/ATSH-AA/ - Banorët e Mosulit i thanë të përditshmes egjiptiane "Al-Ahram" gjatë një bisede telefonike se lideri i ISIS-it, Abu Bakr Al-Bagdadi kishte vdekur gjatë sulmeve ajrore të koalicionit nën drejtimin amerikan në Irak dhe Siri.

Ndërkohë, Pentagoni ka njoftuar dy ditë më parë se nuk mund të konfirmonte informacionet sipas të cilave kreu i grupit të Shtetit Islamik kishte vdekur pas një sulmi ajror, por shtoi se drejtues të tjerë të një rangu më të ulët në organizatë mund të ishin prekur.

"Ka shumë informacione kontradiktore për fatin e Bagdadit. Por më i rëndësishmi, sipas nesh është që ne nuk mund të konfirmojmë gjendjen aktuale të tij", deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steven Warren.

Po kush është Abu Bakr al-Bagdadi?
Gjenerali pakistanez në pension, ish-shefi i përgjithshëm i shërbimit sekret ushtarak Hamid Gul, në një intervistë për AA-në zbuloi një seri informacionesh interesante në lidhje me kreun e ISIS-it.

Gul thotë se udhëheqësi i organizatës terroriste ISIS, Abu Bakr al-Bagdadi, në fund të viteve '80 të shekullit të kaluar, ishte trajnuar në kampet e Afganistanit.
Lideri i ISIS-it dhe kalifi i tyre Abu Bakr al-Bagdadi është figurë enigmatike për të cilin publiku di shumë pak, përfshi edhe institucionet zyrtare, si edhe të dhënat sekrete të SHBA-së.

Al-Bagdadi thuhet se u lind në vitin 1971 në qytetin irakian Samara në veri të Bagdadit. Ai ka doktoruar në Fakultetin e Studimeve Islame, Universiteti i Bagdadit, ku punoi si ligjërues.

Gjatë pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, thuhet se shërbeu në një xhami të Bagdadit. Për shkak të mbështetjes së rezistencës irakiane në vitin 2004, u arrestua në Faluxha dhe deri në vitin 2009 ishte i burgosur në Kampin Bucca në Bagdadin Jugor, që është përdorur si burg ushtarak amerikan.

Pavarësisht akuzave të shumta rreth qëndrimit pesëvjeçar të Bagdadit në kampin amerikan, institucionet zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ende nuk japin informacione në lidhje me të.

Akuzat e publikuara nga gazeta amerikane "New York Times" si dhe intervista me ushtarakun amerikan i cili ishte përgjegjës për kampin Bucca, Kenneth King dhe portali "The Daily Beast" kanë tërhequr vëmendjen e publikut, kur është fjala për këtë temë.

King, konfirmoi se Bagdadi deri në vitin 2009, ishte arrestuar në burgun Bucca dhe se pas mbylljes së burgut, së bashku me të burgosurit e tjerë, i janë dorëzuar autoriteteve irakiane, të cilët e liruan më pas. Me rastin e dorëzimit të burgosurve tek autoritetet e Irakut, King thotë se Bagdadi m'u afrua dhe më tha "shihemi në Nju Jork."
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki në konferencë për gazetarët më 7 korrik, kishte deklaruar se nuk mund të konfirmonte dhe as të mohonte pretendimet rreth qëndrimit të Bagdadit në kampin amerikan. Për këtë çështje më vonë u diskutua edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, përfaqësuesit e të cilit kërkuan nga autoritetet t'u përgjigjeshin pyetjes nëse Baghdadi ishte në kampet amerikane dhe si u lirua.

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Brett McGurk tha se nuk kishte informacion mbi lirimin e Bagdadit dhe se personalisht në atë kohë nuk kishte qenë në qeveri. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë përgjigje të detajuar rreth kësaj pyetje.

Gjenerali Gul zbulon një seri informacionesh interesante në lidhje me kreun e ISIS-it. Gul gjatë periudhës 1979-1989 ishte një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të mbështetjes ushtarake pakistaneze të grupeve lokale afgane, të cilat i rezistonin pushtimit nga forcat sovjetike.

Gul pohon se në vitin 1988, vizitoi kampet në rajonin Kost të Afganistanit dhe në mesin e të rinjve ishte edhe Bagdadi.

"Atje kam takuar një grup të të rinjve arabë. Afganët dhe arabët ndryshojnë në dukje. Në pyetjen se kush jeni, ata ma vërtetuan se ishin arabë. Atje, ata ishin trajnuar për të luftuar. Besoj se njëri prej tyre ishte Abu Bakr al-Bagdadi", tha Gul.

Gjenerali në pension thotë se autoritetet amerikane arrestuan dhe e mbajtën në burg al-Bagdadin dhe se ata duhet të kenë informacione në lidhje me të.
Bagdadi këmbëngul të ruaj fshehtësinë e të dhënave rreth tij, ndërsa shumë burime thonë se ai vendos maskë edhe gjatë takimit me komandantët e ISIS-it.
Mediat përdorin dy fotografi për të cilat vetëm supozohet që fytyra mbi to është me të vërtetë ajo e Bagdadit. Fotografinë e parë, është botuar nga qeveria e Irakut, ndërsa tjetra është një fotografi nga fletë-arresti i SHBA-së.

Paralelisht me këtë, nëpër media është shfaqur edhe një video, ku pretendohet se duket Bagdadi. Fjala është për një xhirim të cilin ISIS-i kishte publikuar në internet më 5 korrik, e që pretendohet se është xhirim në xhaminë e Mosulit.