Ballkani Perëndimor, si edhe herë të tjera, është trazuar. Në vend që të mpikset drejt paqes, gjendja fermentohet nga kahja e luftës. Kokat e nxehta iu fryjnë borive të nacionalizmit. Edhe pse nga kënd vështrime të ndryshme, në thelb të britmave të tyre qëndron nacionalizmi ekstrem. Udhëheqës në Republikën Sërbska, të mbështetur nga qarqe nacionaliste ekstremiste prej Moskës e Beogradit, kanë koordinuar përpjekjet për destabilizimin e Bosnjë Hercegovinës. Dodik, përfaqësuesi i serbëve në treshen e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, ka shtuar presionin e shantazhin për shpërbërjen e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ai me taborrin e vet luajnë të gjithë gurët të destabilizojnë jo vetëm Bosnjë Hercegovinën por edhe të gjithë rajonin. Si gjithnjë nacionalistët gejnë aleatë jashtë vendit të tyre. Aleatët e Dodik gjenden kudo në Ballkanin Perëndimor, ashtu siç kanë qenë historikisht. Edhe aleatët luajnë me të njëjtin flamur, atë të nacionalizmit ekstrem. Krahas përshkallëzimit të situatës në Bosnjë Hercegovinë, rjeti i fitilave është shtrirë në territorin e Ballkanit. Fatkeqësisht nuk mungojnë edhe pseudo patriotët shqiptarë të inkuadruar në një nacionalizëm të shtirë.

Nuk lenë rast pa gjuajtur për të fituar kredite patriotike pa asnjë kosto dhe të demonstrojnë forcë prezente rreth tyre e për qëllimet e tyre. Sipërmarrja e tyre sjell lloj lloj aktivitetesh nga deklarata publike deri në demonstrime që nisin paqësore dhe përfundojnë të dhunshme. E tillë është edhe thirrja që Sali Berisha ka thirrur për të hënën, data 20 Dhjetor ora 1600. E thirrur si demonstartë kombëtare kërkon ti nxjerrë sytë çështjes kombëtare. Dështoi të marrë PD dhe tani përpiqet të përvetësojë Flamurin Kombëtar. Është e vetmja mburojë shpëtimi që i ka mbetur pa e provuar por edhe kjo nuk mund të mbulojë mëkatet antikombëtare të tij. Ardhja ose jo e Vuçiçit në Tiranë nuk ka të bëjë me shitjen apo blerjen e çështjes kombëtare. Një mendim i tillë tregëtar, përveç se është i pabazë, mbart doza komplekse nga ato të inferioritetit për tu përballur me kundërshtarët në çdo vend e tavolinë e deri në dëmtimin e çështjes kombëtare. Ai dhe këta që thërrasin tubimin e datës 20 dhjetor jo vetëm se nuk e kanë shkrepur asnjëherë për Kosovën dhe Shqipërinë, por jo rrallë kanë bërë të kundërtën. Edhe këtë herë nuk mund ti bëhet shërbim më i madh nacionalistit serb Dodik dhe gjithë serbomëdhenjeve kudo që janë. Askush nuk ka shprehur dashuri ndaj Vuçiçit.

Atij i janë thënë të vërtetat në sy, bile edhe në Beograd dhe këtë nuk e ka bërë Sali Berisha me disa pseudopatriotë që do të demonstrojnë në datën 20 dhjetor. Këta ja kanë mbathur nga ballafaqimi i drejtë për drejtë. Nuk morën pjesë në fushë betejën ku luftuan trimat e UÇK dhe as në tavolinat e dipllomacisë të asaj kohe e të sotme. Në çdo rast dërgonin mesazhe e këshilla gjoja patriotike. Në kohën e luftës së UÇK ishin të merakosur se kjo armatë luftarake ngjante me një turmë bashibozukësh të pa armatosur e të pa kualifikuar. Patën thënë edhe se UÇK ka hartuar një listë të zëzë me politikanë e patriot kosovarë; platformë kjo që u shfrytëzua nga antishqiptari Dik Martin për të ngritur akuza për krime lufte ndaj drejtuesve politikë dhe ushtarkë të UÇK, një histori e trishtë që e përjetojmë ende sot. Kur në mbarë Kosovën dëgjohej jehona e krismave të luftës çlirimtare, këta pseudo patriotë hodhën idenë se për Kosovën mjaftonte një Autonomi!.. Tani papritmas na qënkan alarmuar, zgjuar e trimëruar. Kërkojnë të mbyllim kufirin se mos Vuçiçi na pushton Tiranën. Qaraviten për të braktisur inisiativën e Ballkanit të Hapur se mos Shqipëria dhe Kosova gllabërohen nga Serbia! Thirrja: Syrin në shënjestër! As më pak e as më shumë një tezë që shpie ujë në të njëjtin mulli si edhe ajo e Dodik në Republikën Serbska të Bosnjë Hercegovinës. Nuk besoj se gjërat ngjajnë rastësisht. Kurrësesi! Mjaft i dëgjuat këta populstë, apologjetë zjarrvënës të Ballkanit. Mos iu jepni oksigjen sot se do t’iua shikojmë sherrin nesër.