PRISHTINE, 31 Janar/ATSH/- Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari iu ka drejtuar me një letër të hapur liderit të AAK-së Ramush Haradinajt dhe atij të Lëvizjes "Vetëvendosje" Albin Kurti.
Në letrën që u ka dërguar dy liderëve Kusari ankohet se asamblistët e këtyre dy partive në komunën e Gjakovës janë larguar nga séance e kuvendit komunal ku duhej të votohej për një ri votim të vendimit i cili do të lejonte investimet e KEDS-it në Komunën e Gjakovës, por edhe kallëzimi penal për ministrin Aleksandër Jabllanoviq I nënshkruar nga 14 mijë qytetarë të Gjakovës.
"Ne e kuptojmë shpirtin opozitar dhe domosdoshmërinë e reagimit për një demokraci të shëndoshë. Të gjithë pa dallim jemi të bindur se as moralisht, politikisht apo ligjërisht, ai njeri nuk e meriton të ulet në karrigen e Ministrit të Qeverisë dhe duhet të shkojë sa më parë.Ju dy bashkë jeni pjesë e protestave ku u lënduan shumë qytetarë dhe policë, u rrahën në mes vete vëllezërit e një gjaku, në njërën anë policët dhe në anën tjetër protestuesit. U dëmtua sheshi dhe shumë prona private, vetëm e vetëm për t'ja rikujtuar Kryeministrit Mustafa se mban një njeri në kabinet i cili ka humbur çdo lloj kredibiliteti për të qenë aty", thuhet në letër.
Ajo shton më tej se në Komunën tonë në mbështetje të peticionit të qytetarëve u synua të jetë edhe Asambleja Komunale. Pata vullnetin e plotë dje të nxjerrim në votim dhe unanimisht të përkrahim kallëzimin penal për ministrin e degraduar. Është obligim dhe detyrë e jona që të fillojmë të shënojmë gjurmët e atyre që shkaktuan aq shumë dhimbje.Megjithatë, për çudi, asamblistët e dy partive tuaja lëshuan sallën për të humbur kourumin dhe për të mos e mundësuar votimin për një ri votim të vendimit i cili do të lejonte investimet e KEDS-it në Komunën e Gjakovës.
"Ju thërras ju dyve të ju shpjegoni banorëve të Komunës tonë mospërgjegjësinë e asamblistëve tuaj. Ju thërras juve dyve të na shpjegoni pse për Jabllanoviqin e "kallim" shtetin, por në Gjakovë as në sallë nuk qëndroni deri në fund të votoni përkrahjen për kallëzimin penal për këtë Ministër. Na shpjegoni pak, pse nuk mbështetet kallëzimi penal për Ministrinë në Komunën ku krejt filloi? Gjakova protestoi e qetë, ashtu sikur protestohet, të gjithë e përkrahen pa dallim partie politike, shtrese shoqërore apo përkatësie fetare. Kryeministrit të Kosovës nuk i pëlqeu kjo përkrahje dhe më sigurinë më të madhe do të ndiejmë sanksionet nga Kryeministri në mospërkrahje të projekteve, por tani pse bllokoni JU dy partitë opozitare lokale? Tash prapë të vuajë qytetari i Komunës së Gjakovës se parimisht do të votojë për vendim i cili përmirëson jetën e tyre, vetëm se kjo nuk është në përputhshmëri me politiken tuaj në qendër? Apo ju mjaftoi Gjakova të nxitni diçka që juve do të ju duhet për pushtetin në qendër dhe Gjakova dhe Gjakovarët do të vazhdojë njëjtë me hallet e veta, për momentin nuk ju duhen më juve dhe partive tuaja", thekson Kusari.
/KosovaPress/ /a.g/







