Albin Kurti ka hedhur në tavolinë emrin e Glauk Konjufcës për president dhe i ka kërkuar LDK-së votat për ta çuar përpara këtë kandidaturë duke treguar se nuk e do më Vjosa Osmanin presidente të vendit 

Kjo ide sipas mediave kosovare u prezantua sot në takimin e Kurtit me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, që u mbajt në ambientet e Kuvendit. 

Mediat kosovare bëjnë me dije se Kurti i ka kërkuar Abdixhikut që deputetët e LDK-së të sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e Konjufcës si president.

Kjo është hera e tretë që dy liderët takohen brenda një jave, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për postin e presidentit dhe për të shmangur vendin nga zgjedhjet e reja.

Menjëherë pas takimit, LDK-ja ka mbledhur strukturat e saj për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë. Nënkryetari Kujtim Shala tha se pas diskutimeve do të dalin me një deklaratë.

Nga ana tjetër, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, gjatë kohës që po mbahej takimi, u shpreh se po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje. Ajo nuk foli për emra, por theksoi se do të bëjnë gjithçka brenda kompetencave që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.

Sipas mediave në Kosovë, Vetëvendosja tashmë i ka mbledhur 30 nënshkrimet e nevojshme për të plotësuar kushtin që të propozohet në Kuvend për president të Kosovës, ndërsa seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të thirret nesër ose pasnesër.

Mediat thonë se Kurti po llogarit të mbledhë vota edhe nga rradhët e PDK-së, ndonëse zyrtarë të kësaj të fundit kanë folur anonimisht për mediat duke lënë të kuptohet se PDK nuk do të votojë një kandidat të VV-së për president.

Për ccështjen e presidentit, Kurti zhvilloi dy raunde bisedimesh, si fillim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe më pas me atë të LDK-së, Lumir Abdixhku pa gjetur një kandidat konsesual.

Dita e enjte, 5 marsi, është data e fundit kur Kosova mund ta zgjedhë presidentin.

Në të kundërtën, atëherë afati shkelet, dhe çdo zgjedhje e një presidenti pas kësaj date, do të ishte shkelje e Kushtetutës, e për rrjedhojë do të kishte zgjedhje të reja.