Kush dhe çfarë e mbron Radoiçiçin në Serbi?

Kush dhe çfarë e mbron Radoiçiçin në Serbi?

Millan Radoiçiç

Konfiskim i pasaportës, ndalim i largimit nga Serbia dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë e Beogradit dy herë në muaj.

Për gati një vit, këto janë masat e vetme që kanë ndërmarrë autoritetet shtetërore të Serbisë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili publikisht ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në Banjskë.

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Radoiçiç paraqitet rregullisht në polici

Nga Gjykata e Lartë në Beograd, e cila i ka vendosur masat kundër Radoiçiqit, thonë për Radion Evropa e Lirë se ai i respekton ato dhe se paraqitet rregullisht në stacionin kompetent policor.

Masat, sipas gjykatës, zgjaten çdo tre muaj dhe hera e fundit kur janë zgjatur, ka qenë fillimi i korrikut.

Pavarësisht kësaj, vendbanimi i Radoiçiqit aktualisht në Serbi nuk është i qartë.

Policia nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, e ngjashëm as avokati i Radoiçiqit, Goran Petronijeviq.

Predrag Petroviq, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), e përshkruan Radoiçiqin si “të preferuarin” e Qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Fakti që nuk kemi ende një rast serioz gjyqësor kundër Radoiçiqit në Serbi, tregon se ai është nën mbrojtjen e shtetit”, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.

Me vendim të gjykatës në Beograd, Radoiçiqit i është ndaluar kthimi në Kosovë, ku, sipas fjalëve të tij, më 24 shtator të vitit 2023 ka organizuar një sulm të armatosur.

Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Në Kosovë, autoritetet kanë ngritur tashmë aktakuzë kundër Radoiçiçit dhe 44 personave të tjerë.

Ai akuzohet për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Në aktakuzë, ai përshkruhet si udhëheqës i “një grupi terrorist”, që ka tentuar ta aneksonte veriun e Kosovës - të banuar me shumicë serbe - dhe t’ia bashkonte atë Serbisë.

Seanca e parë dëgjimore është paralajmëruar për datën 25 shtator.

Beogradi zyrtar e injoron këtë proces në Kosovë, ndërsa vetë nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për Banjskën, edhe pse ka gati një vit që ka nisur hetime.

Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës apo institucionet e saj, i cilëson edhe veprat penale ndryshe nga Prishtina zyrtare.

Hetimet vazhdojnë

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se hetimet janë në vazhdim e sipër.

Ajo tha se në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore, po i vërteton të gjitha faktet dhe rrethanat “në lidhje me ngjarjen kritike në Banjskë”.

“Pas përfundimit të hetimeve, opinioni do të njoftohet për vendimin e prokurorit”, thanë nga kjo zyrë. Radoiçiq, sipas tyre, ka statusin e të dyshuarit./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë