Të paktë janë ata që luajnë futbollin 6x6 në Shqipëri, ose i emërtuar ndryshe si ‘kalçeto’, të cilët nuk e njohin Endrit Kacën. 36-vjeçari që në vogëli është pasionuar pas futbollit dhe menjëherë nisi të stërvitej. Për shumë vite spikati në ekipet e moshave dhe deri në një moment arriti të debutonte në futbollin profesionist në Kategorinë e Dytë shqiptare. Megjithatë për shumë arsye nuk arriti të linte gjurmë, por pasionit nuk iu nda kurrë sot e kësaj dite.

Kaca shpejt u bë pjesë e disa kampionateve amatore në Tiranë, duke arritur të fitonte shumë prej tyre. Madje edhe sot humbjet numërohen me gishtat e dorës. Vitet e fundit ka spikatur edhe më shumë. Që prej nisjes së organizimeve amatore të kampionateve të futbollit nga FSHF, 5x5 ose 9x9, Kaca ka lënë pa fituar pak prej tyre.

Prej vitesh tashmë ai mban shiritin e kapitenit në kombëtaren e minifutbollit, ku edhe ish-lojtarë profesionistë në Shqipëri, janë habitur nga aftësitë e tiranasit. Kaca është i padiskutueshëm edhe në kampionatin e futsal ku numëron disa trofe si kapiten me Tiranën. Ai mban gjithashtu edhe shiritin e kapitenit në ekipin kombëtar të futsallës.

Prej vitesh Kaca po mundohet që pasionin për futbollin t’ia trashëgojë edhe brezave të rinj, teksa stërvit disa ekipe në zonën e Shkozës.

Për momentin vëmendjen më të madhe e ka te kampionati Evropian i Minifutbollit që do të organizohet në Shqipëri nga data 20 deri më 24 maj. Në rolin e kapitenit ai duhet të mbajë të bashkuar një ekip me shumë yje si profesionist në të kaluarën, me qëllim për të mos e lërë trofeun që të largohet nga Shqipëria. Ish-futbollistë të kombëtares si Jamir Hyka dhe Valdet Rama do të jenë pjesë e kombëtares së minifutbollit, ndërsa në Tiranë do të vijë elita e 25 shteteve me shumë traditë në futboll.