Kush është Salman Rushdie, shkrimtari që u sulmua sepse shkroi ‘Vargjet Satanike’

Kush është Salman Rushdie, shkrimtari që u sulmua sepse shkroi ‘Vargjet Satanike’

Salman Rushdie

Shkrimtari me origjinë indiane, Salman Rushdie, i cili u sulmua me thikë ndërsa ishte në Nju Jork, është kërcënuar me vdekje për shkak të punës së tij gjatë një karriere letrare prej pesë dekadash. Shumë nga librat e 75-vjeçarit kanë qenë të suksesshëm, me romanin e tij të dytë, ‘Midnight’s Children’, që fitoi çmimin Booker në 1981, shkruan BBC.

Por ishte pikërisht romani i tij i katërt, ‘Vargjet Satanike’ (The Satanic Verses), i botuar në 1988, që u bë vepra e tij më e diskutueshme, duke sjellë trazira. Rushdie u kërcënua shumë herë me vdekje për shkak të përmbajtjes së librit, ndaj u detyrua të fshihej pas publikimit të tij, dhe qeveria britanike e vendosi autorin nën mbrojtjen e policisë.

Salman Rushdie lindi në Bombei. Në moshën 14-vjeçare ai u dërgua në Angli në Shkollën e Rugbit, ndërsa më vonë fitoi një diplomë nderi në histori në Kings College, Kembrixh. Ai u bë shtetas britanik, e ndërsa i përkiste fesë islame, nuk kishte besim në fenë. Punoi një kohë të shkurtër si aktor dhe më pas si autor reklamash, ndërsa shkruante romane.

Në shtator të vitit 1988 u botua vepra që do t’i rrezikonte jetën, Vargjet Satanike. Romani surrealist post-modern shkaktoi zemërim te disa myslimanë, të cilët e konsideruan përmbajtjen e tij si blasfemi. India ishte vendi i parë që e ndaloi atë. Pakistani ndoqi shembullin, ashtu si edhe vende të tjera myslimane dhe Afrika e Jugut. Romani u vlerësua në shumë qarqe dhe fitoi çmimin Whitbread. Por reagimi ndaj librit u shtuan dhe disa njerëz dolën në protesta kundër tij.

Myslimanët e konsideruan atë një fyerje për Islamin. Ata kundërshtuan, ndër të tjera, faktin që dy prostitutave në libër u jepeshin emrat e grave të profetit Muhamed. Titulli i librit i referohej dy vargjeve të hequra nga Muhamedi nga Kurani, sepse ai besonte se ato ishin frymëzuar nga djalli. Rushdie hodhi poshtë akuzat për blasfemi.

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, disa udhëheqës myslimanë kërkuan moderim. SHBA, Franca dhe vende të tjera perëndimore dënuan kërcënimin me vdekje. Rushdie, i fshehur me gruan e tij teksa ruhej me policë, shprehu keqardhjen e tij të thellë për shqetësimin që u kishte shkaktuar myslimanëve. Ndërhokë, libri u bë një bestseller në të dy anët e Atlantikut.

Zyrat e botuesit Viking Penguin, në Londër u piketua dhe punonjësit u kërcënuan me vdekje. Përkthyesi japonez i Vargjeve Satanike u gjet i vrarë në një universitet në veri-lindje të Tokios në korrik 1991. Policia tha se përkthyesi u godit me thikë disa herë dhe u la në korridor jashtë zyrës së tij në Universitetin Tsukuba. Në fillim të të njëjtit muaj, përkthyesi italian, Ettore Capriolo, u godit me thikë në banesën e tij në Milano, megjithëse i mbijetoi sulmit.

Rushdie është martuar katër herë dhe ka dy fëmijë. Ai tani jeton në SHBA dhe u shpall ‘kalorës’ në vitin 2007 për shërbimet e tij në letërsi.


Lajmi kryesor:

Goditet me thikë shkrimtari i njohur në New York! Autori i fshehur mes publikut, mbante maskë të zezë! Ndërhyjnë të pranishmit


D.GJ/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë