Kush e shkroi historinë
e popullit shqiptar?

Kush e shkroi historinë<br />e popullit shqiptar?
Historia ka peshën e saj pozitive vetëm nëse studiohet, shkruhet, interpretohet dhe shfrytëzohet  si duhet. Por, e njëjta mund të jetë shumë e rrezikshme, nëse gjendet në duart e atyre që mendojnë se të mirën e tyre mund t’a ndërtojnë mbi fatkeqësinë e të tjerëve, dhe e shfrytëzojnë historinë për t’u revanshuar ose akuzuar ndonjë komunitet ose grup të caktuar. Pikërisht për këtë arsye, historia kërkon trajtim të veçantë dhe shumëdimensional.
Bukur e thotë historiani i famshëm anglez, Edward Hallett (1892 – 1982), “studioni historianin para se të filloni të studioni faktet e prezantuara nga ai”, sepse objektiviteti i historisë nuk varet vetëm nga faktet dhe dëshmitë, por edhe nga interpretimi i vetë historianit. Prandaj, ka shumë rëndësi  se  kush e shkroi historinë e popullit shqiptar?
Fatkeqësisht edhe sot, nxënësit dhe studentët tanë, vazhdojnë të mësojnë historinë e shkruar nga fiksioni i oborrtarëve të mbretërve apo diktatorëve, të cilët kanë detyruar të shkruhet ajo çka u ka shkuar për shtati interesave të ngushta personale e klanore. Histori e cila për rrjedhojë, mbetet hamendësim, e shkruar dobët, e pasaktë, e manipuluar dhe joatraktive për t’u lexuar. Njësoj, sikurse mbetet të jetë histori ku mbizotërojnë dozat nacionaliste dhe qasjet e njëanshme në aspekte rajonale, fetare, ideologjike etj.
Historia e shkruar dhe paraqitur në këtë mënyrë mund të jetë helm, për vetë popullin e vet!!!
Andaj habitem, pse e tërë kjo polemikë dhe frikë nga kërkesat e Turqisë për, sipas tyre ri-interpretimin, e sipas disa të tjerëve ndryshimin, apo sipas Ministrisë së Arsimit, përmirësimin e historisë së shqiptarëve në librat e ciklit parauniversitar në raport me periudhën e Perandorisë Osmane? Shpërthime të natyrës shumë patetike, kemi parë edhe kundër argumenteve të shpalosura nga historiani I Akademisë së Shkencave të Vjenës, z. Oliver Schmit, madje ato nuk munguan as ndaj Profesorit Noel Malcolm, e të tjerëve!
Këto polemika dhe tendenca për të mbjellë frikë te masat e gjera, duken sa naive aq edhe qesharake! Naive e qesharake, sepse vërehet qartë që “kritikat shkencore” nuk janë të bazuara në argumente të mirëfillta, por në tendenca destruktive ose në emocione të çastit.
Kërkesa nuk paraqet një urdhër, andaj pse duhet të frikësohemi? Sidomos nëse pretendojmë që faktet historike ose argumentet shkencore janë në anën tonë. Historianët, duhet “t’i masin forcat” me ekspertët nga Turqia ose cilido vend tjetër. Meqenëse, sipas historianëve tonë librat prej të cilëve mësojnë nxënësit dhe studentët shqiptarë janë të bazuara në argumente, atëherë thjesht le t’i prezantojnë faktet, dëshmitë dhe studimet serioze historike.
Dhe nëse vërtetohet që ne e kishim mirë, atëherë përveç që do të rikonfirmoheshin ato që janë shkruar, ndoshta gjithashtu do të mund  t’a bindnim Turqinë e edhe  të  tjerët që të fillojnë dhe të ri-interpretojnë librat e tyre të historisë, dhe përfundimisht pse jo edhe të na kërkojnë falje për dëmet e shkaktuara. Eh, nëse eventualisht ndodh që të vërtetohet e kundërta, që historia e jonë të jetë e  bazuar në emocione, e prodhuar dhe riprodhuar reciprocikisht nga këngët rapsodike dhe jo e bazuar në argumente të mirëfillta shkencore, atëhere le të sillemi si të rritur dhe të bëjmë intervenimet e nevojshme aty ku duhet.
Dhe këtë ta bëjmë, jo për hir të miqësisë që Qeveria jonë e paska  me atë të Turqisë, ose me dikë tjetër (sepse pas një kohe këto marrëdhënie edhe mund të ndryshojnë), por vetëm për hir të së vërtetës dhe profesionalizmit – vlera këto, që të paktën tani nuk na ndalon askush që t’i respektojmë.
A mundet historia, të jetë krejtësisht objektive?
Pse të mos rishqyrtohet historia e cilitdo popull, kur dihet fare mirë, e veçanërisht nga historianët, që po kërkove me pëllëmbë, vërehet lehtë që shumica e librave të historisë nuk mund as të mendohen krejtësisht të zhveshura prej subjektivitetit. Thjesht, natyra e kësaj shkence humane është e tillë. Historia, asnjëherë nuk mund të jetë tërësisht objektive. Sepse, asnjëherë nuk mund të kemi të gjitha dëshmitë që do të plotësonin çdo zbrazëtirë të mundshme të periudhave të ndryshme historike. Fakti që jo rrallëherë  nuk dihet se çfarë ka ndodhur, pikërisht në ato “zbrazëtira”, hap mundësi të pafundme  për interpretime të ndryshme. Dhe secili paragjykim ose supozim mund të jetë i qëndrueshëm nga evidencat që ekzistojnë.
Madje historia nuk ka të bëjë vetëm me dëshmitë, kjo shkencë, siç u cek  edhe në fillim, është gjithashtu e varur nga interpretimi i historianëve të ndryshëm, që mund të “luftojnë” me pasion për njërin ose tjetrin qëndrim, por kjo as nuk e vulosë dhe as nuk e bën tërësisht objektive historinë. Natyrisht profesionistët e vërtetë, nuk mbyllin veten e tyre në dëshmi të njëanshme apo njëburimore, ata gjithherë mundohen të lënë anash paragjykimet që kanë, por edhe ata janë njerëz dhe jo rrallëherë, animet e tyre personale dalin në pah deri në një masë. Fundja, sikur historia të fitonte objektivitetin vetvetiu, apo e izoluar nga një palë burime ose dëshmi, atëhere sot shqiptarët dhe turqit nuk do të kishin qëndrime të ndryshme për Perandorinë Osmane; Kina dhe Japonia nuk do të kishin mospajtime rreth veprimeve të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore; analizat e francezëve për Napoleonin do të ishin të njëjtat me ato të anglezeve, etj.
Pse duhet të krijojmë komision për rishqyrtim të historisë?
Tensioni midis të kundërtave, lind realitetin. Kështu që, në vend të polemikave dhe frikës nga dalja në shesh e së vërtetave të mundshme të cilat eventualisht nuk do të na shkonin për shtati, ne duhet ta shfrytëzojmë kërkesën e Turqisë dhe sfidimet e autorëve të huaj, si mundësi reflektimi për rishqyrtim të detajuar të historisë tonë në tërësi. Ne nuk kemi asnjë dëm nga komisione profesionistësh, që do të punonin në shqyrtimin e historisë për të gjitha periudhat historike. Sigurisht me kusht që këto komisione të përbëhen nga ekspertë kompetentë dhe jo nga politikanë ose militante të partive politike.
Historia është mjet për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen. Interpretimet e ndryshme të së kaluarës na e mundësojnë të shohim më kthjellët të tashmen  dhe të punojmë drejt një të ardhme më të mirë. Andaj pse mos të përdorim çdo mekanizëm që do të na e mundësonte të kuptojmë sa më saktësisht të kaluarën tonë? Komisione profesionistësh do të ndihmonin në këtë drejtim. Fundja, edhe nëse nuk mësojmë prej tyre se si duhet shkruar historia, të paktën do ta kuptojmë se si nuk duhet shkruar ajo në të ardhmen! Megjithëse, shkrimi dhe leximi i historisë janë gjëra të thjeshta, sfidë mbetet të mësuarit dhe të kuptuarit e historisë! Të gjithë ata që mendojnë se në histori ideja kryesore është të shkruash histori e kanë gabim. Në histori kryesorja është të lexosh dhe kuptosh perspektivat ose animet e autorëve të ndryshëm, të vlerësosh materialet në kontekste dhe perspektiva të ndryshme, të përgjithësosh e të konceptualizosh, dhe krejt në fund të interpretosh konkluzionet. Pra, është punë e vështirë, por kënaqësi e vërtetë dhe ia vlen të merresh me të.
A thua, a e kanë shijuar këtë “kënaqësi” ata që kanë shkruar historinë tonë? Unë, dyshoj! Po ju?

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024