1767548553_alvinhellerstein.jpgAlvin Hellerstein

Në sallën e Gjykatës Federale të Manhatanit, përballë Nicolas Maduro do të ulet një gjyqtar me dhjetëra vite përvojë dhe reputacion të fortë në çështjet më të ndjeshme të drejtësisë amerikane.

Alvin Hellerstein, 92 vjeç, hebre ultraortodoks dhe një emër i njohur në sistemin federal, është zgjedhur për të kryesuar një nga proceset më të bujshme ndërkombëtare të viteve të fundit.

I lindur në Nju Jork në vitin 1933, Hellerstein ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të respektuar. Ai ka studiuar në Universitetin Columbia, ku ka përfunduar si studimet universitare ashtu edhe ato në drejtësi, përpara se të shërbente në Trupën e Avokaturës së Përgjithshme të Ushtrisë amerikane. Më pas, për 25 vite ai punoi në prokurorinë e Manhatanit, e konsideruar si zyra më e fuqishme penale në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1998, Hellerstein u emërua gjyqtar federal nga presidenti i atëhershëm Bill Clinton. Që prej asaj kohe, ai ka drejtuar çështje të profilit të lartë që lidhen me financat, terrorizmin dhe paditë civile më të ndërlikuara, përfshirë procese të lidhura me sulmet e 11 shtatorit. Ai njihet për vendime të gjata, të argumentuara në detaje dhe për një qasje të rreptë ndaj provave dhe procedurës.

Në maj të vitit të kaluar, Hellerstein ishte ndër gjyqtarët që e shpallën të paligjshme përpjekjen e administratës Donald Trump për të përdorur ligjin Alien Enemies Act të vitit 1798 për deportimin e emigrantëve venezuelas pa proces të rregullt ligjor.

Tashmë, Hellerstein do të përballet me një çështje edhe më të ndërlikuar. Sipas Prokurores së Përgjithshme amerikane Pam Bondi, Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores do të gjykohen për katër akuza të rënda, përfshirë komplot për narko-terrorizëm, komplot për importim kokaine, si dhe posedim të armëve automatike dhe pajisjeve shpërthyese.

Me një gjyqtar 92-vjeçar në krye, procesi ndaj Maduro-s pritet të jetë jo vetëm një betejë ligjore, por edhe një moment simbolik për drejtësinë amerikane.


Lajmi kryesor:

Arrestimi i Maduros, ushtria e Venezuelës mbështet Rodriguez si presidente të përkohshme! Trump: Bëj gjënë e duhur ose do të paguash më keq se ai