Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Perëndimit që të sanksionojë të gjithë personat që ai tha se komunikojnë dhe bashkëpunojnë me personat që gjenden në listë të zezë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalimit në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, Kurti tha se Serbisë po ashtu duhet t’i kushtëzohen “përfitimet aktuale”.
“Andaj Perëndimit demokratik, në veçanti Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, ne u bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen përfitimet aktuale, jo vetëm ato të ardhshme nga BE-ja, SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen nga SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ata që bashkëpunojnë me personat që ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Ata që janë pjesëtarë të organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’. Përndryshe kriminelët që shëtisin të lirë, përndryshe listat e zeza, nuk janë efektive”, tha Kurti.
Organizatat "Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut", u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar.
Kurti tha se lista e zezë duhet të japë “rezultate nëpërmjet sanksionimit të gjithë atyre që komunikojnë e bashkëpunojnë me ta”.
Ai kërkoi që autoriteteve të Kosovës t’i dorëzohet Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij, që Kosova i akuzon për organizimin e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës shtatorin e vitit të kaluar.
Në Banjskë, më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës. Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për rastin në Banjskë të Zveçanit.
Vetëm tre persona të akuzuar janë të arrestuar në Kosovë dhe Radoiçiq dhe të tjetër gjenden në arrati. Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi.
SHBA-ja dhe BE-ja po ashtu kanë kërkuar që të gjithë të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të përballen me drejtësinë.
Kurti po ashtu akuzoi Serbinë se nuk po respekton marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai po ashtu mbrojti veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, që bashkësia ndërkombëtare i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
“Ata që ankohen për veprimet tona të njëanshme janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë, janë duke u ankuar pse fituam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë duke u ankuar pse përfundoi mbikëqyrja e pavarësisë. Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës edhe më herët ka thënë se veprimet në veri – përfshirë mbylljen e institucioneve që kanë funksionuar në bazë të sistemit serb, ndalimin e përdorimit të dinarit serbë për pagesa me para të gatshme dhe veprime të tjera – janë në kuadër të shtrirjes së sovranitetit dhe zbatimit të ligjit.
Kryeministri kosovar po ashtu kërkoi që të rivendoset zona tokësore e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Meqë brenda dy vjetëve, katër herë Serbia e ka sjellë ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës. Ajo ishte hequr në gusht të vitit 2001. Këtë tani po e keqpërdor regjimi i Aleksandar Vuçiqit, i cili që po sjell artileri, trupa shtesë, sistem kundërajror kinez përbrenda këtij rripi 5-kilometërsh”, tha Kurti.
Përgjegjësinë për sigurinë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë e ka misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës./ REL