Ditën e sotme u mblodh Konferenca e Kryetarëve, ku u diskutua mes të tjerash edhe për paketën ligjore të dorëzuar në Kuvend nga kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Deputetja demokrate Ina Zhupa tha nga Konferenca e Kryetarëve se këto nisma ligjore janë mjaft të rëndësishme, pasi sipas saj lidhen me integrimin dhe janë edhe kërkesa të qytetarëve që po protestojnë gjatë këtyre ditëve në shesh.
“Kryetari i Grupit të PD-së, në emër të grupit, ka dorëzuar një paketë ligjore mjaft të rëndësishme, e cila lidhet me integrimin. Por këto nisma janë edhe kërkesa të atyre qytetarëve që po protestojnë në shesh”, tha mes të tjerash Zhupa.
Më tej Zhupa ka theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo paketë të kalojë me procedurë të përshpejtuar, pasi sipas saj është në interes publik.
“Është shumë e rëndësishme që kjo paketë të kalojë me procedurë të përshpejtuar, sepse është në interes publik. Unë e di se ju nuk ju shqetëson interesi publik, por interesi juaj personal dhe ai i disa klientëve përreth jush. Megjithatë, thirrja ime është që ta kaloni menjëherë për shqyrtim atë paketë”, vijoi Zhupa.
Zhupa gjatë fjalës së saj akuzoi gjithashtu mazhorancën socialiste për atë që ajo e cilësoi ‘masakër’ që ata i kanë bërë sipas saj Shqipërisë gjatë 13 viteve të fundi.
“Uroj që ky Kuvend t’u përgjigjet qytetarëve dhe protestuesve. Gjithashtu, uroj që të merrni përgjegjësi për atë masakër që i keni bërë Shqipërisë gjatë 13 viteve të fundit”, është shprehur Ina Zhupa në Konferencën e Kryetarëve”, përfundoi Zhupa.
Lidhur me dërgimin nga PD të paketës ligjore në Kuvend, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ‘bufi dhe zogjtë e bufit duan të duken si flamingo’, duke ironizuar kështu kryedemokratin Sali Berisha dhe kupolën drejtuese të PD-së, pas ndryshimit të qëndrimit të këtyre të fundit, duke dalë nga ‘mbështetës të investimit në Zvërnec’ në ‘mbështetës të protestave që kundërshtojnë këtë investim’.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Balla ka publikuar edhe një video me inteligjencë artificiale, ku duket një buf që shndërrohet në flamingo.
Më tej Balla tha se përfaqësuesit e PD-së kanë dërguar në Kuvend propozimet e protestuesve dhe Sali Berisha ka shkuar në Bosnjë, për të kërkuar mbështetje për protestën që kundërshton investimin në Zvërnec.
Sipas Ballës, protestuesit paskan caktuar Berishën si ‘ambasador’ për të kërkuar mbështetje, teksa me ironi shtoi ‘kush e ha bufin për flamingo?’.
“Pas mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, mund ta themi me plot gojën se bufi dhe zogjtë e tij duan të duken si flamingo. Zogjtë e bufit na thane se kanë sjellë në Kuvend propozimet e protestuesve. Madje vetë bufi doli dhe tha se ka shkuar në Bosnjë (vende afër - se oqeanin s’e kalon dot) për të kërkuar mbështetje për protestën në mbrojtje të pelikanëve. Pra protesta paska caktuar bufin si ‘ambasador’ për të kërkuar mbeshtetje. Pyetja që lind: ore po kush e ha bufin për flamingo?”, ka shkruar Balla krahas videos.
Komente









