Serbi, DASH thirrje Kurtit: Duhet të arrihet një kompromis, shmangni përshkallëzimin e tensioneve

1669108773_nedprice1280x720.jpg

Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të bien dakord me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë.

Zëdhënësi Ned Price shkruan se DASH i bën thirrje Kurtit për të bashkëpunuar me Borrell dhe Lajçak për të arrirë një kompromis të drejtë.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të punojë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak për të arritur një kompromis të drejtë. Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiq do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me dekada të vështira në një rajon tashmë të brishtë. Ne i bashkohemi BE-së për t'i bërë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të përshkallëzonte tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave të automjeteve.

Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, të përmbushin detyrimet e tyre sipas Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme.”- thuhet në njoftim.

Ora 09:22
Dështimi i negociatave Kosovë-Serbi, Vuçiç: Koha për të treguar seriozitet dhe përgjegjësi si komb

1669060849_esdrewewr.JPG

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi, ka takuar mbrëmë në orët e vona përfaqësuesit e serbëve nga Kosova në Beograd, pas takimit që pati me kryeministrin, Albin Kurti në Bruksel

Vuçiç në Instagramin e tij, ka thënë se u ka kërkuar serbëve që të jenë të kujdesshëm dhe të qetë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

 “...t'i përgjigjen arrogancës dhe arrogancës së të tjerëve ashtu siç përgjigjen gjithmonë njerëzit e denjë. Ne vetëm duam të mbrojmë tonat dhe asgjë më shumë. Kështu që jam i sigurt se si komb do të tregojmë pjekuri dhe do të ruajmë vatrat tona”, ka thënë Vuçiç, siç shkruajnë mediat serbe.

G.MO/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mala: 22/11/2022 10:58

    Aleatit besnik ,te sinqert e korrekt, asnjemoment e rrethane,nuk duhet bere lajaka,t'i buzqeshim perpara e pak sa tinez t'i shkojme prapa shpine e t'i bashkohemi atij qe asnjehere nuk eshte deshmuar i sinqert e korrekt ndaj nesh.Por, kujtese, vertet e shkurter, qe mik e quajme ate qe nuk eshte deshmuar ndaj nesh.

    Përgjigju
  • Xha Lymi: 22/11/2022 08:30

    O Albin Amerika te ben ate qe nuk ta pret mendja.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg