Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti se duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale, më 4 mars. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për të dëshmuar, duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Pak para se të mësohej data, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një letre drejtuar gjykatës paralajmëroi se do ta injoronte ftesën e Prokurorisë Speciale për të shkuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore,pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Letra e Kurtit drejtuar gjykatësit

Sërish sot Kurti u çoi mesazh prokurorëve se nuk kanë ndëmend ta respektojë thirrjen e organit të akuzës.
Përparim Kryeziu, përmes një shkrimi në Facebook, informon se e kanë njoftuar Prokurorinë Speciale se nëse duan ta intervistojnë Kurtin, duhet t’i shkojnë atij në zyrë.
“Duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që ai mban, Kryeministri ka kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar”.
“Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë. Po të kishte vullnet për ta intervistuar Kryeministrin, intervista e tillë do të ishte kryer muaj më parë, me një prej datave të propozuara nga vetë Zyra e Kryeministrit”shkruan Kryeziu.
Por, vartësi i Kurtit nuk heziton të luajë edhe rolin e gjykatësit, duke e kontestuar publikisht autoritetin e Prokurorisë Speciale.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, vijon akuza qeveritare ndaj institucionit të Prokurorisë.
“Për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura e të paanshme të drejtësisë, ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e edhe Kryeministri Kurti, Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, qysh e kërkon legjislacioni në fuqi dhe gjykimi i paanshëm i një gjyqtari të drejtë. Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit”, shkruan zëdhënësi i Kurtit.
Më 11 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës ftoi në cilësinë e dëshmitarit kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Bazuar në numrin e lëndës, Kurti ishte ftuar të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore.
Në thirrjen e Speciales thuhej se dëshmitari detyrohet t’i përgjigjet thirrjes më 16 dhjetor në orën 9:30.
“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro. Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, thuhet në udhëzimet e Speciales.
Rasti i rezervave shtetërore
Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.
Përgjigjja e plotë e Zyrës së Kryeministrit ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë:
I nderuari gjyqtar Kurtaj,
Me respekt dhe seriozitetin që i takon një procesi të tillë, në emër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, Zyra e Kryeministrit dëshiron të shprehë qartë dhe pa ekuivoke pozicionin e Kryeministrit lidhur me ftesën e Prokurorisë Speciale dhe Njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga Kryeministri për çështjen e rezervave shtetërore.
Ju lutemi për vëmendjen tuaj mbi faktin që Kryeministri i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. Kjo gjë është bërë e qartë përmes letrave të cilat Zyra e Kryeministrit ia ka dërguar Prokurorisë si përgjigje mbi ftesën e tyre për paraqitje. Për më tepër, Zyra e Kryeministrit ka dhënë më shumë se dy alternativa mbi datat dhe kohën e intervistimit, ashtu që të tregojë gatishmërinë e tij për t’u përgjigjur në çdo pyetje që cilido prokuror apo zyrtar përgjegjës mund të kërkojë lidhur me çfarëdo çështje mbi të cilën Kryeministri ka dijeni e është e ndërlidhur me punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies. Megjithatë, duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që ai mban, Kryeministri ka kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar. Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë. Po të kishte vullnet për ta intervistuar Kryeministrin, intervista e tillë do të ishte kryer muaj më parë, me një prej datave të propozuara nga vetë Zyra e Kryeministrit.
Së dyti, ky qëndrim nuk është as një shmangie nga procesi dhe as një tentim për të kërkuar një trajtim të veçantë. Ai bazohet në disa faktorë të qenësishëm, duke përshirë:
1. Pikëpamja institucionale dhe respekti për pozitën e Kryeministrit – Kryeministri i vendit është përfaqësuesi më i lartë ekzekutiv i shtetit. Për këtë arsye, orari i tij duhet marrë parasysh, për aq më tepër angazhimi i vazhdueshëm institucional e edhe në terren. Kryeministri është kryeshërbëtori ndaj qytetarëve të vendit dhe agjenda e tij është e ngjeshur. Për më tepër, kërkojmë nga Gjykata e nderuar vëmendje mbi faktin që Kryeministri ftohet për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore të hetuar, siç është paraqitur, nga Prokuroria Speciale e lidhur me të cilin Gjykata Supreme ka hedhur poshtë çdo pretendim për vepër penale të ushtruar përmes keqpërdorimit të autoritetit zyrtar apo tjetër.
2. Precedentët e krijuar – Ka raste të dokumentuara në Kosovë por edhe më gjerë (psh ish kryeministri i Francës Jacques Chirac apo ish Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton), ku zyrtarë të lartë institucionalë janë intervistuar në ambientet e tyre dhe jo në Prokurori. Mohimi i këtij fakti nga Prokuroria nuk e ndryshon realitetin dhe as nuk mund ta ndalë aplikimin e një praktike që ka ekzistuar dhe mund të zbatohet përsëri. Publiku ka qenë i informuar mirë lidhur me largimin me dhunë të prokurorëve nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga kryeministra që kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi në kundërshtim me çdo normë ligjore. Por duket që fuqia e tyre përballë Prokurorisë i ka zmbrapsur të njëjtit. Kryeministri Kurti, përtej qëndrimeve të tij të fuqishme e publike mbi korrupsionin e krimin ekzistues rreth Prokurorisë Speciale, nuk ka refuzuar të përballet me përgjegjësitë institucionale dhe ka pranuar të dëshmojë. Në shenjë respekti ndaj vetes në radhë të parë e pastaj edhe Kryeministrit, për qëllim të marrjes së informacionit të nevojshëm brenda hetimit që ka hapur, Prokuroria Speciale është e mirëseardhur çdo herë në Zyren e Kryeministrit dhe çdo ministri, agjenci apo trup tjetër të Qeverisë.
3. Natyra politike e ftesës – Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar. Andaj, për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura e të paanshme të drejtësisë, ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e edhe Kryeministri Kurti, Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, qysh e kërkon legjislacioni në fuqi dhe gjykimi i paanshëm i një gjyqtari të drejtë. Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit.
4. Qeverisja e deritanishme dhe angazhimi për sundimin e ligjit – Kjo është Qeveria që ka luftuar korrupsionin, siç dëshmohet nga gjendja në terren por edhe nga institucionet e organizatat kredibile si Transparency International apo Ëorld Justice Project. Pavarësia e sistemit të drejtësisë ka shkuar vetëm duke u rritur, për shkak që nuk ka ndërhyrje politike nga ana e kësaj Qeverie në gjyqësor e ashtu edhe në asnjë institucion tjetër të drejtësisë që i takon publikes dhe qytetarëve të vendit. Për herë të parë në Kosovë po ndodh që zyrtarë të nivelit të lartë të ndjekin rrugën e drejtësisë dhe askush nuk ka imunitet nga ligji. Por kjo nuk do të thotë se do ne do të pranojmë instrumentalizimin politik të drejtësisë nga ata që nuk duan një sistem të pavarur e të paanshëm.
5. Së fundmi, por jo edhe nga rëndësia, duhet theksuar faktin që intervistimi nga Prokuroria mund të bëhej që në muajin dhjetor të vitit 2024, kur është bërë ftesa. Megjithatë, Prokuroria ka zgjedhur që, në vend të efikasitetit të humb kohë në dëm të përfundimit të procedurës së hetimit, të prolongojë çdo veprim e të mbetet pa përfundime të rëndësishme për publikun, vetëm për të arritur projeksionet politike, të dëmshme e të pafalshme për një sistem të pavarur të drejtësisë.
Duke marrë parasysh sa më sipër, Zyra e Kryeministrit thekson edhe njëherë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit.
Albin Kurti
Gjykata Themelore në Prishtinë në një përgjigje me shkrim për Radiotelevizionin e Kosovës ka konfirmuar se pas urdhëresës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka detyruar kryeministrin, Albin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në këtë prokurori më 4 mars në orën 10:00, teksa tha se pas këtij detyrimi ndaj Kurtit, kanë pranuar përgjigjen nga Zyra e Kryeministrit.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, me Urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 21.02.2025, ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë - theksuar të gjykatës”, thuhet në përgjigjen me shkrim për RTK-në të Mirlinda Gashit, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
E letrën drejtuar gjykatës e ka publikuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu ku u tha se kryeministri nuk ka refuzuar kërkesat për dëshmi por ka kërkuar që të dëshmojë në zyrën e tij.
Komente


Kështu e tregojnë veten kafshët të cilin e votuan koqevarët shpellarë.
PërgjigjuOre më ndëgjoni mua. Kjo rrava e malokëve ësht e pa pare. Këta kan kok më vete. Nuk zbresin nga kali.vetëm me .....zbresin
Përgjigju